Hyseni përforcon Trepçën

Kampioni vjeshtor i Superligës së Kosovës në futboll, Trepça nga Mitrovica, të premten ka nënshkruar kontratë me sulmuesin e Teutës së Durrësit, Berat Hyseni, i cili në të kaluarën i ka mbrojtur edhe ngjyrat e FC Prishtinës dhe Flamurtarit.
Lajmin e ka konfirmuar për Express, drejtori sportiv i Trepçës, Eroll Vitaku, i cili tregoi se për t’i siguruar shërbimet e Hysenit, klubi i tij është dashur t’ia paguaj një dëmshpërblim Teutës, e cila ka pasur kontratë me ish-sulmuesin e Tiranës.
“Sot (e premte) kemi nënshkruar kontratë për një vit e gjysmë me Berat Hysenin. Hyseni ka pasur kontratë me Teutën e Durrësit, prandaj kemi qenë të detyruar t’ia paguajmë një dëmshpërblim këtij ekipi”, deklaroi Vitaku për Express. Po ai nuk tregoi se sa i ka kushtuar Trepçës pagesa e dëmshpërblimit për Teutën.
“Dëmshpërblim kemi paguar, por ende nuk e di shumën, sepse kolegët e mi të klubit i kanë kryer të gjitha punët, ngase unë nuk kam qenë në Kosovë”, theksoi Vitaku.
Berat Hyseni është përforcimi i katërt i Trepçës, i bërë gjatë këtij pushimi dimëror. Para tij, në klubin mitrovicas është transferuar Patrik Doqi nga Liria, Arbër Malaj nga Flamurtari i Vlorës dhe Niriman Ismaili nga ekipi bolivian FC Lapaz.
Po ashtu, Trepça e ka vazhduar kontratën me Arben Zhjeqin, derisa është ndarë me Enis Fetahun dhe Uliks Emrën. Ndërsa, mitrovicasit tani po përpiqen që të përforcohen edhe me një sulmues tjetër të shkathët, por emrin e tij, tani për tani, zyrtarët e klubit nuk duan ta bëjnë publik.