E Shtunë, 31 Tetor 2026

Favorizon Spanjën

Edhe pse Shqipëria nuk do të jetë pjesë e Kampionatit Botëror 2010, Lorik Cana i ka dhënë parashikimet e tij se cilat skuadra mund të arrijnë sukses në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit në botë. Futbollisti i Sunderlandit e ka favorizuar Spanjën, por ka përmendur edhe ekipe të tjera.

“Është e vështirë ta kapërcesh pa përmendur Spanjën, e cila ka ekip fantastik dhe e ka fituar titullin evropian. Por, për ta do të jetë mjaft e vështirë, sepse çdokush pret që të fitojë. Ata e meritojnë të jenë favoritë. Mirëpo, edhe Brazili gjithmonë është aty. Askush nuk po flet për Francën, të cilën e shoh si autsajder të mirë”, tha Cana për uebfaqen journallive.co.uk.

Ai e përmendi edhe Anglinë, që e futi ndër katër skuadrat më të mira dhe për të cilën mendon se do të shkojë së paku deri në gjysmëfinale. Shqipëria nuk është kualifikuar asnjëherë në fazën finale të Kupës së Botës, por 26 vjeçari nuk e ka humbur ende shpresën më të vogël që ta shijojë edhe ai këtë ndjenjë.

“Do t’i shikoj ndeshjet në televizor. Unë pata shkuar në kompeticion kur luhej në Gjermani, por mendoj se Afrika e Jugut është mjaft larg për të udhëtuar. Do ta shikoj me ëndje këtë turne, i cili është më i madhi sportiv në botë. Është e vështirë për mua të luaj aty, por kurrë nuk i dihet”, tha Cana.

Ndërkohë, përfaqësuesi shqiptar mezi pret të nisë sezoni i ri. Ai thotë se është kënaqur me sfidat e vitit të parë në futbollin anglez, ndërsa premton që në vitin e tij të dytë të japë edhe më shumë nga vetja për ekipin e tij, pas përshtatjes në vendin e ri.

Cana e ka lavdëruar futbollin anglez, për të cilin edhe një herë ka thënë se është më i miri në botë, ku çdo futbollist ëndërron të luajë. Ai ka marrëdhënie fantastike me menaxherin Steve Bruce, me bashkëlojtarët dhe me tifozët.

Ish futbollisti i Marseilles e vlerësoi si pozitiv këtë sezon, edhe pse askush nga futbollistët nuk ishte perfekt. “Objektiv i yni ishte që të përfundojmë në mes të tabelës dhe si duket këtë mund ta arrijmë. Ishte një sezon me ngritje dhe zbritje, por mendoj se në fund do të jemi të kënaqur”, përfundoi Cana.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›