E Diel, 1 Nëntor 2026

300 pacientë në Urgjencë nga virozat e stinës, QSUT në mungesë totale ilaçesh

Mjekët e Pediatrisë dhe Urgjencës: Ska medikamente për kurim, pacientët po mjekohen në kushte të vështira

Pacientë nga të gjitha moshat kanë tejmbushur ditët e fundit, urgjencën e përgjithshme të spitalit numër 1 në QSUT, për shkak të inflamacioneve të stinës, si helmime, rrufë, viroza, ftohje, alergji, apo edhe sëmundje infektive. Janë më shumë se 300 pacientë,

fëmijë, të rinj, e të moshuar që kanë kërkuar mjekimin në urgjencën e QSUT-së por vetë mjekët janë dorëzuar përpara këtij fakti. Sipas tyre gjendja e krijuar për shkak të mungesave të theksuara të barnave, qetësues, antiviralë, apo edhe mjekime të tjera që shërbejnë për mjekimet e virozëve të stinës mungojnë pothuajse totalisht. Ky problem sipas mjekëve ka qenë i pranishëm në urgjencën e QSUT-së për një kohë të gjatë prej disa muajsh, por jo vetëm aty. Pothuajse në të gjitha pavijonet e tjera mungojnë ilaçet të cilat të afërmit e pacientëve janë të detyruar ti blejnë privatisht. Por sipas mjekëve ky problem është më i ndjeshëm e më urgjent në u8rgjencën e spitalit i cili duket sikur është pushtuar, këto ditë nga pacientët. Fëmijë të vegjël nga mosha 0 deri në 12 vjeç, të rritur, të moshuar, por edhe pacientë kronikë, janë gjetur këto ditë në ambientet e urgjencës së QSUT-së pasi edhe urgjenca e spitalit pediatrik në shumicën e rasteve është e tej mbushur nga pacientët e vegjël. Sipas mjekëve specialistë, fluksi më i madh i pacientëve kryesisht vuan nga virozat e stinës, ndryshimet e menjëhershme atmosferike dhe rritja e temperaturave me disa gradë Celsius. Por jo vetëm kaq, problemet e helmimeve nga ushqimet, nga alkooli i tepruar apo i pakontrolluar, si dhe konsumi i produkteve të ruajtura në vende të papërshtatshme, kanë sjellë shtim të rasteve të qytetarëve që janë helmuar apo kanë pasur shqetësime gastro-intestinale. Sipas bilancit statistikor, kryer ditët e fundit pranë qendrës spitalore universitare Nënë Tereza, rezulton që çdo ditë në urgjencën e pediatrisë paraqiten nga 150-200 raste fëmijësh të sëmurë, përfshi këtu edhe rastet e të sëmurëve në moshë madhore e sidomos atyre me probleme kardiake, hipertension, apo sëmundje të tjera si diabeti e veshkat që për shkak të temperaturave të larta kanë kulmin e tyre në këtë stinë. Sipas vëzhgimeve nga gazeta SOT këto rast janë të pranishëm gjatë gjithë orarit të paradites e të pasdites por sipas mjekëve edhe gjatë natës urgjencat mbipopullohen nga pacientët  ndryshëm Mjekët thonë për gazetën se janë duke punuar në kushte tejet të vështira pa mjetet ndihmës e në mungesë totale ilaçesh edhe për rastet e urgjencave.


Urgjenca e Kardiologjisë
Edhe urgjenca e kardiologjisë pret dhe përcjell brenda një ditë-nate nga 100 deri në 150 pacientë me probleme kardiake, luhatje të tensionit, apo shqetësime të tjera, nga pacientë kryesisht të moshave madhore, jo vetëm nga sëmundje kronike, por edhe nga temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin tonë javën e fundit. Një tjetër shërbim me fluks pacientësh është edhe pavijoni i infektivit.


Urgjenca e infektivit
Për shkak të virozave, helmimeve, problemeve me temperaturën e lartë, viroza të stinës dhe shqetësimeve të tjera stinore, në këtë repart paraqiten çdo ditë nga 60-80 qytetarë. Pasi marrin mjekimin e nevojshëm dhe kujdesin shëndetësor, largohen. Të tjerë, me probleme më serioze, qëndrojnë të shtruar për të qenë më pranë vëzhgimit të mjekut.Ndërsa ndodhemi në stinën e nxehtë dhe me probleme të mëdha për shëndetin, nëse nuk duhet të sëmuremi dhe të kalojmë ditë të bukura, secili prej nesh duhet të respektojë disa rregulla në bazë të disa ndarjeve dhe kategorive.


Këshillat nga mjekët
Drejtoria e Higjienës, e cila ka afishuar rregullat, si dhe mjekët e fëmijëve, të rriturve dhe specialistët e urgjencave, kanë një paketë sugjerimesh për të vegjlit, fëmijët, të rriturit, moshën e tretë e pacientët kronikë. Këshillohet dalja në mëngjes ose në mbrëmje, pas orës 19:00, qëndrimi në ambiente të freskëta, ajrosja e shtëpisë, veshja e lehtë me materiale të përshtatshme për stinën. Mjekët këshillojnë konsumin e lëngjeve, frutave, ushqimeve me pak kalori, pa yndyrë, pa sheqer, jo alkool, jo duhan. Gjithashtu të ruhen dhe konsumohen ushqimet sipas kushteve të nevojshme. Është i nevojshëm konsumi i të paktën 2 litrave ujë në ditë. Jo vetëm për kategoritë delikate, por edhe për të rinjtë, apo personat energjikë, këshillohet ruajtja e kokës dhe qafës nga dielli, përdorimi i kapelave, konsumi i lëngjeve, si dhe qëndrimi në ambiente të freskëta. Për fëmijët e vegjël, pediatrit rekomandojnë freskim dhe banja me ujë të vakët.

Dashi i vonuar për repartin e Hemodializës, pacientët mjekohen jashtë shtetit
Pavarësisht se ka dy javë që ka hapur dyert reparti i hemodializës pediatrike në QSUT, ende pranë tij nuk ka pacientë të vegjël që të marrin trajtim. Kjo jo për faktin se nuk ka pacientë, që vuajnë nga insuficienca renale, por shumica e atyre që ishin të regjistruar në regjistrin kombëtar i cili numëron rreth 110 paciente, kanë kryer transplante, në vendet fqinjë ndërkohë që fatkeqësisht ka patur dhe nga ata pacientë të cilët për shkak të mungesës së këtij shërbimi, kanë humbur jetën, pasi sëmundja ka qenë në stadet e fundit. Në këtë aspekt drejtori i QSUT-së që në këtë rast ka vonuar pajisjen me aparatura të reja e hapjen e repartit të veçantë për dializën ka lënë në mëshirë fatit për vite me radhë fëmijët e sëmurë e prindërit e tyre të cilët kanë shpenzuar më shumë se mundësitë e tyre e në shumë raste kanë marrë edh para borxh për tu siguruar shërimin apo mjekimin fëmijëve të tyre jashtë shtetit. Sipas mjekëve prindërit nuk janë të ndërgjegjësuar, për të kryer analiza periodike. E për më tepër përpos përurimit të bujshëm nga drejtori Dashi asnjë fletushkë apo njoftim nga drejtoria e QSUT-së për prindërit apo të afërmit e fëmijëve të sëmurë. "Aktualisht ne jemi në pritje, ne kemi një informacion që një pjesë e tyre kanë bërë transplant në Itali, Greqi. Një muaj më përpara humbi jetën një fëmijë 10-vjeçar që nuk dihej që vuante nga problemet renale. Është aq e vërtetë sa që prindi e mësoi për herë të parë që fëmijën e kishte në një gjendje terminale", thotë Rezart Xhepa, shef i pavijonit të hemodializës pediatrike. Shefi i pavijonit të hemodializës pediatrike thotë se janë të gjitha kapacitet, për të trajtuar një numër të konsiderueshëm fëmijësh, ndërkohë që stafi është trajnuar, për ti shërbyer këtyre pacientëve për një shërbim sa më cilësor. "Ne jemi disponibël me 6 aparatura dhe mendoj që janë goxha boll për momentin ku neve jemi. Kur ajo të fillojë që të trajtojë pacientin e parë e të shohim ecurinë  këtij të sëmuri e të japim programe të përcaktuara si do të bëhet dializa", vijon Xhepa. Përsa i përket medikamenteve për këtë kategori pacientësh, ato vazhdojnë të jenë të kushtueshme, ndërkohë që një pjesë e tyre renditet në listën e barnave të rimbursueshme. Por sipas vetë prindërve të fëmijëve kohët e fundit edhe pse këto medikamente për fëmijët e tyre duhet të merren në spital ato nuk gjenden shumicën e kohës në farmacitë e në depot farmaceutike të spitalit.


Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›