E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faza e tretë, 3500 kërkesa në kryeqytet

22/10/2009  Aplikimet për plotësimin e Formularit A3 fluks kërkesash pranë drejtorisë arsimore të kryeqytetit

Rreth 400 kandidatë kërkojnë ndërrimin e degës së studimeve

Pranvera Kola

Faza e tretë e pranimeve në universitete për vitin akademik 2009-2010 është shoqëruar me një fluks të lartë kërkesash për plotësimin e formularit A-3, që u jep edhe një tjetër shans kandidatëve jofitues për të mos e humbur këtë vit. Vetëm në kryeqytet pohohet të jenë depozituar rreth 3500 kërkesa për plotësim. Drejtoritë arsimore raportojnë të dhënat që tregojnë se kërkesa të shumta janë paraqitur jo vetëm nga kandidatët që nuk janë shpallur fitues në asnjërën prej dy fazave të mëparshme, si dhe nga ata që janë shpallur fitues, por dhe nga ata që duan të ndërrojnë degë. Udhëzimi i hartuar nga ekspertët e Ministrisë së Arsimit lejon plotësimin e preferencave të reja deri në mbrëmjen e 26 tetorit. Pas këtij afati të gjithë formularët e plotësuar do të dërgohen në APRIAL, ku sistemi kompjuterik do të mundësojë renditjen e fituesve të çdo programi në bazë të pikëve që kandidati ka për secilën preferencë.

Kërkesat

Aplikimet e fazës së tretë kanë nxjerrë sërish në pah fluksin e kërkesave që kandidatët për universitet kanë kundrejt programeve akademike që ofrohen në kryeqytet, veçanërisht në universitetin e Tiranës. Nga të dhënat e publikuara rezulton se pranë drejtorisë arsimore të Tiranës kanë paraqitur me shumë se 3500 kërkesa për plotësimin e këtij formulari. Numri një i kësaj drejtorie, Ariana Bekteshi, ka pohuar gjatë ditës së djeshme se deri tani e kanë tërhequr këtë formular rreth 440 kandidatë që kërkojnë të ndryshojnë degën e tyre dhe 3000 të tjerë që duan të regjistrohen në universitetet publike të Tiranës.

Ndërkohë edhe drejtoritë e rretheve kanë pasur kërkesa të shumta për plotësimin e vendeve të mbetura bosh dhe programeve të reja të miratuara nga qeveria për këtë vit akademik. Aplikuesit e kësaj faze do të përzgjedhin në formularin e preferencave dhjetë degë të caktuara sipas rendit zbritës nga dega më e pëlqyer tek ajo më pak e pëlqyer. Më pas do të jetë APRIAL-i që (në bazë të pikëve finale që kandidati ka mbledhur në procesin e Maturës Shtetërore) do të bëjë renditjen përfundimtare të fituesve për 2257 kuotat e rishpërndara si dhe për 600 kuotat e reja që janë miratuar nga qeveria këtë vit.

Regjistrimet

Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit përcaktohet edhe afti i shpalljes së listave të kandidatëve fitues si dhe afatet e regjistrimeve. Regjistrimi i kandidatëve fitues të kësaj faze do të bëhet pranë sekretarive mësimore të Institucioneve publike të arsimit të lartë në datat 1, 2, 3 dhe 4 nëntor 2009, nga ora 8:00 deri në orën 18:00. Për regjistrim kandidatët duhet të dorëzojnë dosjen individuale me këto dokumente origjinale: “dëftesë pjekurie (në mungesë vërtetim note me fotografi, të nënshkruar nga drejtori i shkollës dhe drejtori i drejtorisë arsimore rajonale ose drejtori i zyrës arsimore, si dhe dokument të lëshuar nga Arkivi i Shtetit; dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë) dhe fotokopje të tij, (në dosje të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit) në mungesë të tyre kandidati dorëzon certifikatë personale me fotografi; 2 fotografi, mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekë”. Ndërsa për kandidatët që kanë ndërruar degë duhet edhe vërtetimi i çregjistrimit nga programi i mëparshëm i studimit.

Mandati financiar

Ministria e Arsimit deklaron për kandidatët që do të shpallen fitues gjatë kësaj faze se tarifa e regjistrimit prej 1 500 lekë e arkëtuar nga kandidati për regjistrimin përfundimtar të fazës së dytë të regjistrimeve në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë në fakultetet publike do të kalojë me xhirim nga llogaria e degës së thesarit ku institucioni publik i arsimit të lartë ka llogarinë buxhetore, në llogarinë e thesarit të universitetit ku do të bëjë regjistrimin përfundimtar gjatë fazës së tretë.

Fluksi i kërkesave

Deri tani e kanë tërhequr këtë formular rreth 440 kandidatë që kërkojnë të ndryshojnë degën e tyre dhe 3000 të tjerë që duan të regjistrohen në universitetet publike të Tiranës. Ndërkohë edhe drejtoritë e rretheve kanë pasur kërkesa të shumta për plotësimin e vendeve të mbetura bosh dhe programeve të reja të miratuara nga qeveria për këtë vit akademik. Aplikuesit e kësaj faze do të përzgjedhin në formularin e preferencave dhjetë degë të caktuara sipas rendit zbritës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›