E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD heton gjyqet e vonuara dhe shkeljet

22/10/2009  Gjykatat përsëri në fokusin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Nr. 2 i KLD-së Spahiu: Reformimi i gjyqësorit i pandalshëm nëse gjendet rruga

Drejtësia, nga sot cilësi gjykimi

Reforma në gjyqësor, sistemet e karrierës, lëvizja e gjyqtarëve e shpejtësia e gjyqeve

TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë i rikthehet edhe një herë gjyqësorit. Për numrin dy të KLD-së reformimi i gjyqësorit tashmë është çështje kohe dhe vullnet i mirë për ta përfunduar sa më shpejt. Këtë deklaratë Kreshnik Spahiu e ka bërë dje në një takim që ka pasur me përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë. Në krahë të tij ishte i ulur edhe një prej avokatëve të njohur në Vend Neshat Fana, i cili tashmë është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Për Spahiun, transparenca në gjyqësor duhet të jetë primare dhe një lëvizje e gjyqtarëve nga njëri rreth gjyqësor në tjetrin është i domosdoshëm. Rritje e cilësisë së gjykimit të çështjeve dhe shpejtësi në gjykim. Këto janë dy elementët themelore të reformës gjyqësore. Këto elementë janë prezantuar nga nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu. Gjatë fjalës së tij në prezantimin e reformës, Spahiu deklaroi se sistemi gjyqësor shqiptar ndodhet në një proces historik, atë të riorganizimit të tij, i cili duhet kryer me gjyqtarët që janë në vend dhe në bazë të kushteve që caktohen qartë në ligjin përkatës. "Ne pretendojmë që me anë të këtij riorganizimi, të rrisim cilësinë në gjykime. Dhe jemi këtu për të gjetur gjyqtarët më të mirë të sistemit tonë, pasi cilësia do të rritet pikërisht me këta gjyqtarë", tha Spahiu. Spahiu deklaroi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë është duke kërkuar dhe zbatuar standarde të larta për gjyqtarët. Sipas tij, duhet përmirësuar çdo praktikë negative që mund të ketë ndodhur në të shkuarën në sistemin gjyqësor. "Nuk mund të ketë riorganizim të gjyqësorit çdo muaj dhe çdo vit, ai ndodh në periudha shumë të rralla dhe është e rëndësishme që ne të zbatojmë sistemin e karrierës dhe rritjen e performancës",- theksoi Spahiu. Herë pas herë KLD-ja është mbledhur për të zgjidhur kësisoj disa nga problemet e shumta në gjyqësor që kërkojnë një vëmendje të veçantë.

Sistemi i karrierës

Për sa i përket sistemit të karrierës, Spahiu theksoi se kjo është shumë e nevojshme për të rritur cilësinë. Po kaq e nevojshme, sipas tij, është edhe fakti se si mund të bëhet lëvizja e gjyqtarëve nga njëri rreth në një tjetër. Për këtë pikë, Spahiu tha se janë duke punuar specialist. Përzgjedhja e gjyqtarëve që do të lëvizin në rrethet gjyqësore do të bëhet e organizuar dhe e studiuar më së miri. Spahiu dje foli edhe për dy gjykatat e karrierës. Këto gjykata do të jenë ato të Tiranës dhe të Durrësit. Ndërkohë që bëhet e ditur se nga këto dy gjykata nuk do të ketë shumë lëvizje. Janë rrethe gjyqësore, të cilat do të shërbejnë për të promovuar gjyqtarët e rinj të magjistraturës. Vetëm pak ditë më parë Kreshnik Spahiu në mbledhjen e radhës të KLD-së bëri kritika të ashpra për mungesën e avokatëve mbrojtës në seancat gjyqësore.

Avokatët t’i përgjigjen ligjit

Mungesa e avokatëve mbrojtës në shumë seanca gjyqësore me rëndësi, si në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ashtu dhe në rrethet e tjera gjyqësore, është bërë tashmë shqetësim për gjyqësorin dhe për KLD-në. Për këtë pikë ka folur avokati Neshat Fana, i cili ka theksuar se mangësi në këtë pikë kanë edhe gjyqtarët. Për Fanën, gjyqtarët duhet të organizojnë punën në mënyrë të tillë dhe procesi të mos zvarritet ditë pas dite dhe me pretekste për t’u shtyrë, por të bëhet pa ndërprerje. Por një praktikë e tillë e zhvillimit të gjyqeve mungon në gjykatat tona. Seanca nga seanca lihet dy javë larg në kohë për t’u zhvilluar.

Gjykatat në shënjestër

Shtatë gjykata të rretheve gjyqësore janë vënë në shënjestër të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në mbledhjen e kaluar u vendos që gjykata e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Korçës, Fierit dhe Lushnjës, t’i nënshtrohen kontrollit nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë dhe ata të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kontrolli do të vazhdoi disa muaj dhe në fund raportet do të paraqiten në KLD.

Sistemi i karrierës

Gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë dhe ajo e Durrësit janë vendosur të jenë gjykata karriere. Këtë vendim e ka marr Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Në këto dy gjykata do të promovohen gjyqtarët e rinj të sapodalë nga magjistratura. Ndërkohë që janë gjykatat që kanë numrin më të madh të gjyqtarëve dhe kanë të gjitha shanset të mos preken nga reformimi dhe transferimi.

Në sitë edhe kryetarë

Kryetarët e disa gjykatave të rretheve gjyqësore futen në sitën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pasi i janë nënshtruar kontrollit të ushtruar nga inspektorët e KLD-së dhe ata të Ministrisë së Drejtësisë, gjyqtarët e disa rretheve gjyqësore kanë marrë në dorë raportet përkatëse për të bërë të mundur relacionin përkatës. Secili nga gjyqtarët ka të drejtë të kundërshtoi raportin në KLD.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›