E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria miraton 1752 kuota për doktoratura e mastera

22/10/2009  Kriteret e aplikimit për secilin program

Tarifat e shkollimit për doktoraturë 200 mijë lekë ndërsa për master 100 mijë lekë

Miratohet lista e radhës me titujt e studimeve për ciklin e doktoraturës dhe masterave të nivelit të dytë në Universitetin e Tiranës. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë është miratuar vendimi për hapjen e doktoraturave në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe atë të Gjuhëve të Huaja. Gjithashtu janë miratuar edhe kuotat e pranimit dhe tarifat e regjistrimit për ndjekjen e masterave të nivelit të dytë. Kuota e pranimit në këto programe studimi për vitin 2009 është 137 dhe ndahet sipas fakulteteve dhe programeve të studimit që tregohen në tabelën e mëposhtme. Aplikimet për këto tituj studimesh do të kryhen në mënyrë individuale pranë secilit fakultet sipas afateve që do të përcaktohen nga vetë institucioni. Vendimi saktëson se çelja e tyre do të bëhet këtë vit akademik. Kohëzgjatja

Kohëzgjatja e programeve të studimeve të doktoratës është të paktën 3 vjet dhe përfshin edhe 60 kredite për studime të organizuara. Kuota e pranimit në këto programe studimi për vitin 2009 është 137 dhe ndahet sipas fakulteteve dhe programeve të studimit. Vendimi i qeverisë gjithashtu përcakton se për çdo program studimi 10 për qind e kuotave të mësipërme caktohet për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe administrohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës sipas kërkesave të institucioneve përkatëse zyrtare të këtyre trojeve. Ndërkohë tarifa e ndjekjes së këtyre studimeve do të jetë për të gjitha programet e njëjtë, përkatësisht me 200 000 (dyqind mijë) lekë. Sipas përcaktimit të bërë, tarifa e shkollimit do të likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga fakulteti përkatës. Me përcaktimin e kuotave të pranimit dhe tarifave fakultetet do të çelin vetë procedurat e pranimit në bazë të kritereve të veçanta për secilin program. Për rastet kur fluksi i kërkesave do të jetë më i lartë sesa kuotat e miratuara, fakultetet do të përdorin kritere përzgjedhjeje.

Master i nivelit të dytë

Gjithashtu do të ofrohen edhe mastera të nivelit të dytë në degët kimi dhe kimi industriale e mjedisore. Sipas vendimit të qeverisë, aprovohet hapja në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës e programeve të studimeve të ciklit të tretë “Master i nivelit të dytë” në kimi me profil “Elektrokimia e korrozionit dhe dukuritë sipërfaqësore”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i nivelit të dytë” (MND) në kimi, me drejtim “Elektrokimia e korrozionit dhe dukuritë sipërfaqësore”. Gjithashtu ky master do të ofrohet edhe në degën kimi industriale e mjedisore, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i nivelit të dytë” (MND) në kimi industriale e mjedisore. Këto programe studimi realizohen me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale është një vit, teksa do ta fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2009-2010.

Tarifat e doktoraturave

Ndërkohë tarifa e ndjekjes së këtyre studimeve do të jetë për të gjitha programet e njëjtë, përkatësisht me 200 000 (dyqind mijë) lekë. Sipas përcaktimit të bërë, tarifa e shkollimit do të likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga fakulteti përkatës. Me përcaktimin e kuotave të pranimit dhe tarifave fakultetet do të çelin vetë procedurat e pranimit në bazë të kritereve të veçanta për secilin program. Për rastet kur fluksi i kërkesave do të jetë më i lartë sesa kuotat e miratuara do të ketë përzgjedhje.

Kuotat e pranimit për doktoraturat

A. Fakulteti i Gjuhëve të Huaja:

a) Doktoratë në shkenca gjuhësore - 25 kuota

b) Doktoratë në letërsi botërore - 40 kuota

B. Fakulteti i Shkencave Natyrore:

a) Doktoratë në fizikë - 10 kuota

b) Doktoratë në “Analiza kimike

e lëndës dhe mjedisit” - 10 kuota

c) Doktoratë në “Elektrokimi e zbatuar dhe

dukuritë sipërfaqësore” - 10 kuota

ç) Doktoratë në “Teknologji dhe mikrobiologjia

e ushqimeve dhe vlerësimi i sigurisë dhe

cilësisë” - 6 kuota

d) Doktoratë në “Proceset e trajtimit kimik të

lëndëve të para natyrore dhe të mbeturinave industriale e urbane” - 10 kuota

dh) Doktoratë në “Biologji molekulare” - 10 kuota

e) Doktoratë në “Biologji e ruajtjes” - 10 kuota

ë) Doktoratë në “Bioteknologji bimore” - 6 kuota.

Programet e tarifat për masterat e nivelit të dytë

Gjithsej miratohen 1615 kuota pranimi sipas degëve

Kuota e pranimit në programet e studimeve “Master i nivelit të dytë” (MND) për vitin akademik 2009-2010 është 1 615 dhe ndahet në këtë mënyrë: 1565 kuota për kandidatët shqiptarë, nga të cilat 10 për qind në kuotën e çdo programi studimi janë për studentët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë 50 kuota të tjera do të jenë për shtetasit e huaj. Kuotat për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës sipas kërkesave të institucioneve përkatëse zyrtare të këtyre trojeve. Kuotat e pranimit të shtetasve të huaj në programet e studimit MND në institucionet publike të arsimit të lartë administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bazë të marrëveshjeve me vendet përkatëse dhe të kërkesave të vetë kandidatëve. Ndërkohë tarifa e shkollimit për studentët e regjistruar në MND në vitin akademik 2009-2010 është 100 000 (një qind mijë) lekë. Sipas kritereve të përcaktuara në vendim studenti i nënshtrohet vetëm një tarife shkollimi, që likuidohet në këste të caktuara nga fakulteti përkatës. Ndërsa studentët që kanë kryer me rezultate të shkëlqyera ciklin pararendës të studimeve nuk e paguajnë tarifën e shkollimit. Përcaktohen kuotat e pranimit dhe tarifat e regjistrimit edhe për ciklin e studimeve “Master i nivelit të dytë” pranë degëve të caktuara në Akademinë e Arteve. Konkretisht janë programet “Për hapjen e programeve të studimeve “Master i nivelit të dytë” në Fakultetin e Muzikës, të Akademisë së Arteve dhe miratimin e kuotave dhe tarifave për këto programe. Kuota e pranimit në programin e studimeve “Master i nivelit të dytë” në interpretim është 40. Dy kuota prej tyre caktohen për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Aktualisht pjesa dërrmuese e fakulteteve publike në vend i kanë çelur aplikimet për ciklin e masterave të nivelit të dytë që janë miratuar mëparë nga qeveria. Strukturat drejtuese të fakulteteve do të përcaktojnë brenda pak ditëve dhe listat me emrat e kandidatëve fitues. Ndërsa për këto të ditës së djeshme do të hapen procedurat e pranimit për kuotat që do të pranohen gjatë këtij vitit akademik sipas programeve.

Barazia gjinore

Politikat për punësimin e grave

Ministria e Punës do t’u japë një rëndësi të veçantë zhvillimit të politikave për punësimin e grave në vend. Lajmi është konfirmuar nga zëvendësministrja e Punës Filloreta Kodra gjatë takimit të zhvilluar me përfaqësinë e shoqërisë civile në fushën e barazisë gjinore. Me kërkesën e përfaqësuesve të shoqërisë civile, zëvendësministrja Kodra vlerësoi se prioritet për të ardhmen në fushën e barazisë gjinore do të jenë hartimi dhe zbatimi i politikave efikase për punësimin e grave si dhe ndërmarrja e iniciativave konkrete për hartimin e statistikave të plota e të sakta gjinore në të gjitha fushat. “Arritjet e deritanishme janë vetëm fillimi në rrugën për realizmin e objektivit të përbashkët. Shqipëria tashmë ka shumë gra të afta, të cilat duhet të marrin vendin që meritojnë në shoqëri”, - ka pohuar Kodra. Gjithashtu gjatë bisedës është diskutuar edhe për procesin e hartimit dhe miratimit të ligjit për barazinë gjinore në shoqëri dhe akteve nënligjore, përfshirjen e kuotave gjinore në të gjitha nivelet, vendosjen për herë të parë të nëpunësve gjinorë në institucionet qendrore dhe vendore etj. Përfaqësuesit e OJF-ve vlerësuan angazhimin e Ministrisë në procesin e përmirësimit të legjislacionit në fushën e barazisë gjinore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›