E Diel, 1 Nëntor 2026

Faza përgatitore (nuk) premton kampionat cilësor

Prishtinë, 13 gusht - Problemet me të cilat janë përballur skuadrat e Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll gjatë fazës përgatitore nuk premtojnë kampionat cilësor. Kështu ka vlerësuar trajneri Fahredin Duraku. Sipas tij, cilësia e kampionatit të Kosovës rrezikon që të jetë më e dobët se në edicionin e kaluar. Edicioni 2010\2011 i Superligës së Kosovës në futboll nis të shtunën (nesër).

"Jam i zhgënjyer me gjendjen e futbollit kosovar në fillim të kampionatit të ri. Kriza financiare me të cilën janë përballur shumica e skuadrave ende pa filluar kampionati nuk jep shpresë për një edicion cilësor. Për ngritje të cilësisë as që bëhet fjalë. Futbolli i Kosovës do të jetë në nivel të njëjtë, por për mendimin tim rrezikon që të jetë edhe më i dobët se edicionin e kaluar", ka thënë Fahredin Duraku. Ai më herët ka drejtuar Trepçën '89 dhe Kosovën e Vushtrrisë, ndërsa tash për tash nuk është i angazhuar në asnjë skuadër. Sipas Durakut, pretendues kryesor për titull do të jenë kampionia në fuqi, Trepça, që ka mbajtur shumicën e futbollistëve nga stinori i kaluar, pastaj Liria dhe Hysi.

Shumica e skuadrave kosovare janë përballur me telashe gjatë verës. Disa prej tyre kanë nisur me vonesë përgatitjet, ndërsa në disa të tjera futbollistët apo edhe trajnerët kanë bojkotuar stërvitjet për shkak të borxheve të trashëguara nga kampionati i kaluar. Me probleme financiare janë përballur edhe klubet më të mëdha në vend, si Prishtina, Trepça, Besa, Hysi, Vëllaznimi e disa të tjera. Asnjë skuadër e Superligës nuk është përgatitur jashtë vendit për ndryshim nga vitet e kaluara, kur shumica "braktisnin" Kosovën.

Edhe trajneri prizrenas, Skënder Shengyli, vlerëson se problemet financiare do të reflektohen në cilësinë e kampionatit.

"Problemet e shfaqura në fazën përgatitore në shumicën e klubeve do të reflektojnë në cilësi. Kjo nuk do të vërehet në fillim, kur lojtarët ende e kanë freskinë, por më vonë, kur shfaqet përgatitja fizike. Në përgjithësi them se cilësia do të jetë e nivelit të përafërt me atë të kampionatit të kaluar", ka thënë Shengyli. Ai së fundi ka drejtuar Prishtinën, ndërsa aktualisht është pa angazhim. Shengyli favorizon tri skuadra në luftë për titull.

"Sipas lëvizjeve të futbollistëve, pres që për titull të luftojnë Trepça, Hysi dhe Prishtina".

Kushtet diktojnë cilësinë
 
As trajneri i Prishtinës Ramiz Krasniqi nuk pret të ketë ndonjë përmirësim në cilësinë e kampionatit të Kosovës.

"Gati të gjitha skuadrat kanë pasur probleme financiare muajt e fundit. Kushtet diktojnë cilësinë, prandaj nuk pritet shumë nga ky kampionat. Asnjë ekip nuk ka shkuar në përgatitje dhe unë pres që cilësia të bjerë. Një prej motiveve kryesore në futboll është ai financiar dhe kur klubet nuk kanë mjete për të motivuar vazhdimisht futbollistët atëherë nuk mund të presim përmirësim në cilësi", ka thënë Krasniqi. "Kam qenë më optimist për këtë kampionat dhe nuk kam pritur që kriza të prekë edhe futbollin kosovar. Por, shumica e njerëzve që kanë investuar në klube janë lodhur pasi nuk janë duke përfituar asgjë dhe nuk kanë asnjë lehtësi nga shteti. Për këtë edhe është krijuar kjo gjendje".

Trajneri i skuadrës së kaltër thotë se për titull do të luftojnë skuadrat që qëndrojnë më mirë financiarisht. Krasniqi nuk ka dashur të përmendë emra.

Kapiteni i Besës së Pejës, Haxhi Zeka, vlerëson se cilësia do të përmirësohet nga mesi i stinorit vjeshtor.

"Shumica e skuadrave kanë nisur me vonesë përgatitjet. Për këtë arsye edhe nuk kanë arritur të përgatiten me kohë për fillim të kampionatit. Pres që në xhirot e para cilësia e ndeshjeve të mos jetë shumë e mirë, por me kalimin e kohës çdo gjë do të vijë në vendin e vet. Lojtarëve u duhet edhe pak kohë për t'u përgatitur si duhet", pohon Zeka. "Në bazë të përforcimeve të bëra për titull do të luftojnë Hysi, Besa dhe dy ekipet mitrovicase, Trepça e Trepça '89. Mendoj se favoriti kryesor do të jetë Hysi".

Osmani pret rivalitet të madh

Ndryshe mendon kapiteni i Trepçës, Elvis Osmani. Ai thotë se cilësia dhe shikueshmëria do të jenë në nivel të njëjtë me edicionin e kaluar. Osmani kampionatin e kaluar udhëhoqi Trepçën drejt titullit të parë pas 17 vitesh.

"Cilësia e futbollit kosovar, por edhe shikueshmëria nuk do të bjerë. Janë gjashtë skuadra cilësore që garantojnë zhvillimin e një kampionati cilësor, prandaj them se cilësia do të ngrihet pak. Ndryshimi i këtyre gjashtë skuadrave me gjashtë skuadrat e tjera nuk është i madh. Për këtë ndeshje cilësore dhe interesante do të ketë deri në fund", ka thënë Osmani. Ai të dielën shënoi një gol në fitoren 2:0 të Trepçës kundër Lirisë në ndeshjen e Superkupës.

"Kandidat për titull këtë edicion janë shumë skuadra. Prishtina si gjithnjë është kandidate për titull. Titullin do ta kërkojnë edhe Hysi, Besa, Liria dhe natyrisht Trepça".

Drejtuesit e FFK-së kanë thënë se kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillim të mbarë të kampionatit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›