E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazliç shpëton nga prangat për një qime

U largua nga Shqipëria me çarterin e tij, pak minuta para se prokuroria të firmoste urdhër-ndalimin

TIRANË - Pas ndalimit në Bosnje, Damir Fazliç mund të kishte provuar për herë të dytë prangat, por këtë radhë në Shqipëri. Prokuroria e cila regjistroi zyrtarisht edhe procedimin penal ndaj biznesmenit, që dyshohet për pastrim parash, tentoi të ndalojë në Rinas Damir Fazliçin, i cili ditën e djeshme bëri një vizitë të papritur në Shqipëri. Burime të afërta me kryeprokuroren thanë se pasditen e djeshme, në Prokurorinë e Përgjithshëm është diskutuar mundësia e ndalimit të Damir Fazliçit në aeroportin e Rinasit. Gjithçka mbeti në tentativë, pasi organi i akuzës nuk arriti të nxjerrë në kohë urdhrin që do të legjitimonte ndalimin e boshnjakut Fazliç, i cili njihet edhe si mik me kryeministrin e vendit. Burimet sqaruan se Fazliç u shpëtoi prangave shqiptare për çështje kohë, pasi vizita e tij në Shqipëri nuk ishte paralajmëruar dhe për këtë arsye, organi i akuzës nuk arriti të koordinojë veprimet, të cilat mund të ishin finalizuar me ndalimin e mikut të kryeministrit. Gjithçka është zhvilluar në një hark kohor tepër të shkurtër, pasi Fazliç sapo përfundoi intervistën në një media pranë qeverisë, është nisur menjëherë drejt aeroportit ndërkombëtar të Rinasit “Nënë Tereza”, ku e priste çarteri i tij. Prokurori tha se për vizitën e biznesmenit të akuzuar nga mediat shqiptare për afera korruptive me linjën e bizneseve fantazmë është njohur vetëm pas mbërritjes së tij. Menjëherë pas këtij informacioni, organi i akuzës ka zyrtarizuar nisjen e hetimeve, duke regjistruar zyrtarisht procedimin penal, edhe pse një vendim i tillë ishte marrë dy ditë më parë. Menjëherë pas formalizimit të hetimit, prokuroria është vënë në lëvizje për mundësinë e ndalimit të Fazliçit. Një gjë e tillë është reflektuar edhe nga presioni dhe tendosja e organit të akuzës ditën e djeshme, e cila ka dështuar me sukses në ndalimin e boshnjakut. Nuk është çudi që prokuroria të jetë tërhequr në momentin e fundit, ndoshta për të mos ashpërsuar më tej konfliktin mes saj dhe qeverisë, pasi vetë kryeministri deklaroi në parlament se mund ta sjellë Fazliçin në Tiranë, madje edhe në sallën e ligjvënësve. Përtej kësaj hipoteze, ajo që duket dhe u pa qartë nga të gjithë, ishte fakti se Damir Fazliç, mik i kryeministrit, i akuzuar për pastrim parash, erdhi me çarterin e tij në Tiranë rreth orës 11:00, dha intervistën në një media të deklaruar pro qeverisë, dhe iku i pashqetësuar nga askush me çarterin e tij privat. Madje jo vetëm kaq, por Fazliç gjatë rrugës drejt aeroportit u shoqërua edhe nga oficerë të Policisë së Shtetit, edhe pse vizita e tij në Shqipëri nuk përfaqësonte asgjë, thjesht vërtetoi faktin se është mik i kryeministrit dhe mund të sfidojë këdo, madje edhe drejtësinë.

   Procedimi penal ishte vendosur dy ditë më parë

Pak momente para largimit të Damir Fazliç, Prokuroria e Tiranës formalizoi nisjen e hetimeve për boshnjakun, vendim i cili ishte marrë dy ditë më parë. Procedimi penal ndaj biznesmenit që dyshohet se nëpërmjet firmave fantazmë ka kryer pastrim parash në Shqipëri, është regjistruar pasi një grup ekspertësh verifikoi për afro pesë ditë të dhënat e publikuara nga mediat shqiptare. Mësohet se organi i akuzës ka sekuestruar në cilësinë e provave të gjithë dokumentet e bizneseve të Fazliçit që ndodhen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, dhe praktikat tatimore. Nga verifikimi paraprake rezulton se në transaksionet e realizuara nëpërmjet firmave të Fazliçit ka parregullsi. Mësohet se vëmendja e prokurorisë është përqendruar mbi shitjen e firmës “Crown Acquisitions” te kompania qipriote “Altaria Research LTD”. Më 20 qershor të vitit të shkruar, dy firmat nënshkruajnë kontratën e shitblerjes, vera e së cilës ishte 1 milion e 700 mijë euro, të cilat u depozituan në emër të biznesmenit boshnjak. Gjithë skema e shitjes, që nga pikëpamja ligjore rezulton e rregullt, u rrëzua ditën e djeshme nga ish-administratori i firmës “Crown Acquisitions”, njëherësh dhe kunati i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Erion Isufi tha se gjatë kohës që firma administrohej prej tij, nuk ka kryer asnjë aktivitet tregtar, duke e bërë tepër të dyshimtë arsyen e shitjes në këtë vlerë të konsiderueshme.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›