E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë mes bananeve

Operacioni Fillimi bllokon 296 kg marihuanë me destinacion Greqinë. Transportuesi tha se nuk e dinte që në automjetin e tij ndodhej drogë

PËRMET - Kush nuk e ka menduar që edhe në disa arka me banane mund të transportohet drogë e ka gabim, pasi në të tilla kushte policia e Gjirokastrës mundi të sekuestrojë dje plot 296 kg marihuanë dhe të arrestojë transportuesin e saj 40-vjeçar. Falë operacionit policor të koduar “Fillimi”, blutë e Gjirokastrës bllokuan në një automjet në rrethin e Përmetit, i cili udhëtonte në drejtim të vijës kufitare me Greqinë, 296 kg marihuanë, ndërkohë që kanë ndaluar shoferin e makinës, Petrit Telharajn, 40 vjeç, banues në lagjen nr. 4 në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, specialistët edhe agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në drejtorinë e policisë së këtij qarku, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për një mjet i cili mund të transportonte lëndë narkotike nga Gjirokastra në drejtim të Përmetit, në orët e mbrëmjes të së martës kanë nisur operacionin policor të koduar “Fillimi”. “Qëllimi i operacionit ka qenë bllokimi i mjetit të dyshuar se mund të transportonte lëndë narkotike, si dhe identifikimi dhe vendosja përpara përgjegjësisë ligjore e personave që mund të ishin përfshirë në këtë rrjet të trafikut të lëndëve narkotike”, thonë burimet policore pjesëmarrëse në këtë operacion. Pas një pune të mirëorganizuar të efektivëve të policisë, rreth orës 22:00 të së martës, në vendin e quajtur “Ura e Dragotit” në Përmet, forcat policore bërë të mundur kapjen në flagrancë të 40-vjeçarit Petrit Telharaj, si dhe bllokimin e mjetit me të cilin ai udhëtonte. 40-vjeçari Telharaj në momentin që është ndaluar nga postblloku i policisë udhëtonte nga Gjirokastra për në drejtim të Përmetit, me automjetin e tij furgon tip “Benz”, me targë TR 5937 B”. Pasi kanë ndaluar furgonin, i cili po transportonte një ngarkesë me banane, efektivët e policisë kanë nisur kontrollin e imtësishëm të tij. Gjatë kontrollit në brendësi të furgonit u gjetën të mbuluara me arka bananesh 8 çanta shpine ngjyrë të zezë, të cilat kishin brenda tyre lëndë narkotike të presuar të llojit marihuanë. “Nga këqyrja që iu bë çantave, rezultoi se në to ndodheshin nga 296 pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban, me peshë 1 kilogram secila, të dyshuara si marihuanë”, thonë burime nga grupi hetimor. Pas zbulimit të ngarkesës me lëndë narkotike, është shoqëruar për në mjediset e policisë lokale drejtuesi i furgonit. Gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, ai ka pohuar se nuk ka pasur dijeni në lidhje me ngarkesën e marihuanës. Ndërkohë, sipas hetimeve të para, ngarkesa prej 296 kg marihuanë ka pasur si destinacion vijën e gjelbër të kufirit me shtetin grek, në zonën e Përmetit. Mbi bazën e provave të mbledhura, policia ka bërë arrestimin në flagrancë të Telharajt për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike”, si dhe sekuestrimin e mjetit dhe të lëndës narkotike në cilësinë e provës materiale. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, në bashkëpunim me organet e hetimit po punohet për zbardhjen e plotë të kësaj vepre penale  dhe për ndalimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë përfshirë në këtë rrjet të trafikimit të lëndëve narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›