E Diel, 1 Nëntor 2026

Fazliç vjen në Tiranë, por ikën me dosje penale

Dy orë pasi është larguar
me avionin e tij, të porositur
enkas për një
intervistë në Tiranë,
çarter, Prokuroria e Përgjithshme
Shqiptare konfirmon se ndaj biznesmenit
serbo-boshnjak, Damir
Fazliç, është regjistruar një procedim
penal në Prokurorinë e Tiranës,
pas akuzave mediatike dhe
të opozitës. Zëdhënësja e organit
qendror të akuzës, Holta Zhiti,
konfirmoi dje, pasdite, në orën
18:00 se ndaj tij është regjistruar
një dosje dhe kanë filluar verifikimet
për mbledhjen e informacioneve
nga institucionet që kanë
dijeni. Autorizimi i zëdhënëses për
këtë deklaratë, ishte vetëm për
publikimin e faktit të fillimit të
hetimeve, ndërsa detajet e tjera të
dosjes i takojnë Prokurorisë së Tiranës,
e cila nuk ka autorizuar asnjë
prokuror apo hetues për pyetjen
e Fazliç, gjatë kohës që qëndroi në
Tiranë. Por ngushëllimi i vetëm për
hetuesit të hutuar nga vizita
"bombë" mbetet deklarata e Fazliç
në një emision televiziv, ku pohoi
se është i gatshëm të paraqitet në
organin shqiptar të akuzës, sapo
kjo e fundit të kërkojë këtë gjë.
Regjistrimi i dosjes
Në të njëjtën kohë që i gjithë
opinioni publik po ndiqte lëvizjet
enigmatike të biznesmenit Damir
Fazliç në Shqipëri, Prokuroria e Tiranës
po nxitonte të regjistronte
një procedim penal pas thirrjeve
politike dhe mediatike se personi
në fjalë është një "supertrafikant".
E ndodhur përballë kësaj situate,
në cilësinë e provës materiale organi
i akuzës ka sekuestruar disa
shkrime të botuara në median e
shkruar, si dhe disa deklarata publike
nga politikanët të opozitës.
Madje, janë sekuestruar edhe
pamje filmike apo dokumente të
publikuara që hedhin dritë mbi
mundësinë që Damir Fazliç ka pastruar
miliona euro në Shqipëri,
duke shitur disa kompani private
në pronësi të tij drejt disa firmave
fantazmë në shtetin e Qipros. Por,
për hetimin e të gjitha informacioneve,
prokurorët, megjithëse
kanë konstatuar disa elementë të
veprës penale, do të shkojnë në
Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve
në Tiranë për të sekuestruar
të gjithë dokumentet e aktiviteteve
që janë në emër të Damir
Fazliç. Hetuesit deklarojnë se kjo
procedurë duhet të zgjasë disa
muaj. Duke iu kundërpërgjigjur
medias dhe politikës, zyrtarë të
Prokurorisë së Tiranës thanë dje se
nuk kanë asnjë tagër për të marrë
në pyetje shtetasin boshnjak,
Damir Fazliç, pasi personi në fjalë
nuk është marrë i pandehur. Ata
thanë se ai mund të merret në pyetje
vullnetarisht. Nëse nuk pranon
të dëshmojë në këtë status, si
person që ka dijeni mbi ngjarjen,
prokuroria tha se ndihet e pafuqishme
t‘i dërgojë fletë-thirrje.
Bazuar në deklaratat publike të
vetë Fazliç, thirrja e tij në organin e
akuzës duket shumë e largët, pasi
nga koha e regjistrimit të procedimit
penal e deri te marrja e tij e
pandehur, procedura mund të zgjasë
disa muaj. Por, hetuesit thonë
se, nëse nuk ka prova që e implikojnë
në afera të dyshimta Fazliç,
dosja mund të pushohet.
Gjithsesi, të dyshimta janë veprimet
e pasdites së djeshme, kur
vetëm tri orë pasi ai u largua nga
Shqipëria, prokuroria deklaroi
publikisht nisjen e procedimit penal
ndaj tij. Neglizhenca është më
e pakta në këtë rast.
Akuzat
Biznesmeni serbo-boshnjak,
Fazliç, pritet të akuzohet për shantazh
financiar dhe kryerjen e një
serë veprimesh të paligjshme në
vendin tonë. Prezenca e tij në Tiranë
vjen në një moment kur politika
e ka kthyer ndalimin e tij në
çështje dite, duke akuzuar drejtpërdrejt
Kryeministrin e vendit,
Sali Berisha, si të implikuar familjarisht
në çështje korruptive.
Ndërkaq, ai ka deklaruar se është
i gatshëm të paraqitet në Prokurori
sapo kjo e fundit të dërgojë fletëthirrje
ndaj tij në çdo vend të botës
të jetë. Fazliç ka deklaruar në Tiranë,
se pasuria e tij është 50 milionë
euro, si dhe ka rrëfyer për
raportet me Kryeministrin Berisha
dhe ministrin e Jashtëm, Lulzim
Basha, ndërkohë që ky i fundit
është akuzuar nga opozita se ka
favorizuar ngritjen e bizneseve të
Fazliç në kohën kur drejtonte Ministrinë
e Transporteve dhe kur ishte
në krye të KOP.

Fazliç, i pashqetësuar në Tiranë

Njeriu më i përfolur i ditëve të
fundit, Damir Fazliç mbërriti
dje në Tiranë. Ai erdhi
rreth mesditës, me një avion çarter.
Vetëm pas pak orësh qëndrimi, sa
për të dhënë një intervistë
televizive, ai është larguar me avionin
e tij. Ardhja e Fazliç në Tiranë
përkoi me kulmin e akuzave për
afera korruptive dhe shitje fiktive të
kompanive, ku, sipas dokumenteve
zyrtare, janë të përfshirë zyrtarë
të lartë të shtetit shqiptar. Sipas burimeve,
Fazliç nuk është thirrur nga
prokuroria, por nga një televizion
privat. Serbo-boshnjaku është shoqëruar
edhe nga oficerë të Komisariatit
të Rinasit, gjatë rrugëtimit të tij
disa orësh nga Rinasi në Tiranë dhe
anasjelltas.
Mbërritja
Njeriu i vënë në akuza të forta nga
media dhe opozita për krijime biznesesh
fantazmë, të cilat dyshohen se
pastrojnë para, erdhi në mes të ditës
me diell në Tiranë dhe nuk u ndalua
nga askush, nga asnjë prokuror apo
polic. Shtypi serioz vendas hodhi
këto ditë dritë mbi veprime shumë
të dyshimta të Fazliç, ku më e pakta
është evazioni fiskal në dëm të shtetit
shqiptar në një shumë prej 170
mijë euro dhe ku më seriozja, që
meriton një hetim radikal, është
akuza për pastrim parash në bashkëpunim
me zyrtarë të lartë të qeverisë
aktuale. Përkundrazi, Fazliç erdhi
me destinacion studion televizive të
një media private, dha një intervistë
dhe prej andej iku nga kishte ardhur,
duke iu drejtuar aeroportit "Nënë
Tereza", ku e priste çarteri i tij.
Largimi
Burime të policisë thanë se Fazliç
u shoqërua në Rinas nga oficerë të
Komisariatit të Rinasit. Biznesmeni
serbo-boshnjak ka shmangur mediat
dhe pyetjet e gazetarëve, të cilët
ndodheshin në pritje të tij. Fazliç është
nisur menjëherë në Rinas, duke
mos u takuar me asnjë gazetarë apo
zyrtar tjetër në vend. Madje, sapo ai
ka dalë nga intervista në televizion,
ka shfrytëzuar daljet e pasme të redaksisë
për të ikur. Me një fuoristradë,
me targë TR9560L, është larguar
drejt Rinasit dhe mendohet se
gjatë rrugës ka ndryshuar makinë,
me qëllim që t‘u shmanget mediave
vendase. Prezenca e Damir Fazliç
në Tiranë vjen në një moment kur
politika është përfshirë në një debat
të thellë mbi njeriun misterioz, i përfolur
për lidhje biznesesh dhe interesash
të dyshimta në Shqipëri me
njerëz shumë pranë Kryeministrit
dhe ministrin Basha.

Maksim Haxhia: Shitja e "Crown Acqiustions" konform ligjit

Vetëm një ditë pas deklaratës së Erion Isufit se ka qenë administrator
i kompanisë "Crown Acqiustions" dhe jo ortak
me biznesmenin serbo-boshnjak, Damir Fazliç, ka ardhur
edhe verifikimi nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve të Shqipërisë
në lidhje me ligjshmërinë e kësaj kompanie. Sipas kryetarit Maksim
Haxhia të Dhomës Kombëtare e Avokatëve, theksohet se praktika
ligjore e shitjes së kuotave "Crown Acqiustions" është bërë
konform kërkesave ligjore në fuqi si në aspektin formal të dokumenteve
të plotësuara, ashtu edhe në përmbajtje. Të gjitha veprimet
e kryera nga avokatja Flutura Kola, në zbatim të prokurës së
lëshuar nga klienti i saj janë në përputhje me ligjin. Dhoma e Avokatëve
ngritur me shqetësim edhe sulmet e ngritura ndaj avokatëve,
të cilët, sipas saj, veprojnë vetëm konform ligjit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›