E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gates: Vendet e Evropës Juglindore ta njohin Kosovën

Sekretari amerikan i Mbrojtjes,
Robert Gates, ka kërkuar nga
ministrat e mbrojtjes të vendeve
të Evropës Juglindore që ta njohin
sa më parë pavarësinë e Kosovës.
Ka vetëm një rrugë drejt anëtarësimit
në NATO, e kjo është pajtueshmëria
e njëzëshme e të
gjithë anëtarëve të Aleancës, ka
thënë Gates. Sekretari amerikan i
Mbrojtjes, Robert Gates, në
takimin e Ohrit i porositi ministrat
e Mbrojtjes të vendeve të Evropës
Juglindore, posaçërisht Maqedoninë,
që sa më shpejt ta nxjerrin
vendimin për njohjen e pavarësisë
së Kosovës. Njohja e Republikës
së Kosovës ka qenë edhe
temë kryesore në takimet bilaterale
që pati Gates me ministrat e
Mbrojtjes të vendeve të rajonit.
Ministri maqedonas i Mbrojtjes,
Zoran Konjanovski, i pyetur lidhur
me mosnjohjen e deritanishme të
Kosovës, nënvizoi se Maqedonia,
lidhur me këtë çështje, do të ketë
parasysh interesat kombëtare, por
do të sillet edhe në mënyrë të
përgjegjshme për çështjet që
ndikojnë në përmirësimin e sigurisë
së përgjithshme në rajonin
e Ballkanit. Në një konference me
gazetarë qe pati sekretari Gates, në
Ohër, ka thënë se "ka vetëm një
rrugë drejt anëtarësimit në NATO,
e kjo është pajtueshmëria e
njëzëshme e të gjithë anëtarëve të
Aleancës". Ai falënderoi vendet
anëtare të SEDM-së për participimin
e tyre në misionet paqësore.
Me këtë rast, theksoi se situata në
Irak është duke u përmirësuar dhe
u bëri thirrje vendeve që të mendojnë
për dërgimin e misionit
ushtarak në Afganistan, ku armata e atjeshme ka nevojë për stërvitës.
Në takimin e Ohrit ishin të
pranishme 16 vendet anëtare të
SEDM-it: Shqipëria, SHBA, Turqia,
Italia, Greqia, Rumania, Bullgaria,
Kroacia, Sllovenia, Maqedonia,
Ukraina, Bosnja e Hercegovina,
si dhe në cilësinë e vëzhguesit
Mali i Zi, Serbia, Gjeorgjia
dhe Moldavia. Takimi i ministrave
anëtarë të procesit të SEDM-së
përfundoi me miratimin e një deklarate
të përbashkët për forcimin
e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit
politiko-ushtarak, në
drejtim të ngritjes së sigurisë dhe
stabilitetit rajonal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›