E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha takohet me kancelaren gjermane, Anxhela Merkel

Kryeministri Berisha u takua dje me Kancelaren gjermane, Anxhela Merkel, duke mbajtur edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kancelarja Merkel theksoi se tashmë Shqipëria po korr frutet e reformave që ka ndërmarrë. "Unë besoj se Kryeministri Berisha po ndjek një kurs të guximshëm reformash në luftën kundër korrupsionit dhe për suksesin në ekonomi. Ne po krijojmë një bazë të qëndrueshme bashkëpunimi dhe Gjermania do ta ndihmojë Shqipërinë atje ku të ketë mundësi", u shpreh Merkel gjatë takimit. Duke falënderuar Gjermaninë për kontributin financiar që ka dhënë për Shqipërinë, Berisha theksoi se "sot vendi ynë ka ndryshuar. Ai nuk i përket më grupit të vendeve me të ardhura të ulëta". Berisha shtoi se janë bërë ndryshime kushtetuese dhe me opozitën po punohet për një Kod Zgjedhor të ri. "Kemi vendosur norma dhe rregulla të reja në ekonominë e tregut, të cilat e bëjnë atë më funksionale. Kemi vendosur standarde të reja në luftën kundër korrupsionit", tha ai. Kryeministri shtoi se në Shqipëri ekziston një klimë shumë e favorshme për investimet e huaja dhe ka një përpjekje të madhe për ripërtëritjen e infrastrukturës. "Shqipëria ka potenciale shumë të mëdha ujore. Janë rreth 400 hidrocentrale për t`u ndërtuar. Shqipëria ka potenciale të mëdha minerare si krom, nikel dhe bakër. Shqipëria ka një potencial të madh turistik për t`u zhvilluar dhe tani ekziston një kuadër ligjor dhe një klimë miqësore ndaj biznesit", tha Berisha. Kryeministri dhe kancelarja Merkel kanë diskutuar edhe për situatën në rajon. "Dua të theksoj se Gjermania ka qenë një kontribuuese kryesore në paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë konfliktual, i cili ka hapur një kapitull të ri paqeje, stabiliteti dhe integrimi", tha Berisha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›