E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazlliç: Argita, avokatja ime në Tiranë

Biznesmeni i njohur si “sekseri” i Ballkanit, në një rrëfim kontradiktor për biznesin e tij në Tiranë dhe lidhjet me politikën

“Kam miq Berishën, Bashën, Fatmir Mediun e Argita Malltezin. Telefonova Berishën, pas shoqërimit në Bosnje“

"Kompaninë 1.7 mln euro ia shita vetvetes" TIRANË- Damir Fazlliç, i njohur si “sekseri” i Ballkanit apo i akuzuar për lidhje të errëta mafioze në vendet e ish-Jugosllavisë pranon si pa të keq miqësitë me Sali Berishën, Lulzim Bashën, vajzën e kryeministrit, Argita Malltezi dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në intervistën e dhënë për gazetarin Blendi Fevziu, i shumëdiskutuari Fazlliç ka pohuar me plot gojën se Argita Malltezi është avokatja e biznesit të tij në Shqipëri, duke u rrekur megjithatë të bindë të pabesueshmen: se kjo lidhje nuk e ka favorizuar atë. Pas vizitës- show në Tiranë, kontraversi Fazlliç ka habitur edhe me të tjera pohime: se kompaninë e administruar nga kunati i Bashës ia ka shitur për 1.7 milionë euro vetvetes, se nuk ka kryer aktivitet real në Shqipëri, por zotëron 50 milionë euro pasuri, se e njeh kreun e RUDNAP, por nuk ka lobuar për marrëveshjen me qeverinë “Berisha”, se e njeh Oriç, por shoqërimi i tij në Sarajevë nuk ka lidhje me të apo se e ka mik Mediun, por nuk di asgjë për trafikun e armëve.

Do doja t’ju pyesja duke huazuar një shprehje të famshme të një filmi në shqip: Cili jeni ju zoti Sorge? Pra cili jeni ju zoti Fazlliç?

Jam prind krenar i Harris Fazliç, djalit tim të mrekullueshëm 2 vjeç e gjysmë.

Me çfarë biznesi merreni?

Jam investitor, kam disa kompani.

Në çfarë investoni?

Unë investoj, unë kërkoj për mundësi investimi në fusha që kanë leverdi fitimi dhe nuk jam i kufizuar gjeografikisht. Për shkak të së shkuarës sime, kam kuptuar që mund të investoj më shpejt se një biznesmen normal amerikan që nuk kupton kulturën dhe historinë e Evropës Lindore. Unë kam kuptuar qëmund të investoj më shpejt dhe të reagoj më shpejt në Evropën Lindore.

Këto biznese përqendrohen në?

Kryesisht në pasuri të patundshme dhe energji.

Në çfarë vendesh në Evropën Lindore?

Ndoshta unë kam shumicën e investimeve në Bosnjë dhe Shqipëri.

Në Shqipëri ju keni vetëm 4 kompani, zoti Fazlliç me një total prej 4 mijë dollarësh?

Po. Një nga kompanitë e mia dhe kam mësuar se ka patur shumë keqkuptime rreth kësaj kompanie, është “Croun Acquisition”, e cila është ende në pronësinë time. Kjo kompani iu shit ligjërisht për 1,7 milionë euro një kompanie qipriote të quajtur “Altaria Research Ltd”, e cila gjithashtu është në pronësinë time. Unë kam investuar në Shqipëri në fushën e pasurive të patundshme ende të pashfrytëzuara. Kur bleva këto pasuri të patundshme në Shqipëri, i kam blerë nën kompaninë “Croun Acquisitions”, në pronësi të Damir Fazlliçit. Tani që po synoj zhvillimin e kësaj pasurie të patundur, kam nevojë për burimet që kam në kompaninë time qipriote për të menaxhuar investimet e ardhshme në Shqipëri.

Pse?

Sepse kam njerëz që janë punësuar atje, kam njerëz që menaxhojnë investimet e mia të ardhshme në botë që drejtohen nga kompania në Qipro. Kështu që sa të fillojmë investimin fizik, rigjallërimin e pasurisë së patundshme që kemi blerë, për ta vënë atë në shfrytëzim ne do të kemi njërëzit që do të punojnë në Tiranë, që do të menaxhojnë këto investime. Tani për tani, këta janë nën kompaninë time qipriote për shkak se do na duhet ta zhvillojmë këtë tokë.

Zoti Fazlliç, ju ia keni shitur kompaninë tuaj, vetvetes. Ky është pastrim i pastër parash apo jo?

Absolutisht jo. Le të kthehem edhe njëherë e të ta shpjegoj se si ndodhi me 1, 7 milionë euro..

Për një kompani që ka 4 mijë dollarë kapital?

Jo, të ftoj ty dhe çdo gazetar tjetër të shkojë në zyrën e tatimeve dhe të shohë se çfarë zotëron kjo kompani në pasuri të patundshme. E bëra vetë. I kërkova dikujt që të shkojë fizikisht në zyrën e taksave dhe të kërkojë bilancin. Do ta shihni se bilanci i kësaj kompanie reflekton saktësisht 1,7 milionë euro shumë për të cilën u shit tek kompania mëmë, me qëllim zhvillimin e tokës. Kur ta shes këtë kompani, Croun Acquisition, dikur në të ardhmen, nëse planet që kam ndërtuar shkojnë mirë dhe nuk kam arsye për të dyshuar, do ta shes, le të shpresojmë, për shumë më tepër para. Dhe atëhere do të jem në gjendje t’i paguaj shtetit taksën për diferencën. Pra…

Cila është pasuria juaj në Shqipëri?

Shpresoj që bizneset e mia në Shqipëri të vlerësohen në më shumë së 50 milionë euro. Veçanërisht në pasuri të patundshme. Mbasi të zhvillohet shpresoj se do të ketë një vlerë më të lartë.

Jeni ndihmuar nga administrata shqiptare dhe kryeministri i Shqipërisë në këtë pasuri zoti Fazlliç?

Ndihmuar? Besoj se administrata dhe qeveria shqiptare ndihmon çdo investitor të huaj që vjen këtu me…

Ju jeni shumë i përfshirë në politikë, jo drejtpërsëdrejti, por ndoshta indirekt.

Pyetja ime është saktësisht ajo. Pse vendosët të investoni në Shqipëri mbas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike më 2005 e jo më parë?

Kam përgjigje fare të qartë. Së pari sepse besoj se qeveria e re filloi të promovonte ligjet e duhura për të nxitur investimet e huaja. Së dyti, biznesi sikurse edhe politika është i gjithi perceptim. Perceptimi në Europën Perendimore dhe në Shtetet e Bashkuara për qeverinë tuaj të mëparshme ishte: korrupsion.

Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?

Në fund të 2004.

Me kompaninë BG&R?

Jo. Erdha për të parë mundësi të ndryshme investimi. Siç thashë, kompanitë e mia kanë bërë biznes në këtë rajon, kompanitë e mia private. Erdha në Shqipëri për të parë mundësi të ndryshme të pasurive të paluajtshme.

Ju i hapët kompanitë tuaja në Shqipëri më shtator 2005. Në të njëjtën kohë kur Berisha u bë kryeminisitër.

Si e kuptuat në 2 muaj, nga 3 korrik kur Berisha fitoi zgjedhjet deri në shtator, se qeveria e Berishës nuk ishte e korruptuar?

Më lër t’i përgjigjem kësaj duke bërë pak histori. Më 2004 unë u takova me zotin Berisha….

Do ju pyes më vonë për këtë. Por Zoti Fazlliç çfarë ndodhi në Sarajevë të shtunën mbasdite?

Le t’i saktësojmë datat dhe e kuptoj se çfarë do të thuash tani. Ndodhi të enjten, jo të shtunën. Të premten isha në Londër, të dielën isha në Londër. Të enjten gjatë ditës po haja drekë me disa miq në një restorant në Sarajevë. Gjysmë ore pasi kishim filluar drekën. Është një restorant i vjetër tradicional, kur shkoj në Sarajevë më pëlqen të shkoj në një restorant të vogël tradicional ku shërbejnë ushqim boshnjak. Pra unë shkova atje për drekë me miq të mi dhe gjysëm ore mbasi kemi filluar drekën një person që ishte ulur në tavolinën ngjitur me ne u arrestua. Ishte një skenë si ato të filmave, kur ata erdhën, forcat speciale, nuk e kam idenë kush ishin.

Me fytyra të mbuluara?

Po. Arrestuan personin, e nxorrën atë jashtë restorantit dhe na kërkuan ne të qëndronim aty sepse duhet të jepnim dëshmi. Më vonë morëm vesh që personi ishte arrestuar për shantazh financiar dhe policia donte të na pyeste nëse kishim parë njeri të hynte brenda, të dilte jashtë, që kishte dhënë para apo çfarë ndodhi. Kështu që na mbajtën atje për 1 orë. Dolëm jashtë. Shkuam në rajonin më të afërt të policisë dhe dhamë dëshminë tonë. Një orë më pas ne ishim në rrugë.

U arrestuat, apo u ndaluat?

Thjesht dhamë një dëshmi!

Ky burrë ishte zoti Oric?

Po.

A e njihni zotin Oric?

Po e njoh. Çdo njeri në Bosnje e njeh zotin Oric.

Zoti Fazlliç, për herë të parë po dëgjoj që nëse jeni në një tavolinë ngjitur me një djalë që po arrestohet ju shkoni në rajonin e policisë?

Unë kam parë shumë gjëra për herë të parë në Ballkan.

Zoti Berisha tha në Parlament, 3 ditë më parë, që aimund t’u sjellë ose… ai tha që unë mund ta sjell zotin Fazlliç këtu për të folur me ju…

Oh, do të më pëlqente shumë kjo.

Pas incidentit në Sarajevë, po e quaj incident, a keni folur me zotin Berisha?

Kam folur me atë një herë.

Dhe për çfarë folët?

I telefonova për ta pyetur çfarë është gjithë kjo gjë që po ndodh në Shqipëri. Ai qeshi e më tha është denigrim politik e më pyeti si është familja ime.

Do të doja t’ju pyesja tani cilat janë lidhjet tuaja me kompaninë amerikane BG&R?

“Barbër, Grifith and Roxhërs”, është votuar për 5-6 vjet rrjesht si firma kryesore lobiste republikane. Siç ju thashë, unë jam republikan i shpallur publikisht. Pronari i Barbër, Grifith and Roxhërs, Ed Roxhërs është një mik i dashur i imi. Dhe kjo është e vetmja lidhje që unë kam me BGR. Unë nuk kam punuar kurrë për BGR. Nuk kam qënë kurrë konsulent për BGR dhe s’kam qënë asnjëherë, si i thonë asaj fjalës së bukur në shqip, ndërmjetës për BGR.

Nuk ishit ju ndërmjetësi për ardhjen e BGR në Shqipëri?

A isha unë ndërmjetësi për ardhjen e BGR? Jo. BGR u kontraktua nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Partia Demokratike më pati pyetur mua se cila mund të ishte firma më e mirë që mund t’i ndihmonte ata në promovimin e mesazhit të tyre dhe po, mes të tjerave u thashë BGR.

Pse një biznesmen si ju, me shumë biznese dhe shumë gjëra për të bërë, lë çdo gjë më 2005 dhe qëndron në Shqipëri për zgjedhjet?

Jo nuk i lashë.

Një biznesmen që lë gjithçka për të ndihmuar Partinë Demokratike në Shqipëri?

Së pari, unë besoja në atë kohë që kjo Parti e drejtuar nga Zoti Berisha do ta ndryshonte vendin në mënyrë të ndjeshme e përsëri e besoj se kjo ndodhi.

A keni përfituar nga kontrata e BGR me Partinë Demokratike?

Jo, absolutisht jo!

Po atëherë, pse një biznesmen si ju, me shumë biznese dhe shumë gjëra për të bërë, lë çdo gjë më 2005 dhe qëndron në Shqipëri për zgjedhjet?

Jo nuk i lashë.

Ju ishit shumë i pranishëm në Shqipëri?

Isha në Shqipëri gjatë 3 muajve të verës para zgjedhjeve, kohë kur shumica e punëve bien në qetësi. Isha i kënaqur që të isha i mundur përmes ndihmës së çdo lloji, ndihmës intelektuale të çdo lloji.

Një biznesmen që lë gjithçka për të ndihmuar Partinë Demokratike në Shqipëri?

Së pari, unë besoja në atë kohë që kjo Parti e drejtuar nga Zoti Berisha do ta ndryshonte vendin në mënyrë të ndjeshme e përsëri e besoj se kjo ndodhi.

Ju jeni një biznesmen, pse kujdeseshit për këtë gjë?

Po vij tek kjo pikë. Në vitin 2004 siç ju thashë e takova Zotin Berisha. Më pëlqyen idetë e tij, më pëlqeu ai si njeri, dëshiroja ta ndihmoja atë si njeri dhe të ndihmoja Partinë Demokratike që të vinte në pushtet dhe të fillonte të realizonte gjërat në mënyrën e duhur që ky vend të hapej. Nuk kishte shumë mundësi në rajon. Nëse ky vend do hapej më 2005, siç edhe ndodhi, atëherë do të kishte më shumë mundësi ku të investohej. E përsëris unë nuk i lashë kompanitë e mia dhe erdha për të jetuar në Shqipëri. Jo, nuk e kam bërë këtë.

A e keni ndihmuar Partinë Demokratike me ide apo me para?

Me ide. Ndonjëherë idetë janë shumë më të rëndësishme sesa paratë.

Zoti Fazlliç, cilat ishin idetë tuaja për Partinë Demokratike?

Oh, kaq shumë. Ishte ndryshimi. Ne e sollëm parullën “Ndryshim” më përpara se Barak Obama. Kjo ishte një nga idetë. Më lër të them dicka tjetër. Unë kam marrë pjesë në 11 fushata elektoralepërmes biznesit tim të konsulencës politike. Ne Bosnjë, në Serbi, në Mal të Zi, në Kroaci dhe në Kongo.

Zoti Fazlliç, ju thatë se zoti Basha ishte mik i juaji…

Është, është.

Është shok i mirë. Por pse kunati i tij, zoti Isufi ishte administrator i katër kompanive që ju keni në Shqipëri?

Unë bëj biznes bazuar mbi besimin. Një pjesë e madhe e biznesit tim është e bazuar mbi besimin. E takova Erionin më 2005-n dhe i kërkova….

Përmes zotit Basha?

Nuk e mbaj mend. A e takova përmes zotit Basha? Natyrisht. Direkt apo indirekt nuk di. Por ai është një djalë i ri shumë i zoti dhe i zgjuar. I kërkova nëse mund të më ndihmonte me disa nga bizneset. Ai më ndihmoi. Punuam së bashku. Ai nuk qe asnjëherë partner në biznes. Ai ishte administrator i një kompanie. U përpoqëm të bënim disa gjëra me atë kompani, por mori më shumë seç e kisha menduar në fillim.

Zoti Fazlliç, media ka thënë që ju keni qënë i përfshirë në lobimin për rrugën Durrës-Kukës-Morinë, që është një investim shumë i madh në Shqipëri dhe ju keni qënë ndërmjetës midis ministrisë shqiptare të transporti dhe Bechtel. A është e vërtetë?

Përsëri, gënjeshtër totale dhe e jashtëzakonshme. Unë nuk kam marrë pjesëqoftë edhenë një takim të vetëm, bisedë telefonike, apo ndonjë gjë tjetër midis qeverisë shqiptare, ndokujt nga ministria dhe kujtdo nga Bechtel. Dhe më lejoni t’ju jap ju një fjalë kujdesi nga Uashingtoni. Uashingtoni është praktikisht një qytet lobimi. Bechtel është ndoshta e vetmja kompani në Shtetet e Bashkuara që nuk paguan lobistë. Kjo është diçka që ndoshta nuk është raportuar këtu. Po e përsëris, Bektel është e vetmja kompani në Shtetet e Bashkuara që nuk paguan lobistë.

Më fal. Ju thatë që unë nuk mund të gjej qoftë edhe një copë letër që tregon se ju keni marrë pjesë në tenderat publikë. Por në media është thënë që ju jeni partner apo lobist për Rudnapin, një kompani e cila shet energji KESH-it shqiptar për 34 milionë euro? E njihni këtë kompani?

Po e njoh. Rudnap është kompani e madhe serbe.

A jeni partner në të?

Jo.

Në media është lidhur emri juaj me trafikimin e armëve.

Të armëve?

Po. Dhe me tragjedinë e Gërdecit.

Nëse kjo tragjedi nuk do të ishte kjo që ndodhi as që nuk do të denjoja të komentoja mbi këtë gjë. Por, kjo është gjëja më e neveritshme. Që më bën për të vjellë, që dikush të konsiderojë që të më vendosë mua në kontekstin e Gërdecit. Nuk kam bërë kurrë, kurrë asnjë gjë në jetën time me armët në asnjë vënd të botës. Unë nuk kam qënë kurrë në Gërdec. Nuk njoh asnjë nga njerëzit.

Cilat janë lidhjet tuaja me zotin Mediu, ministrin e mëparshëm të Mbrojtjes?

Ai është mik i imi.

Po me zotin Delijorgji?

Nuk e kam dëgjuar kurrë këtë emër. E kam lexuar, nuk e di ku ishte në Nju Jork Taims apo diku tjetër, një artikull i gjatë rreth kësaj. Unë nuke kam parë kurrë, asnjëherë këtë person, nuk e di kush është dhe nuk kam folur me të, kurrë, asgjë.

Zoti Fazlliç, le të kthehemi tek zoti Isufi, kunati i zotit Basha. Pse u largua nga kompanitë e tua?

Ai bëri atë gjë që do të bëjë unë. Që do të thotë asjëherë nuk pasurohesh duke punuar për dikë tjetër. Pasurohesh duke punuar për vete. Dhe ai si një djalë i ri i zgjuar ka filluar bizneset e tij private.

A e njihni zonjën Argita Berisha?

Po e njoh. Argita Malltezin.

Çfarë lidhjesh keni?

Kemi miqësi dhe ajo gjithashtu si avokate trajton një pjesë të punëve të mialigjore në Shqipëri.

Ju keni përdorur firmën e zonjës Malltezi për të përgatitur dokumente dhe çdo gjë?

Po, një pjesë të tyre. Nuk kam vetëm një avokat.

Është kjo e vetmja marrëdhënie që keni?

Dhe jemi miq.

Do t’ju bëj pyetje të tjera. Ju kemi parë në televizor me zotin Berisha dhe zotin Tom Rixh. Cilat janë marrëdhëniet tuaja me zotin Rixh?

Zoti Rixh është mik i imi.

Nga Uashington DC?

Po, nga Uashington Dc. Ai ka qënë sekretari i parë i sigurisë kombëtare të Shteteve të bashkuara, një njeri i madh, dhe një patriot i madh i Shteteve të Bashkuara. Me të jemi duke eksploruar disa mundësi investimi në Evropën Qendrore.

Prania e tij në Shqipëri ndodhi me ndërhyrjen tuaj?

Jo. Herën e parë që ai erdhi në Shqipëri, erdhi me mua. Dhe ai u takua me zotin Berisha.

Ju jeni akuzuar në lidhje me vrasjen e kryeministrin serb, Zoran Gjingjiç. Ka qenë një nga këshilltarët e tij që ka thënë?

Këshilltari që ishte akuzuar vetë. Nuk e di si më ka akuzuar. Fakti është që nuk më ka akuzuar mua për ndonjë gjë direkte por që njihja dikë. Më lër të komentoj mbi këtë. 4 vjet më parë, shumica e njerëzve që u akuzuan për vrasjen e të ndjerit Zoran Gjingjiç, u kapën. Gjatë këtyre 4 vjetëve janë zhvilluar 19 gjyqe të ndryshme, gjatë të cilëve, të gjithë së bashku kanë dhënë më shumë se 400 vjet burg. Damir Fazlliç nuk është përmëndur kurrë gjatë secilit prej gjyqeve, nga askush prej njerëzve gjatë 7 mijë orë gjyqe. Dhe të gjitha këto gjyqe tashmë kanë konkluduar. Askush asnjëherë, nga prokuroria serbe nuk më ka kërkuar dhe unë e vizitoj Serbinë për biznes, nuk më ka kërkuar të më pyesë ndonjë gjë.

A ka qënë zoti Legija, një nga të akuzuarit kryesorë për këtë vrasje, mik i juaji?

Absolutisht jo. Nuk e kam parë kurrë në jetën time këtë njeri.

Do t’i vazhdoni bizneset tuaja në Shqipëri?

Sigurisht.

Do vazhdoni të jeni mik i zotit Berisha?

Sigurisht.

Do të vazhdoni të këshilloheni nga Argita Malltezi Berisha?

Sigurisht.

Do të vazhdoni të jeni mik i zotit Basha?

Po.

Çfarë do të bëni, nëse zoti Rama do të bëhet Kryeministër i Shqipërisë?

Do të mendoj se çdo të bëj sepse nga ajo që shoh të ketë politikë të së ardhmes tek ato që bëjnë individët e Partisë Socialiste dhe tek zoti Rama, ka shumë shumë gjëra të së shkuarës. Si biznesmen do t’i peshoj mirë opsionet e mia.

Dhe nëse Prokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë do t’ju ftojëpër të shpjeguar pozicionin tuaj, a do të jeni i pranishëm këtu?

Sigurisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›