E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza financiare globale mbledh në takim ministrat e G7-ës

Minsitrat e financave të shtatë vendeve më të industrializuara të botës, G7, kanë njoftuar një takim në Uashington për të diskutuar krizën financiare globale.

Sipas BBC-së ata do të përballen me thirrje të reja për të ndërmarrë veprime të përbashkëta.

Në prag të takimit ka vazhduar situata e paqëndrueshme në tregjet financiare. Vlera e aksioneve ka vazhduar të bjerë në bursat e mbarë botës.

Që në hapje, tregjet në Azi ndoqën fenomenin që u vu re më herët në New York, ku një rënie e papritur gjatë orës së fundit të tregtimit e la indeksin kryesor të bursës, Dow Jones në nivelin më të ulët të 5 vjetëve të fundit.

Në Tokio, indeksi Nikkei shënoi një rënie të shpejtë që në hapje dhe në mesditë ra me dhjetë pikë. Rënie të ngjashme njoftohet se ka patur dhe gjetkë në Azi.

Thirrja e Brown

Kryeministri britanik Gordon Brown, ka bërë thirrje për masa të përbashkëta për përballimin e krizës aktuale financiare. Sipas tij, një problem global, kërkonte një zgjidhje globale.

Në një artikull në gazetën Times z. Brown i bëri thirrje vendeve në mbarë botën, që të pasojnë Britaninë me hartimin e planeve direkte shpëtimi për sistemin bankar.

Hollësitë e planit të z.Brown priten të bëhen publike kur ai të takojë ministrat e Financave në takimin e G7-ës në Uashington.

Në artikullin e tij në Times, z. Brown thotë se bankave në vështirësi u duhen ofruar fonde si garanci në vlerë qindra miliardë dollarë për t'i binduar që të fillojnë të japin sërish hua.

(BBC)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›