Nobeli i Letërsisë shkon në Francë, e fiton Le Clézio
Stocholm- Një zgjedhje që ngjall mjaft debat. Çmimi Nobel në Letërsi këtë vit u fitua nga francezi, Jean-Marie Gustave Le Clézio, që ka qenë më i votuari nga juria. Shkrimtari, njihet si autor i aventurave poetike dhe ekstazës sensuale. Le Clézio i numërohen 30 publikime, si romane, tregime, e novela.
Le Clézio i motivohet çmimi nga juria “për aventurë poetike”. Ndërsa kritikët kanë thënë për të se “është autor shumë mediokër dhe nuk e meriton Nobelin”. Ndërsa Presidenti francez, Sarkozy, është shprehur i ngazëllyer për fitoren e francezit në garën më të madhe letrare botërore.
Shkrimtari 68-vjeçar u lind në Francë, jetoi në Nigeri për një kohë të shkurtër kur ishte fëmijë dhe ka dhënë mësim në universitete të ndryshme, si në Tailandë, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara. Ai ka shkruar librin e parë në moshën 23 vjeçare.
Shkrimtari tërhoqi vëmendjen me romanin e tij , "Procesverbali" shkruar në vitin 1963. Por suksesi i tij më i madh mbërriti me librin "Shkretëtira" në vitin 1980. Akademia suedeze tha se libri "përmban imazhe të mrekullueshme të një kulture të humbur në shkretëtirën e afrikano-veriore". Bashkë me çmimin e madh ai merr edhe një shpërblim prej 1.2 milion eurosh.