Fazllic, PS: Berisha i fshihet të vërtetave
Tiranë- Partia Socialiste ka përsëritur edhe sot kërkesën e saj për dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha, si i padenjë për të qëndruar në postin që mban, pas fshehjes së të vërtetave për lidhjen me biznesmenin Damir Fazllic.
Kërkesa është ribërë nga kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, një ditë pas injorimit që kreu i qeverisë i bëri parlamnetit dhe gjithë shqiptarëve, duke iu shmangur pyetjeve për të cilat ishte thirruar në mocion nga opozita.
Ajo ka kujtuar se kërkesa për mocion ishte bërë me besimin se edhe në Shqipëri duhet të funksionojë sistemi i kontrollit dhe balancave, sepse në një shtet demokratik duhet të funksionojë llogaridhënia e qeverisë në parlament.
“Kryeministri është i kompleksuar nga cështja Fazllic ndaj nuk ju përgjigj pyetjeve duke fshehur të vertetave që tashmë janë bërë domein publik”- theksoi ajo, duke numëruar të gjitha pyetjet e lëna pa përgjigje nga kreu i qeverisë.
Sipas Leskajt, Berisha nuk dha përgjigje për statusin e atij njeriu, që i besohet siguria kombëtare, përsa kohë që qeveritarë dhe funksionarë të lartë të sigurisë kombëtareraportojnë përpara tij edhe pse dihej që kohë më parë BG&R që e solli këtu kishte lobuar kundër cështjes së Kosovës.
Berisha la pa përgjigje pyetjet; për marrdhëniet e Fazllic me BG&R;Për marrdhëniet e Fazllic me Qeverinë; Për përfitimet e tij nga parat publike të energjisë; Për mos pagimin e taksave; Për pastrimin e parave dhe shumë pyetje të tjera që lidhen me këtë skandal.
Partia Socialiste, sipas saj, nuk kishte ndonjë iluzion që Kryeministri do bënte dje, atë që nuk e ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij politike, të paktën transparencën, se pendesa është një fjalë e madhe për të.
Me fjalimin e tij, ka theksuar më tej ajo, kryeministri bëri dje një përpjekje e dëshpëruar për të spostuar vëmendjen nga skandali Fazllic, që e bën direkt përgjegjës dhe kjo është kapje e shtetit.
“Në fakt, kjo është mënyra e tij e të qeverisurit që ngatërron shtetin me marrëdhëniet personale, ato të besës, një mënyrë tipike tribale në drejtimin e punëve të shtetit.
Kryeministri nuk u përgjigj pse ka shpërfillur interesat e shtetasve të këtij vendi, për sa kohë që mes interesave të vendit dhe atyre të Fazllicit ka zgjedhur këtë të fundit.
Natyrisht, që kryeminstri, është i lirë në zgjedhjen e tij, është i lirë të zgjedhë mikun e tij personal Fazllic, përpara shqiptarëve, po jo në cilësinë e Kryeministrit të vendit”- tha Leskaj.
Ajo ka këshilluar Berishën kryeministër për të bërë ndarjen mes mikut personal dhe punëve të shtetit, mes interesavepersonale të tij, të familjes apo miqve të tij dhe punëve të shtetit, ndërkohë që ka deklaruar sërish mbështetjen maksimale për Prokurorinë në punën për zbardhjen e skandaleve të kësaj qeverie nga krimi shtetëror në Gërdec deri te afera Fazllic.
“Ka kohë që vendi nuk po qeveriset më ndaj ne kemi kërkuar dje e do vazhdojmë të kërkojmë largimin e Berishës nga qeverisja”- përfundoi ajo.