Fazlliç fut në Shqipëri rusët e “Lukoil”
Damir Fazlliç është ortak i rusëve të “Lukoil”. Gjiganti rus i naftës është tashmë “de facto” dhe në Shqipëri nëpërmjet firmës “Petrol Slovenia”, në të cilën është prezent dhe Fazlliç. Shqyrtimi i dokumentacionit që firma “Petrol Slovenia” ka depozituar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, ku ndër të tjera spikat dhe një procesverbal i mbledhjes së Bordit Mbikëqyrës së kësaj firme në Slloveni, në të cilin është marrë dhe vendimi për miratimin e projektit të bashkimit me rusët e “Lukoil”. Në procesverbal rezulton se, ndërsa kanë marrë vendimin për të hapur në Tiranë filialin e tyre (në ortakëri me Fazlliçin), sllovenët kanë miratuar dhe planin e bashkimit me gjigantin rus, “Lukoil”. Duket se Fazlliç është bërë tashmë përfaqësuesi direkt i projektit trevjeçar rus për shtrirjen e influencës së firmave ruse në tregun energjitik. “Gasprom”, “Neft” dhe “Lukoil” janë tri firmat ruse që udhëheqin projektin e sistemit të ardhshëm South-Stream për transitin dhe lëvrimin e gazit nëntokësor rus në BE. Firmat energjitike ruse janë nga më të fuqishmet dhe mund të investojnë, pasi kanë mjetet e nevojshme financiare. Ato kanë interes në radhë të parë në sektorë ku bëhet fjalë për ngritje sistemesh tubacioni, linjash përçuese dhe rezervuarësh. Kjo ka të bëjë me faktin që Ballkani ka një lloj funksioni transiti për firmat ruse të sektorit të energjisë për naftë dhe gaz.
Dritëhijet
Damir Fazlliç është aksioner te firma “Petrol Slovenia Tirana” me 49 për qind të aksioneve, që i zotëron nëpërmjet Qipros. Fazlliç është bashkëpronar (së bashku me bosin e “Rudnap”, Vojin Lazareviç), në Qipro në firmën “Poligraf Invests”. Nga shqyrtimi i dokumentacionit rezulton se për këtë firmë ka nënshkruar si “drejtoreshë provizore” dhe Janula Markantoni. Ky është një emër që është gjetur dhe në firmat e tjera të Fazlliç, madje në rastin e firmës së hetuar dhe nga prokuroria, “Crown Acquisitions” ajo ka nënshkruar si përfaqësuese nga Qiproja e një tjetër firme që mbante përgjegjësi për “Crown Acquisitions”. Kjo firmë quhet “Skysec Secreatarial Limited” dhe përfaqësuesja e saj e paraqitur në dokument me emrin Janula Markantoni (i njëjti person), ka nënshkruar në cilësinë e “firmës sekretare”, në të majtë të dokumentit të lëshuar si prokurë për Flutura Kolën. Në të dyja rastet ishte Damir Fazlliç dhe në të dyja rastet ishte dhe zonja Markantoni. Edhe kësaj here prokura ishte për Flutura Kolën në Tiranë.
Barut
Firma “Skysec Secretarial Limited” nga ana e saj rezulton e skeduar nga organizata e Kombeve të Bashkuara që në vitin 2001, e implikuar në trafikun ndërkombëtar të armëve. Më tej, në vitin 2004, kjo firmë u përmend edhe nga qeveria bullgare, por edhe nga “Amnesty Internacional” për trafikimin e armëve. Megjithatë, raporti i OKB, i bërë publik në vitin 2001, e cilësonte firmën “Skysec Secretarial Limited” si një firmë “të strukur”, e cila kontrollonte në mënyrë tërthore të tjera firma me rrënjët në Qipro, të cilat kishin çuar municione për forcat rebele të quajtura “unita” në Afrikë, në kundërshtim me udhëzimet e OKB. Asokohe, në vitin 2001, vetë autoritetet qipriote konfirmuan për gazetën “Cyprus Mail” implikimin e kësaj firme, pas raportit të hartuar nga OKB. Një investigim i mëvonshëm, i kryer nga gazetarë francezë në Qipro, pretendoi se pas kësaj firme fshihej trafikanti i famshëm rus, Viktor Bout. Zoti Bout është arrestuar në Tailandë vetëm 11 ditë para shpërthimit të Gërdecit.
Si lidhet Fazlliç dhe bosi i “RUDNAP” në Qipro
Më 21 qershor 2007, Fazlliç dhe Lazareviç nëpërmjet firmës së tyre qipriote “Poligraf Invests Limited” kanë autorizuar avokaten Flutura Kola të bënte regjistrimin në Tiranë të firmave “Petrol Slovenia Tirana Wholsale” dhe “Petrol Slovenia Tirana Distribution”. Këto dy firma u regjistruan zyrtarisht në gjykatë më 6 korrik 2007 dhe në bazë të dokumentacionit zyrtar (të siguruar në Qendrën e Regjistrimit të Biznesit në Tiranë), rezulton se ato kontrollohen nga dy firma të ndryshme në ortakëri me njëra-tjetrën. Njëri prej ortakëve është firma sllovene “Petrol Slovenia” (me 51% të aksioneve), ndërsa ortaku tjetër është firma qipriote “Poligraf Invests Limited” (me 49% të aksioneve). Pikërisht në firmën qipriote “Poligraf Invests Limited” zbardhet dhe ortakëria mes Fazlliçit dhe Lazareviçit, të cilët janë bashkëpronarë të kësaj firme që operon nga Nikozia. Zyrtarisht, firma “Petrol Slovenia Tirana” ka përfaqësues në Tiranë zotërinjtë Roman Mazi, shtetas slloven (për “Petrol Slovenia”) dhe Dushan Gërbiç, shtetas serb (për “Poligraf Invests Limited). Nga verifikimi dhe krahasimi i dokumenteve rezulton se ka një person që lidh historinë e kësaj firme të panjohur të Fazlliçit me firmën “Crown Acquisitions”, e cila është bërë objekt i hetimit nga prokuroria shqiptare. Në të dyja rastet janë prokurat për zonjën Flutura Kola ato që nxjerrin në pah këtë person. Sikurse në rastin e blerjes së firmës “Crown Acquisitions”, firma qipriote “Altaria Research Limited” autorizoi Kolën me prokurë të kryente blerjen, ndërsa në prokurë kishte nënshkruar në cilësinë e drejtoreshës së firmës, zonja Janula Markantoni.