Shtëpia e Bardhë tani me një zyrë për besimin
Barack Obama e nisi të enjten me një lutje në stilin e Uashingtonit dhe më vonë firmosi urdhrin për të formuar një Zyrë pranë Shtëpisë së Bardhë për Partneritetin e Fqinjësisë me Bazë Besimin.
Duke qenë se jemi në Uashington, lutja nuk është, siç thotë kapitulli 6 i Mateos, një çështje që mund të hysh në dollap dhe të lutesh në fshehtësi.
Hyr në sallën tënde të kërcimit
Lutja (në Uashington) bëhet në një sallë me rreth 3,400 vetë nga 182 vende në Mëngjesin e Lutjeve Kombëtare. Ky grumbullim është një traditë e Uashingtonit të martën e parë të shkurtit që nga viti 1953, kur presidenti Dwight D. Eisenhower u bë shefi i parë ekzekutiv që mori pjesë në atë që atëherë thirrej Mëngjesi i Lutjeve Presidenciale. Emri u ndërrua në vitin 1970.
Fjalimi i presidentit Obama në mëngjes varioi nga personalja te politika. Ai foli për forcat që e udhëhoqën të bëhej kristian. Dhe ai përshkroi se çfarë shpresonte të bënte një Shtëpi e Bardhë e përqendruar te besimi.
Lutja e Zotit në gjuhën cherokee
Lutja e këtij viti u hap me Lutjen e Zotit në gjuhën cherokee nga një shef indigjen i veshur me rrobë të kuqe. Në orën 7.57 shefin e nderoi një bandë muzikore dhe atë çast presidenti Obama hyri në sallë. Zëvendëspresidenti, Joseph Biden, ishte ulur te tavolina qendrore dhe Dr. Jill Biden ishte gjithashtu në listën e të ftuarve.
Grumbullimi në Washington Hilton u shenjua nga dy precedentë të parë. Kjo ishte vizita e parë e zotit Obama në një mëngjes lutjesh kombëtare dhe të ftuarit ndërkombëtarë në këtë mëngjes lutjesh ishin veçanërisht të interesuar të takoheshin me të. Të njohurit vinin në këtë mëngjes nga e gjithë bota. U lajmërua, për shembull, se presidenti i Haitit, Filipineve dhe kryeministri i Shqipërisë dhe Maqedonisë ndodheshin në turmë.
Merr pjesë - për 5 dollarë
Sivjet ishte hera e parë që Mëngjesi i Lutjeve u hodh në internet – megjithëse për ta parë kërkohet të paguash 5 dollarë tek Eventbuilder.com. Fjala e presidentit në Lutje u dha direkt nga kanalet televizive kabllore.
Gjatë javës drejt këtij takimi pati një variacion takimesh, drekash dhe lutjeje. Një mik që është i përfshirë në Mëngjesin e Lutjes, për shembull, e ka hapur shtëpinë e tij në Uashington këtë javë për pjesëmarrësit në Mëngjesin e Lutjeve nga Republika e Kazakistanit.
Folësi kryesor ishte ish-kryeministri britanik, Tony Blair. Ai u konvertua në katolik në vitin 2007 dhe krijoi Fondacionin e Besimit Tony Blair. Në vitet e shkuara kanë folur figura ndërkombëtare, përfshi Nënë Terezën.
Kufizimet e humanizmit
Në një fjalim elegant dhe të urtë, Blair i premtoi përkrahje Obamës duke thënë: “Ne do të jemi të paepur për ju në punë dhe në festime.” Ai theksoi se ajo që frymëzon është “natyra e pakufishme e dashurisë së Zotit.” Ai tha se: “Humanizmi ka kufizime dhe tej këtyre kufizimeve mund të punojë vetëm Zoti.”
Frymëzim nga njerëzit e kishës
Në fjalën e tij 11-minutëshe, presidenti foli për rrugën e tij drejt krishterimit dhe shpresat e tij për Zyrën e Partneritetit të Fqinjësisë me Bazë Besimin. “Unë nuk jam rritur në një shtëpi me besim të veçantë”, - tha zoti Obama. Presidenti tha se ai u bë i krishterë, pasi punoi në pjesën jugore të Çikagos, ku “punoi me njerëzit e kishës, të cilët donin thjesht të ndihmonin fqinjët që s’u kishte ecur fati - pavarësisht pamjes së tyre, origjinës apo besimit. Në ato rrugë dhe lagje ndjeva për herë të parë praninë e shpirtit të Zotit. Aty e ndjeva që isha thirrur për qëllime më të larta - qëllimin e tij.”
Obama tha se qëllimi i zyrës së bazuar te besimi i administratës së tij nuk do të jetë që të favorizojë ndonjë grup të caktuar religjioz - madje as grupe religjioze në raport me grupet sekulare. “Thjesht do të punojë në emër të atyre organizatave që duan të punojnë në emër të komuniteteve tona dhe të punojnë pa e shkelur vijën që themeluesit tanë e shënuan me shumë mençuri mes kishës dhe shtetit.”
Përpjekje për të zvogëluar ndarjet religjioze
Presidenti tha gjithashtu se ai shpreson që zyra do të luajë rol në zvogëlimin e ndarjeve religjioze. “Ne do t’iu drejtohemi edhe liderëve dhe studiuesve botërorë që të farkëtojnë një dialog më produktiv dhe paqësor mbi besimin”, - tha ai.
Presidenti foli gjithashtu pse ai donte ta mbante gjallë traditën e Lutjes së Mëngjesit gjatë kohës që ai do të jetë në detyrë. Ai tha: “Ne mblidhemi të hamë një kafshatë, të lutemi dhe kërkojmë udhëzim, dhe t’i ripërkushtohemi misionit të dashurisë dhe shërbimit që gjendet në zemër të njerëzimit. Siç tha Shën Augustini dikur: “Lutu sikur gjithçka varet te Zoti. Puno sikur gjithçka varet nga ti.”