E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkulja e Zotave në Davos

Nga David Ignatius, “The Washington Post”

“Si mund të ishim aq kokëtrashë?” Ky ishte refreni i disa ekspertëve në një seancë të Forumit Ekonomik Botëror, javën e kaluar, rreth asaj se, “ku u gabua” dhe u krijua kriza globale financiare. Por mos harroni, nuk është se ata kanë gabuar. Meqenëse është Davosi, komentuesit e zgjedhur kryesisht kanë pasur të drejtë, kur paralajmëruan para disa viteve për katastrofën që po shtrihej para nesh. Por së paku ekzistonte një shenjë e hidhërimit kolektiv.

Davosi nuk merret me përulje, normalisht. Këta janë Zotat e universit, në fund të fundit, tubimi i të cilëve çdo dimër ka filluar të simbolizojë procesin e globalizmit ekonomik. Por këtë vit, me ekonominë globale në vaskë, ka njëfarë vetekzaminimi korporal. Përtej diskutimeve të panelit, mund të dëgjonit një ofshamë kolektive të “Uuups!” dhe një “Po tani?” vajtuese. Një arsye për këtë ton të vetëreflektimit këtë vit është se zyrtarët e SHBA, të cilët nuk mund të rezistojnë pa qenë tezgaxhinjtë në kësi mbledhjesh globale, kryesisht kanë qëndruar larg. Mungesa e administratës së Obamës i dha seancës një ndjenjë “postamerikane”, por kjo është mashtruese. Barackomania është aq e fortë mes titanëve globalë si kudo tjetër.

Prezantimet më të gjalla erdhën nga kapitalistët e “rinj”, kryeministri kinez, Wen Jiabao dhe kryeministri rus, Vladimir Putin. Wen tha se ka parë shenja të vogla të “shpresës” në rritjen e huadhënieve të bankave dhe rritjen e konsumit shtëpiak. Putin foli si një kapitalist i rilindur, duke thënë se Rusia kishte parë dëmin e shkaktuar nga kontrolli i tepërt i ekonomisë nga qeveria dhe se kurrë nuk do të shkonin prapa te politikat e Bashkimit Sovjetik. Ai tingëlloi shumë entuziast, kur fliste për zvogëlimin e taksave në Rusi. Putin nuk u përmbajt pa e goditur disa herë SHBA për krijimin e “stuhisë së përkryer”, e cila goditi ekonominë globale, duke cituar muhabetet e zellshme të zyrtarëve të SHBA në Davos para një viti dhe “kualitetin e ulët të menaxhimit” nëpër bankat e SHBA. “Një piramidë e tillë e pritjeve duhet të shembet”, - tha ish-komunisti, tani një besimtar i vërtetë i disiplinës për treg të lirë.

Wen dhe Putin dukeshin si në shtëpi në klubin e drejtorëve ekzekutivë të Davosit. Udhëheqësi kinez, i veshur me kostum të kaltër të mbyllur, madje dukej se kishte zotëruar fjalorin e ekzekutivit kryesor modern të josinqeritetit të ngrohtë, duke i zbukuruar komentet e tij me fraza si “Vetëm dua t'jua them sinqerisht” dhe “Thellë nga zemra ime.” Ai foli disa herë për “transparencën dhe çiltërsinë” e Kinës, cilësi që nuk i atribuohen shpesh Republikës së Popullit. Putin, i veshur me një kravatë të kuqe dhe kostum të qepur mprehtë, tregoi ashpërsinë e një ish-njeriu të KGB gjatë pyetjeve nga udhëheqësit e bizneseve. Ai e shpërfilli një ofertë nga Michael Dell që të ndihmohet Rusia në tregtimin e aftësive të saj kompjuterike me një vrazhdësi: “Ne nuk jemi invalidë... Pensionistët duhen ndihmuar. Shtetet në zhvillim duhen ndihmuar.” Putin dhe Wen flisnin si njerëz, të cilët, nëse asgjë tjetër, tani kanë më shumë vetëbesim sesa para disa viteve, tash që bota po lëviz në mënyrën e tyre.

Si kanë mundur të jenë aq kokëtrashë këta gjigantë të kapitalizmit? Kjo ishte pyetja, e cila shkoi përgjatë Davosit tërë javën dhe topitja e diskutimit ishte në mënyrën e vet siguruese. Ekonomia globale mund të ketë shkuar në djall, por njerëzit nuk e kanë humbur aftësinë që të mendojnë kritikisht për këtë gjë. Njëra nga kritikat më të artikuluara erdhi nga Niall Ferguson, profesor i historisë në Harvard, i cili përsëriti një argument, të cilin e ka bërë në disa libra se “Borxhsaurusi” amerikan po e tërheq Britaninë poshtë rrugës së lodhjes dhe rënies madhështore.

Yjet këtë vit, të rrethuar me adhurues, ishin dy analistët ekonomikë, Nouriel Roubini dhe Nassi Nicholas Taleb, të cilët e panë katastrofën duke ardhur para gati gjithë të tjerëve. Roubini argumentoi se iniciativat e shtrembëruara të sistemit të vjetër pothuajse kishin garantuar thyerjen përfundimtare. Kompanitë e hipotekave kishin ofruar nën hipoteka të dyshimta me një çmim; bankat i kanë bartur ato me një çmim; agjencitë e klasifikimit i kishin kthyer në sigurime ekzotike me një çmim. Sistemi “ka funksionuar”, mund të thoni.

Taleb, një ish-tregtar, i cili shkroi librin “Mjellma e zezë”, argumentoi se modelet e Wall Street-it, që ishin dashur të parandalonin bankierët nga marrja e rreziqeve të mëdha, në fakt ishin pjesë e madhe e problemit, ngaqë krijonin një ndjenjë të rrejshme të sigurisë për të ardhmen. Në vend që të kërkojmë sigurime në modele, ai i këshilloi tregtarët që të pinë një pije apo të merren me religjionin.

“Është më lehtë të thuhet “Zoti e di” se sa “Nuk e di”, - tha Taleb, dhe kjo mund të jetë motoja e takimit të sivjetmë në Davos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›