PS: Shqetësim se policia mund të ndërhyjë në procesin zgjedhor
Partia Socialiste në opozitë shprehu shqetësim në lidhje me disa emërime dhe lëvizje në Policinë e Shtetit, duke deklaruar se po bëhet një polici në funksion të zgjedhjeve, të motivuar politikisht.
Qëndrimi u bë i ditur gjatë një konference për shtyp të deputetit Piro Lutaj. Ai përmendi emra të veçantë drejtuesish të policisë, të dyshuar se mund të jenë pjesë e ndërhyrjes në procesin zgjedhor. “Tashmë, po bëhet e qartë se, drejtuesit e Ministrisë së Brendshme dhe ato të Policisë së Shtetit kanë lënë mënjanë objektin e punës së tyre, që është ndjekja dhe goditja e veprimtarisë kriminale dhe trafiqeve që zhvillohen në Shqipëri, dhe po merren me krijimin e një infrastrukturë policore, politikisht të motivuar në funksion të zgjedhjeve të vitit 2009.
Veprimet në drejtim të lëvizjes së pa kriter dhe politikisht të motivuar të kuadrove të policisë që, për hir të së vërtetës, ka shoqëruar politikën e MB që me ardhjen në pushtet të PD, si dhe vendimi më i fundit i qeverisë për të marrë në punë rreth 1600 punonjës mbi organikat ekzistuese të ministrive, baras me të paktën 5 ministri të mëdha aktuale, janë një veprim i qartë për një sinjal ogurzi, në fermentim, me synim vënien e strukturave të Policisë së Shtetit nën diktatin politik të mazhorancës qeverisëse duke cenuar rëndë rolin dhe funksionet kushtetuese të Policisë së Shtetit e njëkohësisht duke rrezikuar jo vetëm besueshmërinë e këtij institucioni, por në radhë të parë e mbi të gjitha procesin zgjedhor dhe rolin e Policisë së Shtetit në këtë proces.
Nuk ka se si të ndodhë ndryshe, kur në krye të komisariateve të policisë dhe disa drejtorive të policisë në qarqe po vendosen njerëz me sfond të theksuar politik, ish-anëtarë të komisioneve zgjedhore të PD dhe njerëz me precedentë penalë, aktualisht në procese gjyqësore dhe të akuzuar për vepra të ndryshme.
Kështu, Drejtori i Policisë së qarkut Fier, Shemsi Premçi (i pandehur për ngjarjet e 14 Shtatorit), i përjashtuar nga policia në vitin 1998 për abuzime në detyrë, pak para ngjarjeve të 14 shtatorit. Në të katër qarqet ku ka punuar këto 3 vjet nuk është dalluar për gjë tjetër, përveçse për abuzimeve me detyrën.
Shefi i Komisariatit të Policisë Fier, Latif Kulla, aktivist i spikatur politik, anëtar i komisionit zgjedhor të PD në Delvinë.
Zv/drejtor i policisë së qarkut Tiranë, Xhavit Cici, i përjashtuar nga Policia e Shtetit për shkelje betimi gjatë zgjedhjeve të pushtetit lokal.
Drejtori i Drejtorisë së Kufirit, Durrës, Naim Manuka, larguar nga Policia e Shtetit për braktisje detyre dhe fshehje duke qenë shef komisariati.
Shefi i Komisariatit të policisë Kuçovë, Mehmet Rrapo, i akuzuar për trafik, 3 herë në ndjekje penale për shpërdorim detyre dhe kryerje të veprimeve arbitrare, aktualisht nën përgjegjësi penale dhe gjykim në gjendje të lirë nga Gjykata e Faktit Berat.
Shefi i Komisariatit të Rinasit, Urim Rexhepi, aktivist i spikatur në fushatat zgjedhore në 2005 dhe 2007, ndonëse në vitin 2007 ishte Shef i Komisariatit në Sarandë”, - tha Lutaj.
Sipas tij, ky nuk është vetëm shqetësim i socialistëve, por dhe i ndërkombëtarëve.
Ministria e Brendshme: Po sulmohen politikisht drejtuesit e suksesshëm
Pas deklaratës së Partisë Socialiste se Policia e Shtetit mund të ndërhyjë në procesin zgjedhor, ka reaguar Ministria e Brendshme, e cila e ka quajtur si një sulm politik ndaj drejtuesve të saj të suksesshëm. “Për herë të parë sot, Policia e Shtetit ka larguar nga radhët e saj të gjithë ata që bashkëpunonin me trafikantët e armëve dhe drogës. Për herë të parë sot, Policia e Shtetit ka larguar nga radhët e saj të gjithë ata që dekonspironin operacionet e policisë kundër krimit, për shkak të të cilëve gjatë viteve 1997-2005 u vranë në detyrë 180 punonjës të policisë.
Ministria e Brendshme shpreh shqetësimin e saj në lidhje me sulmet politike ndaj atyre drejtuesve të Policisë së Shtetit, të cilët kanë pasur rezultatet më të larta në goditjen ndaj trafikantëve të armëve dhe drogës.
Ministria e Brendshme gjen rastin për të shprehur mbështetjen e saj të palëkundur ndaj të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, e veçanërisht ndaj atyre, të cilët kanë goditur me ashpërsinë e ligjit grupet e krimit të organizuar, ndaj atyre që kanë bërë të mundur zbulimin e autorëve të vrasjeve të vjetra, ndaj atyre që u kanë sekuestruar trafikantëve sasi të mëdha droge.
I nxisim ata të mos përkulen ndaj presioneve që mund t’u vijnë.