Obama mund të vizitojë Shqipërinë?
Presidenti i ri amerikan, Barack Obama, mund të vizitojë ose Shqipërinë, ose Kroacinë pas samitit të anëtarësimit të tyre në NATO. Lajmin e bën të ditur media kroate që iu referohet burimeve nga Shtëpia e Bardhë. “Jutarnji List” thotë se Obama ka në plan të vizitojë një nga këto dy vende, por edhe nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë ai do të ftojë dy kryeministrat e vendeve të reja të NATO-s të vizitojnë Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, arriti dje në Shtetet e Bashkuara për një vizitë, gjatë së cilës do të marrë pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve në Uashington, një forum që mbahet çdo vit në muajin shkurt dhe që grumbullon udhëheqës nga e gjithë bota si një rast për t’u njohur dhe për të vendosur marrëdhënie mes tyre.
Sipas Zërit të Amerikës, Zoti Berisha e bëri vizitën e parë në zyrën e anëtarit të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, Eliot Engel, një personalitet që interesohet mjaft për çështjet e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Në takim, zoti Engel e siguroi kryeministrin Berisha se administrata e presidentit Obama do të ndjekë të njëjtën politikë bashkëpunimi me Shqipërinë. Zoti Berisha bëri një prezantim të reformave që ka ndërmarrë vendi i tij në fusha të ndryshme.
Kryeministri Berisha pati gjithashtu një darkë zyrtare me senatorin Tom Coburn dhe u prit nga anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Dana Rohrabacher.
Vizita e zotit Berisha përfshin edhe takime me Sekretaren e Departamentit amerikan të Shtetit, Hillary Clinton, me ish-kandidatin republikan për president, John McCain, me organizatat shqiptaro-amerikane, me delegacionin e Kosovës dhe me përfaqësuesit diplomatikë të Prishtinës në Uashington.