E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha i tregon Flamurit takimet në Uashington

Nga Antena brenda familjes

Flamuri dje ngeli gjithë ditën duke shkruar. Ai burri e merrte orë pas ore nga Uashingtoni dhe i shpjegonte kë takoi në sallonin e Mëngjesit të Lutjeve.

- Flamur, ka qenë një ditë e shkëlqyer. Kjo është një sallë fantastike. Luks të tillë s’kam parë kurrë. E organizojnë shumë bukur këtë festë. Flamur, ti nuk e di, por kjo është një festë e madhe. Duhet me e bë dhe ne. Na duhet një Mëngjes Lutjesh. Duhet me gjetë një datë. Jo, duhet me reflektu ne si komb.

- Shumë mirë, ta gjejmë, - tha Flamuri. - Po qe se duhet për t’u lutur, lëmë 15 marsin. Me këtë rast lutemi dhe për ata që kanë vdekë.

- Ide e shkëlqyer. Ua marrim iniciativën atyre që duan të na përbaltin. Më 15 mars ne kemi tregu vlerat tona. Kemi përballu një tragjedi të madhe dhe kemi ndihmu njerëzit. Më 15 mars do ta bëjmë. Mirë e ke.

- A e takove Obamën? - pyeti Flamuri.

- Flamur, Obama ishte njeriu më i kërkuar. Ndenja dy orë në radhë. Isha me presidentin e Haitit. Ishte një burrë i mirë. Ngelëm në radhë dhe bëra goxha muhabet. E pyeta për regjimin e Duvalierit. Më tha: “Ka qenë i korruptum, por njeri punëtor”. Ka bo rrugë”, - tha, Flamur. Shumë interesant, i çmonin shumë rrugët. “Ka bo gjëra të mëdha, - tha, - por ishte familje e korruptuar.” U çudit shumë nga e njihja unë. I thashë kemi pasë një konsulent të qeverisë mik të tij. I tregova për ARMO-n. U gëzu shumë që kemi pasë konsulent një mik të Duvalierit. Por më tha me sinqeritet. “Unë nuk e dua, - tha, - por ka bo shumë për vendin.” Ndenja gjatë me të. Se ti e kupton vet tani, këta afrikanët e kishin si president të tyre. Po iu bë qejfi shumë që dhe unë doja ta takoja. Disa herë më pyeti: “Mos të prish punë fotoja me të në Shqipëri?” Jo, i thashë, më ndreq shumë punë, po paska shumë radhë. “Jo, unë s’iki, - tha. - Unë nuk tërhiqem”. Ndenjëm gjatë, po pastaj u njoftua me altoparlant që s’priste më. Flamur, kishte të drejtë. Tri orë në këmbë të presësh gjithë botën. Radhë e madhe. Nuk më ndahej as Fatmiri. I thashë, Fatmir tani më lër mua vetëm. “Jo, - thoshte. - Do t’i jap dhe unë dorën.”

- D.m.th., nuk ia dhatë dot dorën...?

- Flamur, kemi taku shumë vetë. Ishte fantastike. Më ra të isha në një rresht me Hilari Klintonin, kur po dëgjonim fjalimin e Obamës. E përshëndeta. Më tundi kokën. I buzëqesha. Më buzëqeshi. Grua e fortë shumë. Pastaj iu afrova dhe i thashë: A më njeh? “Ballkanas, - tha. - Dukesh nga larg.” Interesant si ngjajmë. “E di nga të njoh? - tha. - Ngjan me Karaxhiçin. Foton e tij e ka pas im shoq në zyrë, se donte ta kapte, po s’e kapi dot. Ngjani shumë. Gjithë ju ballkanasit ngjani. Po për ju malazezët kam respekt.”

Jo, i thash, jam i Shqipërisë. Ta shikoje Flamur si i ndriti fytyra. “Jam shumë e emocionuar, - tha. - Kam qenë atëherë në Shkup, kur ju kishin zbuar nga Kosova. Jam prekur shumë. Kam takuar Rugovën. Më bëhet qejfi që jeni pasardhës i tij”. Nuk ia prisha. E ka emocionale lidhjen me Kosovën. Dhe e ngatërron me ne. I dhashë Fatmirit aparatin, doli para dhe na bëri një foto, ku ishim të dy duke dëgjuar Obamën. Më përshëndeti, kur iku. Më tha: “Bëji të fala Hashim Thaçit. E mbaj mend, është djalë i mirë.” U emocionova shumë. Mora Sandrin qëparë dhe i thashë t’ia përcjellë Thaçit. U emocionova shumë.

- Po Obamën nuk e takove...?

- Flamur, takova Jozef Biden. Është burrë i madh shumë. Ishte ulë në një kolltuk aty në cep. Shkova drejt, se i bëri telefon Diogardi. E ka mik. I tha: “Bëni një foto”. Sa u afrova, u ngrit në këmbë dhe më përqafoi. “Jam gëzuar shumë që ke ardhë, - tha. - Më ka thënë Joi, - tha, - se kështu i thotë Diogardit, - që je këtu. I kam premtuar të bëjmë një foto.” Dolëm foto. “Të lutem, - tha, - thuaj Joit që e bëmë foton, se ia kam borxh, se më ka mbështet.” I premtova që do t’i them. Më pyeti për zgjedhjet pastaj, kur i keni, a do fitoni. I thashë do fitojmë. Jemi të vendosur, do fitojmë. “Më bëhet qejfi, - tha. - Kujdes nga qeveria, se më kanë thënë se po përgatitet të vjedhë votat”. I thashë nuk është e vërtetë. “Çudi e madhe, - tha. - Je i pari opozitar që ke besim te qeveria.”

Flamur, nuk ka faj. Më dinte në opozitë. Se e kupton ti, Diogardi vetëm ata që mbeten rrugëve ndihmon. Nuk i thashë gjë. Por duket që e kanë dizinformu. Ai ambasadori aty më duket. Ja kishte hedhë helmin. Por unë nuk i rashë në sy. Bëra si opozitar më mirë.

- Po Obamën nuk e takove dot...?

- Flamur, takova Nancy Pelosin. Gru e zonja shumë. Më kujtonte Jozefinën. E fortë shumë. Bënte ç’t’i donte qejfi. S’kish burrë ta ndalte. Obama është në dorë të saj. Negociatore e shkëlqyme. Bëra foto me të. I fola për Shqipërinë. E ftova. U gëzu shumë. “S’kam qenë asnjëherë, - tha. - Do vij me qejf.” Më pyeti: “A bie shumë shi?” I thashë, jo. Kur të vish ti, hap koha. U gëzu shumë. Flamur, kemi pas takime të shkëlqyera. Do të nis fotografitë që ka bërë Fatmiri. I ka mbetë qejfi, se ai nuk është në foto, se ka qenë duke i bërë fotot. Ia bëra kastile, e kupton ti, se po të na shohin bashkë në foto, mërziten njerëzit. Dhe ai është mërzit pak, po s’prish punë. Të përshëndes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›