E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjafton gjysmë dite



Nagib MAHFUZ (Nobel)

Ecja pas tim eti, i shtërngoja dorën dhe mundohesha të shkoja pas hapave të tij të mëdha. Isha veshur tërësisht me petka të reja: këpucë të zeza, uniformë të blerët të shkollës dhe skufe të kuqe. Megjithatë gëzimi për petkat e reja nuk ishte i plotë, se ajo nuk ishte e kremte por dita e parë e shkollës.
Nëna ndenji një copë herë në dritare, duke na ndjekur me sy: unë ktheja herë pas here kokën sikur i kërkoja ndihmë. Vijuam të ecim nëpër një rrugë me kopshtije anash; në të dy krahët shtriheshin fusha të gjera me të mbjella, me dardha si hëna dhe, aty-këtu, disa palma me hurma.
- Pse po më çon në shkollë? - i thashë copë tim eti. - Nuk kam bërë asgjë të keqe që t’ju kem mërzitur.
- Nuk po të dënoj, - u përgjegj ai buzagaz - Shkolla nuk është dënim. Eshtë një vend që i bën fëmijët njerëz të vlefshëm. A nuk don ti të bëhesh si babai e vëllezërit e tu?
Nuk m’u mbush mendja e nuk isha i bindur se ishte gjë e mirë të më shkëputje, ashtu të përlotur, nga shtëpia e dashur dhe të më çoje tek ajo ndërtesa atje në fund të rrugës, një ngrehinë e stërmadhe si kështjellë e rrethuar me mure të ashpëra e të ngrysur.
Kur mbërritëm te dera, përtej saj pamë oborrin që gëlonte nga djemtë e vajzat. “Shko vetë atje brenda”, tha babai, “dhe bashkohu me ta. Buzëqesh e tregoju djalë i mbarë.”
Ngurrova e s’ia lëshova dorën, por ai ma shkëputi butësisht. “Bëhu burrë”, tha. “Për ty sot nis jeta e vërtetë. Kur të mbarosh, do të më gjesh këtu duke të pritur.”
Bëra disa hapa, ndalova, këqyra e nuk pashë asgjë. Pastaj dallova më sy plot djem e vajza. Nuk njihja asnjërin prej tyre dhe askush nga ata nuk më njihte mua. Më ngjante sikur isha një i huaj, që kishte humbur rrugën. Dallova një shikim plot kurreshtje që ishte drejtuar nga unë; pas pak, një djalë m’u afrua dhe më pyeti: - Kush të ka sjellë?
- Im atë, - iu përgjegja me zë të lehtë.
- Mua më ka vdekur babai, - tha ai thjeshtësisht.
Nuk dija çfarë t’ii thoja. Dera u mbyll duke lëshuar një gërvimë ankuese. Disa nga fëmijët nisën të qajnë. Ra zilja. Doli një grua e ndjekur nga një tufë burrash dhe nisën të na ndajnë në rreshta. U bë njëfarë pështjellimi aty, në oborrin që rrethohej nga të tri anët prej ndërtesash të larta. Në çdo kat ishte një ballkon me një mbulesë druri që ngjasonte sikur na vrojtonte.
- Kjo është shtëpia juaj e re, - tha gruaja. - Këtu ne jemi për ju nëna e baballarë. Këtu ka gjithçka që do t’ju kënaqë dhe do t’ju mësojë diturinë e fenë. Terni lotët dhe shikojeni jetën me gaz e hare.
Depërtuam në ato rrethana të reja dhe ai nënshtrim na përftoi njëfarë kënaqësie. U bashkova me të tjerët dhe, që në fillim, zemra ime u bashkua me ata djem si me miq të mirë dhe ra në dashuri me ato vajza; në këtë menyrë u zhduk ndrojtja e parandjenja ogurzezë. Nuk ma kishte marrë mendja se shkolla do të kishte aq larushi. Bëmë gjithfarë lojërash me lisharth, kërcime te kaluçi i drunjtë e luajtëm me top. Në dhomën e muzikës kënduam këngët tona të para. Po ashtu, morëm edhe njohuritë e para për gjuhën. Pamë globin e tokës që rrotullohej duke paraqitur kontinentet dhe vendet e ndryshme. Nisëm të mësojmë edhe numrat. Na lexuan historinë e Krijuesit, na folën për të Sotmen e për Kohën e Përtejardhme dhe këtë e ilusturan me fjalët e Krijuesit. Hëngrëm ushqime të këndshme, ramë për të fjetur dhe, kur u zgjuam, e vijuam miqësinë e dashurinë dhe luajtëm e mësuam gjëra të tjera.
Me kalimin e kohës, vumë re se jo gjithçka shkonte si në vaj, siç kishim kujtuar. Frynin erëra të forta që ngrinin pluhurin dhe ndodhën disa ngjarje të papritura, që na kujtuan se duhet të hapnim sytë, të ishim të përgatitur e të duronim. Jo gjithçka ishte lojë dhe gjë e bukur. Realitete të ndryshme na përftonin pikëllime dhe na detyronin të luftonim. Megjithëse zonja herë pas here buzëqeshte, ajo shpesh paraqitej e ngrysur dhe e egër. Ushtronte gjithnjë e më shpesh edhe dënime trupore.
Me një fjalë, kishte ikur një herë e përgjithmonë koha kur mund të ndërroja mendje e nuk bëhej fjalë për t’u kthyer në parajsën shtëpiake. Para nesh tashti kishte mundime, luftë dhe ngulmime. Ata që ishin të aftë, përfituan nga rrethanat për ta arritur suksesin e lumturinë edhe në mes të halleve.
Tingëllimi i ziles njoftoi se kishte kaluar dita dhe puna për atë ditë kishte marrë fund. Tufa fëmijësh u derdhën jashtë derës, e cila ishte hapur sërishmi. U përshendeta me shokët e me të dashurat e zemrës dhe kapërceva pragun e derës. Hodha sytë perreth dhe nuk e pashë askund tim atë, i cili më kishte dhënë fjalën se do të ndodhej aty. Ndalova dhe po e prisja. Pasi prita një copë herë më kot, vendosa të kthehesha në shtëpi vetëm. Me të bërë disa hapa, para meje u duk një burrë në moshë mesatare dhe menjëherë e mora me mend se e njihja. Ai eci drejt meje buzagaz, ma shterngoi dorën duke thenë: “Ka shumë kohë që s´ju kam parë. Hë, si jeni?”
Tunda kokën, e falënderova, pastaj pyeta:
- Po ju si jeni?
- Ja, siç më shihni, jo aq mirë.
Ma shterngoi prapë dorën dhe u largua. Bëra disa hapa dhe mbërrita në një stacion. O Zot! Ku ndodhej ajo rruga me kopshte anash? Si ishte zhdukur? Si kishte ndodhur që gjithë atë hapësirë e kishin pushtuar makinat? Si shpjegohej që gjithë ato turma njerëzish e kishin mbushur tërë hapësirën? Si kishin shkuar punët që ishin shfaqur kudo ato male me plehra? Ku ishin tashti livadhet, që më parë ndodheshin aty? Drejt qiellit ngriheshin ndërtesa të larta, rruga gëlonte nga fëmijët, ndërsa ajrin e mbushnin gjithëfarë zhurmash të bezdisshme. Në pika të ndryshme rrinin ca si magjistarë, të cilët me marifete nxirrnin nga shportat gjarpërinj. Ata ishin njerëz që njoftonin ardhjen e një cirku me kllounë e gjimnastë. Kaloi një vargan me kamiona që kishin brenda trupa ushtarake. Ulurinte sirena e makinës zjarrfikëse dhe nuk merrej vesh si do ta hapte rrugën për të mbërritur në vendin, ku kishte rënë zjarri. Po zhvillohej një zënkë në mes te një taksisti e udhëtari, pasi gruaja e udhëtarit kërkonte ndihmë dhe askush nuk ia varte. O Zot i madh! Isha trullosur. Po më plaste koka! Gati po shkalloja fare. Si ishte e mundur që gjithë ato gjëra kishin ndodhur brenda një gjysëm dite, dmth, nga mëngjesi në perëndim?! Përgjigjen do ta mirrja ne shtëpi, pasi të pyesja babanë. Po ku ndodhej shtëpia ime? Shikoja vetem ndërtesa të larta dhe turma njerëzish. Eca dhe mbërrita tek udhëkryqi në mes të kopshtijeve dhe Abi Khaden-it. Duhet të kaperceja Abi Khaden-in për të mbërritur në shtëpinë time, po lumi i makinave nuk me lejonte. Sirena e zjarrfikësve vikaste me të lartë, kurse makina ecte përpara me hap breshke. Thashë me vete: ”Nuk po ia prishin terezinë zjarrit, që ai të shkrumbojë gjithçka mirë e mirë.” U nxeha shumë dhe u habita kur po matesha të përshkoja rrugën.
Ndenja aty një kohë të gjatë, kurse djali që punonte te shitorja e hekurishteve në cep të rrugës, erdhi tek unë. Nderi dorën e më tha plot mirësjellje: “ Me lejo, o gjysh, të të ndihmoj ta përshkosh rrugën.”

Përktheu Gjergj Vlashi

11 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›