E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nata është petku i saj

Fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë - 2008

Le CLEZZIO

Po bie nata e bashkë me të ia beh kujtimi i popujve endacakë, popujt e shkretëtirës dhe popujt e detit. Është ky kujtim që e bren adoleshencën në çastin e hyrjes në jetë, që është gjenia e saj. Vasha e re mbart në vetvete, pa e ditur përnjimend, kujtesën e Rimbaud-së dhe të Kerouac-ut, ëndrrën e Jack London-it a, më mirë, pamjen e Jean Genet-it, jetën e Moll Flanders-it, vështrimin e terratisur të Nadjas nëpër rrugët e Parisit. Në të vërtetë, është më se e vështirë të futësh në botën e rritur, kur të gjitha rrugët të çojnë ndër të njëjtat caqe, ndërsa qielli është aq i largët, ndërsa pemët nuk kanë më sy dhe lumenjtë e madhërishëm i kanë mbuluar paleta të përhime prej çimentoje, teksa kafshët nuk flasin më dhe vetë njerëzit, madje, i kanë humbur shenjat e tyre.
Vajza pesëmbëdhjetë vjeçare çapitet ngadalë në rrugën, që e çon çdo mëngjes në lice midis shkëmbishtes së ngrehinave, nëpër poteren e kamionëve dhe të veturave që shkojnë e vijnë. Mendon: sot mbase do të ngjitem në kreshtën e shpatit dhe, nga ana tjetër, aty për aty nuk do të ketë më kurrgjë, vetëm një gollë e stërmadhe hapur në tokë. Vajza e re ecën midis turmës, në mesditë, a thua i pat braktisur disa orë mësimi në shkollë, vetëm disa orë çapitje arratisëse që ua kishte vjedhur mësuesve të matematikës, shkencave natyrore a histori-gjeografisë, dhe tashmë gjendej në ndonjë tren të madh ndryshkalaq, ku kishte hipur me një kërcim në ecje e sipër dhe që do ta çonte në skajin tjetër të botës, përnjimend në skaje, në Havrë a Roterdam, mbase në Yokahama. Ajo ecën dhe në sytë që i has vështrimi kërkon diçka, një ngazëllim, një shkëndijëz rioshe, një grimë para buzëqeshjes dhe fjalëve, që do ta mbartin kah një jetë e panjohur. Apo dhe në mesnatë, veshur me xhakaventon prej meshini, te jaka e së cilës shkruhet SCHOTT. Natën e ftohtë e ka dridhërimë në lëkurë, nata shkëlqen në sytë e saj, përshkëndijon nga dritat, yjtë, shenjat e kuqe të semaforëve, emrat në neonet vezulluese, emra të rrezikshëm, emra që uturijnë nga zgafella e jetës, që thonë:
Nderim Maccari & Franco
Rastësi LOCUST SOLEDAD
Zemra i rreh me ritmin e fjalëve të largëta, ëndje marroke, vajza e njomë pesëmbëdhjetë vjeçare ecën fillikat nëpër natë, në kërkim të një imazhi, një pasqyrimi, një shkëndije. Thellë brenda vetes mbart këtë zbrazëti, këtë dritare që rreh, një shtjellë që fryn, një lakuriq që i çik paksa edhe zemrën që i rreh, i rreh. As vetë nuk e di se ç’kërkon. Përse gërryhet vala përmbi qytet dhe hapen dyert e packata të horizontit, përtej sheshoreve e bulevardeve. Çfarë ka atje tej, matanë? A mos vallë andej nuk ka vdekje? Por kujtimi i kohëve endacake është më i pashlyeshëm se shumëçka, çdo mbrëmje e bën të rrahë zemrën e adoleshentes, ia gërryen barkun. Kujtimi i kohërave Arapahoe, Cheyenn, Lakota, Taxas. Aso kohe nuk kishte mure, as emra. Nuk kishte numra. Nuk kishte leje qarkullimi, as skedarë qendrorë policie, as libreza familjare, as akte noteriale, as shenjuesit e tmerrshëm në krah, në shputën e këmbës, gjakrrjedhje të bërrylit, as e gjithë kjo, pulla poste, fotografi, vulosjet me gishtin e madh e byzylykët prej kauçuku në kyçet e duarve të foshnjave dhe nyellët e të vdekurve. Aso kohe hëna ngrihej e stërmadhe përmbi kreshtat e maleve, shtyrë nga agullimat e ujqërve. Nata ishte e përtrirë, e pacak dhe e akullt, botën e pushtonte njëherësh. Bebëzat e syve të zotërve regëtinin.
Vajza e njomë pesëmbdhjetë vjeçare çapitet kah udhëkryqet, e ndien natën t’i rrahë tëmthat, ngjitur pas faqeve, duke ia mbështetur pëllëmbët e akullta mbi qepalla. Dëgjon kërcitjen e hapave të saj që i oshëtijnë thellë në trup, nuk e di çfarë po kërkon, nuk e di ç’i ka shkrepur. Ndoshta dikush po e përgjon në lukth të hijes, te qoshku i dyerve, në zbrazëtinë e rreshtave të ngrehinave. Për së largu shiriti i rrugëve të përndezura rrjedh si llavë. Klithmat e valëve herciane përplasen e kthehen nga kafshët e marrosura, klithmat e fjalëve nga honet e hapësirës, nga rropullitë e historisë. Dikush po e shtyn në këtë shteg, duke ia mbështetur të dyja duart e hapura mbi shpatulla, e shtyn dhe ajo nuk e di se ku do ta nxjerrë shëtitorja e natës. Fëmijët ëndrrojnë të kruspullosur, ata janë iriqë dimri. Fëmijët dëgjojnë tigrat që ulërijnë e ujqërit që angullijnë dhe i mbajnë mend mirë. A nuk ndodhen nëpër bodrumet e godinave, zhelet e botës së poshtme, si qëmoti brerësit që hanin të vdekurit? Mos ndoshta nëpër tarracat katërkëndshe ku rrjedh nata, nuk ndihet trokthi i barbarëve kuajngrënës, kamat e tyre hënore që ndrijnë, heshtat majëstolisura me kordele të drejtuara kah ylli Sirius? Hukamën e tyre po e ndien në fytyrë, akullimën e vështrimit të tyre, dhe zemra po i rreh me ritmin e grahjes së tyre, kuajt e tyre natësorë, ledhatimet e tyre prej bari që e flladit era.

* * *
Për të parë e dëgjuar këtë, vajza e sarritur del nga dhoma e saj në mesnatë, vesh xhinset e puthitura e xhupin prej meshini që i ka mburojë, rrëshqet përgjatë qyngjit ujëshkarkues, e braktis strofullën butake të fëminisë, folezën e trëndaliftë dhe nënkresat me lule, hukamën e fëminisë, fotot dhe albumet e Mickey, guaskat e qëmtura nëpër plazhet e qullura nga shiu dhe boçet e pishave, ajo braktis gjumin që rrjedh si curril lumi tejet i qetuar. Ajo ikën, sepse diku tej, përpara saj, në skaj të rrugës, në skaj të rrugës që çon te liceu, ia beh befas, përnjimend, një gollë e panjohur që e thërret dhe disa emra, këta emra të rrezikshëm që thonë:
MARBLEMEMO Emporio
BREG Anvers-mbi-Oise
Saturne Arthur
A thua çdo njëra nga këto fjalë të ishte një e fshehtë, një e vërtetë e strukur, një çast i çliruar e vërshues, brufullitës, gati për të kafshuar, një vetëtimë.
Nata e ftohtë i bëhet mornicë në lëkurë. Nata është petku i saj. Qielli ngjishet pas tokës, tehet e gërsherëve i shkokolepsin syrsat e cohëve, presin lidhjet e nyjeve, hallkat e brezoreve. Nata është cullake. Pengesat ranë, emblemat e flamujt, librat e tejshkruar e kodekset, ku qenë gdhendur ligjet e njerëzve. Nata i mbërthen, i shuan. Nata thellohet porsi shtjellë e xhindosur dallge që shpaloset, shpërthen. Rrënjët e godinave janë lakuriqe, të zë syri sende gjatoshe, përshkënditëse. Seç është një heshtje që vret lavjerrësit, një akullim që hyn në shpirt, futet te ty, një gjemb vidhimi. Vajza e re pesëmbëdhjetë vjeçare e ndien natën në fytyrë, në lëkurën e barkut, në gjoks, i rrëqethet çdo qime. Çdo pore e lëkurës së saj është një sy, ajo i ndien gjithë ato yje, gjithë ato fjalë, gjithë ato vështrime që po e presin. Ecën midis duarsh, ndien zemrën t’i brufullojë në lukth të hapësirës, në grykë, në tru, ndien gjuhën që i lëpihet pas kofshëve, gjer thellë, gjer në pikën më përvëluese, më të fshehtë, më therëse, pikën ku zë fill jeta, pikën që e bashkon me t’ëmën, me gjyshen, pikën në mes të barkut ku vlon vazhdimisht gjaku.
Ajo nuk e di se ç’është kujtesa. Nuk ka asgjë në emrin e saj, në pështymën e saj. Pikërisht kjo pikë, që fërgëllon, tkurret dhe ende rreh. Nata ia mbështjell lëkurën, nata kërcëllin nëpër gjurmët e gishtave të saj. Ajo nuk e di se ç’e ndjek pas, se ç’do të ngjasë. Mbase dëgjon muzikën që ia beh nga larg. Një zezake që këlthet nëpër natë dhe barku i saj që shqyhet e nxjerr në shesh një foshnje kuqalashe, që shndrit porsi yll. Mandej qumështi i rrjedh nga gjinjtë, përhapet dhe lë gjurmën e një udhe të bardhë në qiell, rrjedh në gojën e foshnjes së gjallë! Sa të gjata orët gjer në agullim. Kur lind përsëri dielli, tashmë përvëlues, karvani niset sërish për udhë; burra fytyrëngrysur, fëmijë të moshuar, pleq që rënkojnë si vocërrakë. Zogj grabitaqarë në qiell, bukla e dhelpëra që ndajnë me shoshoqen shurdhesën e groposur.

* * *
Ajo çapitet nëpër natë me veshjet e ngushta, me sy të buhavitur. Nata grryhet porsi shtjellë e xhindosur dallge: e keqja shfaqet gjithandej nëpër korridoret e bordellove, nëpër sallonet borgjeze, ku mbi ekranet gjigante sekset e femrave janë hapur si molusqe; “Fluturo” “Thyej” “Shtrëngo” “Shijo” “Shkul”. Këto fjalë brofin nga zemra murmuritëse e qytetit, përhapen kah rrethinat, rendin si shtazë, çirren e këlthasin si kafshët në thertore. Natën vajza pesëmbëdhjetë vjeçare ka frikë, dëgjon zhurmën e hapave të saj, ndien hukamën e hapave në lëkurë, por vazhdon të çapitet pa e ditur se çfarë kërkon, se kush e kërkon. Një emër, ndoshta një dorë, një erëmim djaloshi, një zë që i futet gjer tek ajo pikë përvëlonjëse, që e lidh me botën.
Ja dhe një lirishtë e stërmadhe në dritën e hënës. Nata shndrit mbi akull. Ulërima e ujqërve ka ngrirë pezull në grimca akulli brenda grykës së tyre. Nga aty ku po qëndron, vajza mund të shohë zemrën kuqëluese të qytetit. Qielli është i padukshëm, ai është hukamë. Nuk ka demonë. Nuk ka kufoma të gjalla. Ka vrasës e të droguar. Por asgjë nuk ka ndryshuar. Popujt endacakë, popujt e shkretëtirës ranore dhe të shkretëtirave detare, popujt e udhëve poshtë reve shtegtare, që lënë gjurmë në qerthuj gurësh dhe në pika të murrme në lëkurë, popujt me maska antilope dhe flatra fluturash, kanë brofur nga ëndrra që i mbante mbërthyer.
Vajza pesëmbëdhjetë vjeçare duhet të hyjë në jetë, duke braktisur dhomën e saj. Ajo e di këtë. Ajo i sheh, i pret. Ata i ka në bark. Ata gëlojnë nga vështrimi i saj. I ka krijesat e veta. Ajo nuk ka dijeni, nuk ka kujtesë. Kurmin e ka të ashpër si nata, sytë, gjoksi, supet, floknaja që i derdhet si lumë i zi. Ajo rrjedh jashtë sipas fjalëve të Rimbaud-së. Ajo i paraprin asaj çka e kundron, rend nga ajo që e ndjell. Në bark ka etje të paparë, etje për të jetuar, për të rrokur, për t’u pushtuar, që të lindë, për të lindur. Mban vesh nëpër natë kërkëllimën e rrangullinave që luajnë Mejoranën, Malaguenjën, që përsërit emrin e saj, ende, akoma. Ajo është vetvetja. U përket popujve të lashtë të shkretëtirave të detit e rërës, popujve të shpellave e luginave, popujve të pyjeve e lumenjve. Ajo po rrëshqet brenda natës, është e lirë. Ajo po ikën.

Përktheu Luan Canaj

11 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›