Fazlliç luan për dy orë me prokurorët: Mos më pyesni për gjëra fiskale, nxirrni provat
TIRANE
Biznesmeni i shumë-përfolur Damir Fazlliç la pas Prokurorinë e Tiranës dje në mbrë-mje, ndërsa djersët mbi ballë dukeshin akoma më shumë nën dritën e bliceve fotografikë. Megjithatë përballja me prokurorët shqiptarë që po zhvillojnë hetime ndaj tij për pastrim parash, duket se nuk ka qenë aq e vështirë sa dukej. Për 35-40 minuta, mësohet se biznesmeni boshnjak ka dhënë deklarime të lira, duke theksuar se veprimet e tij me bizneset në Shqipëri kanë qenë të rregullta. Për rreth dy orë e 30 minuta biznesmeni 33-vjeçar, i cili mban nënshtetësi britanike dha shpjegime para dy prokurorëve të çështjes, Dritan Rreshka dhe Besnik Cani. Bashkë me biznesmenin ndodheshin avokatët Genci Gjokutaj dhe Brahim Lahi, kurse i pranishëm gjatë gjithë kohës së qëndrimit në zyrat e prokurorisë ka qenë edhe një përkthyes. Burime nga hetimi pohojnë se për rreth 35-40 minuta Damir Fazlliç ka dhënë deklarime të lira, nisur nga ato çfarë i kishin komunikuar avokatët dhe ishte njohur nëpërmjet mediave. Më pas ai i është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve, të cilët kanë kryer hetime ndaj tij nën akuzën e "pastrimit të parave". Fazlliç mësohet se ka debatuar me prokurorët, duke u thënë atyre se e kanë pyetur më shumë për çështje fiskale, që janë objekt i institucioneve të tjera sesa për të dhëna, që kanë të bëjnë me veprën penale që hetohet nga organi i akuzës. Objekt i hetimeve është shitja për 1.7 milionë euro e kompanisë me qendër në Tiranë tek një subjekt me qendër në Qipro dhe më pas blerja e 16 hektarëve tokë në Porto-Romano për 2 milionë euro, para të ardhur nga shitja që hetohet si pastrim parash.
Debati me prokurorët
Pikërisht në kohën kur prokurorët kanë filluar t'i bëjnë pyetjet e përgatitura biznesmeni Fazlliç ka reaguar. Ai ka vënë në dukje se pyetjet që po i bëheshin nga prokurorët kishin karakter fiskal dhe nuk përbënin të dhëna ligjore për një procedim penal. Në këto kushte, Fazlliç u ka "dredhuar" shumicës së pyetjeve, duke u përgjigjur vetëm në rastet kur dëshironte. Fazlliç ka pretenduar se shitblerja e kompanive të biznesit nuk është e ndaluar ashtu sikundër ka thënë se nuk kishte asnjë pengesë ligjore të bënte biznes në Shqipëri. Më pas, ndërsa seanca e dëshmisë po shkonte drejt fundit, mësohet se Fazlliç ka kërkuar fakte nga prokurorët për akuzat e ngritura ndaj tij. "Ku janë faktet mbi të cilat më akuzoni. Është folur shumë por dua dhe besoj se kam të drejtë të njihem me faktet që ekzistojnë ndaj meje", mësohet të ketë thënë Fazlliç në debatin e tij me prokurorët. Gazeta kontaktoi dje me akuzën, por edhe me vetë biznesmeninFazlliç dhe dy mbrojtësit e tij, të cilët konfirmuan se biznesmeni është pyetur si person në hetim dhe se ende ndaj tij nuk është komunikuar akuzë për vepra penale. Menjëherë pas seancës në prokurori, Fazlliç deklaroi përpara prokurorisë se u paraqit të dëshmonte për të respektuar drejtësinë shqiptare. "Pata një ftesë nga Prokuroria e Tiranës. Unë respektova institucionet shqiptare dhe dhashë deklarimet e mia", pohoi Fazlliç, ndërsa doli nga dera e institucionit të akuzës të kryeqytetit. Gjatë deklarimeve të lira por edhe më pas, mësohet se biznesmeni Fazlliç ka mohuar çdo lloj akuze për pastrim parash apo veprime të tjera të paligjshme. f.m. t.s
Fazlliç, pyetet për origjinën e kompanive
Prokurorët e çështjes i kanë kërkuar dje biznesmenit Fazlliç të dhëna mbi origjinën e të ardhurave të kompanive të tij që funksionojnë në Shqipëri, të cilave ai u është përgjigjur në prani të dy mbrojtësve Gjokutaj dhe Lahi. Po kështu mësohet se Fazlliç u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve për regjistrimin e kompanive të tij në Tiranë. Ai është pyetur dhe ka dhënë shpjegime të hollësishme, edhe për përfshirjen me aksione në kompani të tjera ku ka qenë pjesë e bordeve të tyre.
3 sekuestro hoqi
Gjykata e Tiranës më 31 dhjetor 2008. Gjykata vendosi shfuqizim të vendimit të sekuestros së dokumenteve, sendeve dhe llogarive bankare
2 ore
zgjati seanca e pyetjeve në ngarkim të biznesmenit serbo-boshnjak Fazlliç dje në prokurorinë e kryeqytetit. Ai u përgjigj fletëthirrjes për t'u paraqitur në këtë institucion
Shitja e dyshimtë
Hetimet në Tiranë ndaj biznesmenit Damir Fazlliç filluan pas të dhënave të bëra publike në media lidhur me shitjen e kompanisë së tij "Crown Acquisition". Ky subjekt u shit tek kompania me qendër në Qipro, "Altaria Research" për një shumë 1.7 milionë euro. Kompania e vlerësuar me këtë shumë në vitin 2007 nuk kishte deklaruar asnjë aktivitet dhe asnjë fitim që nga shtatori i vitit 2005 çka u bë shkak se në fakt, pas kësaj shitje fshihej ndonjë skemë e pastrimit të parave sesa një transferim pronësie në mënyrë të rregullt.
Dobjani: Paraburgimi i Korçës në kushte të rënda
TIRANE - Dhomat e shoqërimit dhe të izolimit në komisariatin e policisë së Korçës janë jashtë çdo standardi jetësor. Ndërsa ende nuk ka ndarje të veçanta për personat e mitur dhe për femrat. Të dhënat u bënë të ditura nga një inspektim i Avokatit të Popullit në pak ditë më parë. Pas inspektimit Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, me një shkresë zyrtare i ka rekomanduar marrjen e masave urgjente për përmirësimin e situatës drejtorit të policisë së Qarkut Koçë, Emri Vata. Për dhomën e shoqërimit në rekomandimin e AP-së thuhej se "brenda saj kishte shumë lagështi (igrasi), për pasojë qëndrimi në të ishte i pamundur. Në dhomë nuk kishte stol për t'u ulur dhe as tavolinë, kurse pastërtia linte për të dëshiruar. Nga konceptimi për mbajtjen e personave të shoqëruar, ishte dhomë izolimi, sepse ishte me derë hekuri, e mbyllur me dryn dhe pa ndriçim". Pothuajse të njëjtat kushte janë vërejtur nga inspektuesit e AP-së edhe në dhomat e izolimit. Problematike është cilësuar edhe mungesa e dhomave të veçanta për të miturit dhe femrat. "Në këtë komisariat policie nuk kishte dhoma të veçanta për të mitur dhe femra sipas konceptimit të bërë nga ligji i ri 'Për Policinë e Shtetit'", thuhej në rekomandim. Gjithashtu, inspektimi ka evidentuar edhe faktin se në procesverbalet e arrestimit dhe të ndalimit, të arrestuarve dhe të ndaluarve u ishte shënuar ora e përpilimit të këtyre dokumenteve dhe jo ora faktike. ar.ba