Një vit pas pavarësisë Kosova ka shumë për të bërë
Kosova është mësuar të jetë e fundit. Në mes të viteve ‘90, kur shtetet pasuese të ish-Jugosllavisë e kishin fituar prej kohësh pavarësinë, në Kosovë mbretëronte ende një konflikt që kishte ngecur në vend, pa perspektivë për zgjidhje. Kur në Kosovë filloi para 10 vjetësh lufta, në Bosnjë-Hercegovinë kishte katër vjet që kishte nisur rindërtimi, Kroacia ishte shndërruar në një treg në ekspansion dhe Sllovenia kishte filluar bisedimet për anëtarësim në BE. Vende të tjera ish-socialiste të Evropës Qendrore ishin bërë ndërkohë anëtare të BE.
Shteti i Kosovës mbush tani 1 vjeç, ndërkohë që shumica e shteteve të tjera pasuese të ish-Jugosllavisë festojnë këtë vit jubileun e 18. Shpërbërja e Jugosllavisë filloi para 20 vjetësh, paradoksalisht pikërisht në Kosovë. 20 vite të humbura. Gjatë kësaj kohe u rrit një brez i tërë, i cili nuk gëzoi shkollim të mjaftueshëm. Shkollat e shtetit paralel ishin në shumicën e tyre të pajisura keq dhe nuk u përgjigjeshin kërkesave të tregut të sotëm të punës. Universitetet prodhojnë në radhë të parë studentë të indoktrinuar politikisht që diplomohen në shkencat shoqërore. Po tregu i punës ka nevojë për specialistë të kualifikuar. Pas përfundimit të luftës ngritja e sistemit shkollor filloi nga e para. Kosova është sot shoqëria me popullsinë më të re të Evropës, por me nivelin më të ulët të arsimimit. Shumica e personave të kualifikuar janë larguar nga rajoni.
E pra, nuk duhet humbur më kohë, sidomos në kohën e krizës globale. Ngurrimet kanë zgjatur tepër. Bisedimet për statusin nën drejtimin e Martti Ahtisaari-t dhe Wolfgang Ischinger-it e mbajtën Kosovën shtrënguar për dy vjet me radhë, një kohë në të cilën politikanët e Kosovës debatonin me qejf për pavarësinë e saj duke tërhequr kështu edhe vëmendjen, por pa iu përveshur vërtet problemeve të jetës së përditshme. Pas shpalljes së pavarësisë kaloi thuajse një vit, derisa misioni EULEX ishte vërtet i gatshëm për t'u vendosur në Kosovë. Një nga shkaqet qe bllokada e mandatit të EULEX në Këshillin e Sigurimit. Por edhe kjo nuk duhet të merret si justifikim për mosveprimin. Tani ka ardhur koha për t'iu përveshur me vendosmëri reformave të domosdoshme në të gjithë sektorët e shoqërisë dhe për të mos u paralizuar prej konflikteve që vazhdojnë ende në veri. Kosova ka nevojë për investime. Investitorët kanë nevojë për siguri ligjore. Për këtë duhet që sistemi i drejtësisë dhe kadastrat të bëhen transparente dhe të funksionojnë si duhet. Korrupsioni është helm për investimet dhe sektori i punonjësve civilë duhet të veprojë me vetëbesim dhe i pavarur prej koniunkturave politike, për t'u imunizuar prej ndikimit politik. Përvoja e shteteve të tjera evropianolindore ka treguar se për reformat nevojiten dekada. Sa më tepër t'ia kalosh përgjegjësinë të tjerëve, aq më shumë zgjat kjo. Bosnja është shembulli më i qartë për këtë. Kosova duhet të nxjerrë mësime nga këto përvoja dhe t'i kundërvihet tundimit për t'ia kaluar përgjegjësinë bashkësisë ndërkombëtare dhe EULEX. Brezi i ri i Kosovës është i aftë dhe i fuqishëm. Ai mund t'ia dalë mbanë.