E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazlliç, si iu falën 1 mln euro taksa firmës Rompetrol

Prokuroria merr në pyetje dy punonjës të kompanisë me aksioner Fazlliç. Zbulohet skema e mospagimit të detyrimeve

TIRANË- Task-Forca e Prokurorisë së Tiranësmerr deklarimet e para të çështjes penale, ku personi nën hetim është miku i kryeministrit Sali Berisha, serbo-boshnjaku Damir Fazlliç. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët shtuan se javën e kaluar, hetuesit e çështjes kanë marrë në pyetje në cilësinë e deklaruesve dy punonjës të firmës “Rompetrol Albania”, shoqëri kjo që lindi pas shkrirjes së kompanisë “Rompetrol Grup” me firmën qipriotë “Kelena”. Sipas këtyre burimeve, mësohet se me kërkesë të dy punonjësve të firmës, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi, prokuroria ka marrë dëshmitë e tyre. “Juristi dhe financierja e shoqërisë kanë kërkuar të japin shpjegime me dëshirën e tyre në lidhje me dyshimet që organi i akuzës ka ngritur ndaj njërit prej aksionerëve, shtetasin serbo-boshnjak Damir Fazliç”,-shtuan burimet e mësipërme për “Shekullin”.

Gjatë dhënies së deklarimeve të lira, juristi dhe financierja e kësaj shoqërie ku shtetasi Damir Fazliç është aksioner me 40 % kanë sqaruar funksionimin e kompanisë“Rompetrol Albania” si dhe procesin e blerjes së tokave në Porto-Romano. Ata kanë dhënë shpjegime të hollësishme që nga dita kur ata kanë filluar punë dhe deri në ditët e sotme, si punohet në këtë kompani dhe kush e menaxhon. Gjithashtu, dy dëshmitarët, me dëshirën e tyre të lirë kanë treguar edhe detyrimet që kjo kompani i ka personave të tretë, që u bë shkak që një nga kërkesat e juristit dhe financieres ishte që të lirohen llogaritë bankare të firmës që ata punojnë dhe të personave që kryejnë detyrën e menaxhimit. Mësohet gjithashtu se financierja ka dhënë shpjegime edhe në lidhje me punën që kryente para deklarimit të falimentit të firmës “Rompetrol Grup” që më pas u shkri dhe u formua shoqëria “Rompetrol Albania”, ku në këtë shoqëri u shtua vetëm emri i shtetasit Damir Fazliç si aksioner i 40 % të kompanisë.

Sipas akuzës, shoqëria “Rompetrol Albania” lindi pas falimentimit të shoqërisë “Rompetrol Grup”. Më pas, kompania qipriote e Damir Fazlliç, ”Kelena” është ofruar të blejë 40 % të aksioneve, duke krijuar kështu një shoqëri të re me qendër të Porto-Romano. Pas deklarimit të falimentit, firmës “Rompetrol Grup” iu falën rreth 1 milion euro borxhe që i detyrohej shtetit shqiptar për aktivitetin që ata kryenin në vend. Ka qenë dita 8 maj 2007 kur kreu rumun i kompanisë “Rompetrol Grup” Bogdan Kostaçe autorizoi me prokurë nga Holanda miken e vajzës së kryeministrit, avokaten Flutura Kola që të regjistronte një firmë të re të quajtur “Rompetrol Albania”, regjistrim ky që bëhet në Qendrën e Regjistrimit Kombëtar të Bizneseve. Kësaj shoqërie, me të njëjtën adresë zyre, me të njëjtët anëtarë të bordit siç ishte ajo “Rompetrol Grup” që deklaroi falimentin për t’iu shmangur pagesës së borxhit ndaj tatimeve dhe i shtohet vetëm emri i aksionerit të ri, shtetasit Damir Fazliç. Sipas prokurorisë, me datën 7 tetor Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal me numër 3258 në ngarkim të shtetasit Damir Fazliç, për veprën penale të “pastrimit të produkteve të krimit”.

--------------------------------------------------------------Deputeti socialist, Erion Braçe tha se lidhja e Berishës me Fazlliç është çështje korrupsioni

Braçe-Berishës: Shteti i kapur nga familja juaj

TIRANË- “Qeveria legjitime është zëvendësuar nga një strukturë tribale, nga interesi i familjes, i fisit apo i klanit që tani udhëheq funksionet korruptive të qeverisë shqiptare”. Deputeti socialist, Erion Braçe e cilësoi mënyrën sesi Berisha zgjodhi t’i përgjigjej mocionit jo mungesë respekti për opozitën, por mungesë respekti dhe burrërie përballë shqiptarëve, që kërkonin përgjigje për malin e akuzave për korrupsion dhe përfshirje në krim. Braçe e ka akuzuar edhe njëherë kryeministrin Berisha se kapje të shtetit nga familja e tij. “Kapja e shtetit nga familja, mafia dhe nga grupet më të zeza që transferojnë dhe investojnë paratë e luftrave më të zeza, të luftrave etnike të ballkanit,jo vetëm që po ndodh po është një mënyrë funksionimi, po godet sigurinë ekombite po i jep jetë një të ardhmje jetë varur në këto interesa jo shqiptare”,-shtoi Braçe gjatë fjalës së tij, dje në Kuvend.  Ai shtoi se opozita i dha mundësinë Berishës të thoshte të vërtetën dhe jo gënjeshtën, si në rastin e Gërdecit. “Ne sot i dhamë mundësinë Berishës, edhe pse jo nën betim, të thoshte të vërtetën dhe jo gënjështrën, si në rastin e Gërdecit. Ai zgjodhi sërish të bënte fajtorin dhe na dëshmoi se nuk ka nevojë për mocion dhe debat, por për një avokat. Ju dhe Fazlliç keni folur pak, po keni dëshmuar shumë se dëshmia e fuqia politike dhe vendimmarrëse e votës së shqiptarëve nuk është më tek ju, as tek ata, por në duart e një familjeje dhe për më keq, në grupet më të thella kriminale të Ballkanit. Përtej dëshmisë që Fazlliçin e keni mik dhe të atij që e kishte për nder që ishte miku juaj, dua t’u them që kjo nuk është çështje miqsh, nuk është çështje bese, kanuni por kjo është çështje korrupsioni”,-shtoi Braçe.

---------------KËRKESA

Ndoka: PDK rikërkon dorëheqjen e Berishës

TIRANË- Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka ka rikërkuar dje dorëheqjen e kryeministrit Berisha, duke e komentuar modelin e tij qeverisës si të huazuar nga koha e Ramiz Alisë. Megjithatë, Ndoka nuk i ka kursyer dje në Kuvend kritikat as ndaj PS-së, duke e cilësuar mocionin e djeshëm si një akt formal. Ai ka shtuar se nga mocioni, njeriu më i mbrojtur është kryeministri Berisha, largimi i të cilit nuk kërkohet deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. "Kryesia e PDK-së ka kërkuar publikisht dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha, zgjedhjen e një kryeministri të ri nga e djathta dhe në shenjë largimi prej paragjykimeve, ka premtuar se do të votojë çdo qeveri tjetër të djathtë, pa qenë as pjesë e saj. Kjo, sepse ne besojmë se e djathta shqiptare nuk fillon dhe mbaron me një emër. Berisha e pati shansin e tij të parë si president, e pati shansin e tij të dytë si kryeministër, dhe në dhjetë vjet qeverisje ai ka ofruar një model që nuk përmbush asnjë prej aspiratave dhe premtimeve të mëdha që e djathta antikomuniste dhe europiane ka bërë që nga dhjetori i vitit 1990“,shtoi Ndoka gjatë seancës së djeshme parlamentare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›