E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria dëmshpërblen ish- pronarët amerikanë

Qeveria po përpiqet në të gjitha mënyrat që të mos dëmshpërblejë ish- pronarët ndërsa bën gati fondin për amerikanët

TIRANË- Të gjitha shtetasit amerikanë që kanë pasur prona në Shqipëri por u janë sekuestruar në kohën e regjimit komunist do të dëmshpërblehen. Paratë për dëmshpërblimin e tyre do të paguhen nga shteti shqiptar në bazë të ligjeve ndërkombëtare dhe një interesi vjetor prej 6%. Kryetari i Komisionit për kompensimin e shtetasve amerikanë nga vende të huaja, juristi Mauricio Tamargo, ka shpjeguar procesin e kompensimit dhe kushtet që duhet të plotësojnë individët për të përfituar nga ky program.Në bazë të një marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë shqiptare në mars të vitit 1995, në kuadrin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, Komisioni për pronat e shtetasve amerikanë në vende të huaja, krijoi programin për kompensimin e shtetasve amerikanë pronat e të cilëve ishin konfiskuar nga qeveria shqiptare para vitit 1995. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, shpjegon kryetari i këtij komisoni Mauricio Tamargo, qeveria shqiptare ka rënë dakord të paguajë një shumë parash për kompensimin e këtyre ish-pronarëve, qoftë kur ata banojnë aktualisht në Shtetet e Bashkuara apo në Shqipëri. Shuma është përcaktuar në bazë të standardeve ndërkombëtare të konvertimit të vlerës së përgjithshme të pronave që u përkasin shtetasve amerikanë me origjinë shqiptare. “Për të përfituar nga ky program, prona e shtetasit amerikan duhet të ketë qenë marrë nga një qeveri e huaj, individi duhet të ketë qenë shtetas amerikan kur prona e tij është konfiskuar ose dëmtuar, dhe prona nuk i është kthyer ose kompensuar familjes në ndonjë formë tjetër. Nëse shtetasi amerikan të cilit i përket prona ka vdekur, kompensimin e përfitojnë familjarët e tij në bazë të trashëgimisë natyrale”,- tha Tamargo. Sipas tij, pronari kompensohet në bazë të vlerës së pronës në kohën e konfiskimit. Komisioni përdor mënyrën e krahasimit për prona të ngjashme në zonë, ashtu siç veprohet edhe në Shtetet e Bashkuara. Në bazë të ligjit ndërkombëtar të kompensimit, kësaj vlere i shtohet një interes bazë prej 6% në vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›