E Shtunë, 31 Tetor 2026

Puci: Vrava vëlla e motër për hakmarrje

Plaku 71-vjeçar pranon akuzën. I shpëton burgimit të përjetshëm

TIRANË- Hasan Puci, 71- vjeçari që akuzohet se ka vrarë dy pjesëtarë të familjes Ferhati ka pranuar krimin para drejtësisë. Gjatë ditës së djeshme, prokurori i çështjes lexoi kërkesën për gjykim, duke renditur të gjithë fabulën dhe historinë e ngjarjes që nga fillimi i konfliktit mes dy familjeve Puci dhe Ferhati, në lagjen Bathore të kryeqytetit. Menjëherë pas hapjes së seancës gjyqësore, trupi gjykues lexoi shkresën e firmosur me gisht nga plaku 71- vjeçar, që autorizonte avokatin e tij ta mbronte dhe kërkonte gjykim të shkurtuar në këtë proces, duke pranuar akuzën e vrasjes. Më pas, kryesuesi i treshes gjykuese i dha fjalën prokurorit Saimir Hysi që të lexojë kërkesën për gjykim, ku theksoi me detaje ngjarjen e 16 prillit të vitit 2004, kur nisi edhe historia e hakmarrjes së përgjakshme. Në këtë datë, vëllai i viktimave të mëvonshme Mimoza dhe Bilbil Ferhati, Bashkimi,në bashkëpunim me Kujtim dhe Petrit Gjetën kanë goditur me thikë duke u shkaktuar vdekjen Ferit dhe Sefedin Pucit. Për këtë ngjarje, policia arrestoi dy vëllezërit Gjeta dhe më pasgjykata i deklaroi fajtorë, por Bashkim Ferhati ka mundur tu shpëtonte prangave të policisë. I moshuari Puci ka mbajtur nën vëzhgim për disa ditë vëlla e motër, duke i vrarë ata disa kohë më vonë në Kodër Kamëz. Tashmë, i moshuari ndodhet në burg në pritje të dënimit, ndërsa pranimi i gjykimit të shkurtuar e ka shpëtuar atë nga burgimi i përjetshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›