E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla e parë shqipe në Vlorë mbush 100 vjeç

Përvjetori

VLORË – 100-vjetori i çeljes së shkollës së parë shqipe në qytetin e Vlorës “28 Nëntori”, e njohur dikur me emrin shkolla e Muradijes, u përkujtua dje me një ceremoni festive në ambientet e shkollës, e organizuar enkas për këtë ditë. Flamujt në duar dhe këngët patriotike në sfond ka qenë mënyra me të cilën është përshëndetur kontributi i të gjithë të rënëve që bënë të mundur hapjen e saj. Të ftuar për të qenë të pranishëm në koncertin festiv dhe përshëndetur 100-vjetorin e shkollës së parë të Vlorës, kanë qenë dhe personalitete të politikës, arsimit dhe kulturës në qytetin e Vlorës. Gjatë ceremonisë festive janë përkujtuar edhe klubi “Labëria”, nismëtar i hapjes të së parës shkollë shqipe në Vlorë apo edhe kabineti-muze i shkollës, ish-selia e të parit ministër të Kulturës, Luigj Gurakuqi, që ndodhet edhe sot në një nga klasat e shkollës së vjetër dykatëshe. Më pas, përkujtimi i 100-vjetorit të çeljes së shkollës së parë shqipe të qytetit të Vlorës ka mbledhur në sallën e pallatit të kulturës, Labëria, intelektualë të fushave të ndryshme, të cilët kanë shpalosur një historik të detajuar të 100 viteve të ekzistencës së shkollës, si dhe kontributin e çmuar të dhënë për krijimin e saj. Brezi i tanishëm i nxënësve në këtë shkollë ka prezantuar gjithashtu, në një nga ambientet e shkollës, një ekspozitë pikturash të vetë nxënësve, në përkujtim të kësaj dite të rëndësishme për ta, por edhe gjithë atyre brezave mësuesisht e shkollarësh që kanë qenë pjesë e historisë 100-vjeçare të kësaj shkolle.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›