E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacientët humbin besimin, dhunë fizike ndaj mjekëve

Sipas Urdhrit të Mjekut, këtë vit ka patur 30 raste dhune fizike ndaj mjekëve dhe qindra kërcënime. Të ndërhyjë shteti, situata alarmante

Dhunë fizike, presione dhe kërcënime ndaj bluzave të bardha. Ndërsa pacientët kanë humbur besimin, dhe, vetëm shërbim shëndetësor korrekt nuk kanë shpresa se do të marrin. Ky është bilanci i një sistemi shëndetësor të kalbëzuar, i cili nuk po afron asnjë alternativë pozitive për pacientët. Këtë e bëri të ditur Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekut, sipas të cilit, dhuna ndaj bluzave të bardha ka shënuar shifra rekord këtë vit. Ndërkohë, Faik Toska, bëri të ditur se mjekët, shpesh tërhiqen nga operacionet, pasi ndodhen përballë presionit të të afërmeve të pacientëve, sepse u kërkojnë garanci absolute. Të ndodhur përballë këtij fakti, drejtuesit e këtij institucioni u kanë bërë thirrje strukturave shtetërore të marrin masa ndaj këtij fenomeni.

Dhuna

Ndihen të kërcënuar çdo ditë. Tashmë, bluza e bardhë, përballë pacientëve e ka humbur kuptimin e humanizmit, pasi këta të fundit i cilësojnë si kriminelë. Alarmin e ka dhënë presidenti i Urdhrit të Mjekut për Rajonin e Tiranës, Faik Toska, i cili solli shifra tronditëse të dhunës ndaj mjekëve. “Vetëm brenda këtij viti janë regjistruar 30 raste dhune fizike të rënda ndaj mjekëve, pa llogaritur presionin apo kërcënimet ndaj tyre, të cilat arrijnë me qindra”, -pohon Faik Toska, duke shtuar se kjo është një situatë tragjike që po kalon shëndetësia në vend. Madje, ata kanë vendosur ta denoncojnë publikisht këtë situatë, duke fajësuar, në radhë të parë, pikërisht sistemin shëndetësor. “U bëj thirrje institucioneve shëndetësore të marrin në mbrojtje figurën e mjekut dhe t’u krijojnë kushte të përshtatshme për të punuar, në mënyrë që të mos bien pre e dhunës, si dhe të rikthehet besimi tek ata. Tërheq vëmendjen për t’i dënuar dhe për t’u thënë ndal veprimeve barbare ndaj bluzave të bardha”, - pohon Toska.

Operacionet

Të ndodhur përballë kërcënimeve të të afërmve të pacientëve, se operacioni duhet me deomos të jetë i suksesshëm, kirurgët tërhiqen dhe e lënë pacientin pa operuar, edhe pse e ka të domosdoshme. Kështu u shpreh presidenti i Urdhrit të Mjekut, Faik Toska, duke theksuar se në këtë mes, i dëmtuar mbetet përsëri pacienti. “Kanë dëgjuar vazhdimisht se mjekët janë kriminelë, të korruptuar dhe aspak humanë, ndaj dhe nuk besojnë më në detyrën e bluzave të bardha. Por, nga ana tjetër, kirurgët, përballë kërcënimeve, shpesh tërhiqen dhe, fakti që nuk kryejnë ndërhyrje kirurgjikale, është në dëm të tyre. Mbi të gjitha, këtu kemi të bëjmë vërtet me një situatë tepër ktitike”, - pohon Faik Toska.

Toska: Fajtor, sistemi, mjekët, por edhe pacientët

Situata kritike në sektorin shëndetësor është e strukturave shtëtërore që e kanë lënë të degradojë deri në këtë pikë. Ky është apeli që bën institucioni i Urdhrit të Mjekut, i cili nuk ka lënë pa faj edhe vetë mjekët dhe pacientët, të cilët kërkojnë të bëjnë vetëgjyqësi. Ndërkohë, presdenti për Rajonin e Tiranës i këtij institucioni, Faik Toska, ka theksuar se negative janë edhe ndryshimet e shpeshta në dikasterin e shëndetësisë, që kanë ngadalësuar reformat. “Si pasojë e një administrate shumë shpesh të ndryshueshme dhe jo profesionale, në të shumtën e rasteve të përzgjedhur mbi baza politiko-partiake, të paaftë për të siguruar vijimësi dhe qëndrueshmëri në veprimtarinë e saj për hartimin dhe zbatimin e reformave, ka ndikuar negativisht”,- pohon Toska. Ndërsa mjekët kanë kritikuar mungesën e aparaturave, medikamenteve dhe pagave të vogla që marrin. Sipas tyre, në fenomenin e mitmarrjes, nuk janë pa faj edhe pacientët që japin ryshfet. Bluzat e bardha nuk kanë mohuar që mes tyre ka një kategori që thyejnë etikën mjekësore, duke kërkuar lekë për çdo shërbim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›