Federata Angleze do të hetojë rreth skandalit
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Federatës Angleze të Futbollit (FA), e cila ka bërë të ditur se do të fillojë hetimet rreth deklaratave të ish-lojtarit të Premiershipit, i cili kishte pranuar 50 mijë paund (afro 100 mijë dollarë) për të humbur një ndeshje. Futbollisti, emri i të cilit vazhdon të mbetet anonim, ka dalë me qëllim nga fusha me karton të kuq dhe ka "bindur" tre shokë të skuadrës që të ndëshkoheshin me kartonë, në një ndeshje që është luajtur në dy vitet e fundit në Angli. Skandali i radhës në sportin më popullor në botë u bë publik të premten, nga e përditshmja "The Independent". Në këmbim të këtij "favori", një "bookmaker" do t‘i fshinte borxhin 50 mijë paund që lojtari kishte grumbulluar duke luajtur kumar. Një zëdhënës i FA-së deklaroi për agjencinë e lajmeve "Reuters": "Rreth kësaj çështje do të fillojmë menjëherë hetimet, por pikë së pari duhet të zbulojmë nëse ndeshja është luajtur në Angli, apo jashtë saj. Në historinë e publikuar në gazetë thuhej se takimi ishte zhvilluar në Britani, por nuk e dimë nëse ajo është bërë në territorin anglez. Rregullat për bastet janë shumë të qarta: lojtarët nuk duhet të hedhin baste për ndeshjet e kampionateve ku ata aktivizohen. Nëse kjo nuk zbatohet, ata etiketohen si kërcënim për integritetin e lojës dhe ky problem cilësohet si shumë serioz". Skandali është bërë publik në një seminar rreth kumarit, që është organizuar në fillim të javës në Hempshajër (në jug të Anglisë), në klinikën "Sporting Chance". Kjo është një qendër në të cilën trajtohen lojtarë me probleme, që mbështetet financiarisht nga Federata Angleze dhe nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë.
Manipulimi i ndeshjeve dhe korrupsioni janë dy fenomene që kanë ndodhur shumë rrallë në futbollin anglez. Megjithatë, nuk kanë munguar pohimet nga disa ish-lojtarë, të cilët kanë pranuar se në të kaluarën kanë qenë në varësinë e kumarit. Mes atyre ka qenë ish-lojtari i Arsenalit dhe i kombëtares angleze, Pol Merson dhe Methju Etherington, që aktualisht mbron ngjyrat e Uest Hem Junajted. Rasti i fundit ku një futbollist ka pranuar të marrë ryshfet në Angli ishte regjistruar në fillimet e viteve ‘60. Në përfundim të hetimeve, 10 lojtarë janë dënuar në mënyra të ndryshme, duke filluar nga burgu deri te përjashtimi përjetë nga çdo aktivitet futbollistik. Mes tyre ishin tre lojtarë të Shefilld Uensdeit: Pitër Suan, Toni Kai dhe David "Bronko" Lejn. Edhe në vitin e largët 1915, një ndeshje e Kategorisë së Parë ku Mançester Junajted mundi 2-0 Liverpulin, u cilësua e manipuluar dhe katër lojtarë nga secila skuadër u pezulluan përjetë.