Mesi: Dua të luaj ndaj Mançesterit
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Mesi, ka bërë të qartë se dëshiron të jetë gati për gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, duke shpresuar të ketë përballë anglezët e Mançester Junajtid. Futbollisti zhvilloi dje stërvitjen e tij të parë me Barcelonën pas kthimit nga Argjentina, ndërsa në konferencë për shtyp ai saktësoi se është shumë pranë rikthimit në fushën e lojës pas dëmtimit të gjatë. "Unë do të kthehem në fushë për çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, në mos më parë. Dëshira ime është që të kthehem sa më parë në fushën e lojës", u shpreh ai para mediave të pranishme. Barcelona ka shfaqur vështirësi të dukshme gjatë mungesës së argjentinasit, duke humbur disa mundësi radhazi për të shkurtuar distancën me Realin e Madridit në kampionat, por futbollisti mendon se ai nuk do ta ndjejë trysninë, pasi të kthehet përsëri në formacion. "Për mua është e kundërta, pasi ka kaluar kohë që nga ndeshja e fundit, ndaj dëshira e vetme që kam është të luaj përsëri. Do të ishte një ëndërr nëse do të kthehesha para përballjes me Mançester Junajtid, por mund të jem në fushë edhe para kësaj sfide", u shpreh Mesi, duke aluduar se Barcelona dhe skuadra angleze do të kalojnë në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Argjentinasi vazhdon të besojë se katalanasit kanë shanse për të fituar si kampionatin, ashtu edhe aktivitetin evropian, ndonëse shtoi se ishte i zhgënjyer nga eliminimi në Kupën e Mbretit. "Gjëja më e keqe që ndodhi gjatë kësaj periudhe ishte eliminimi nga Kupa e Mbretit. Skuadra fitoi jashtë fushës së saj ndaj Shalkes, ndaj është një hap larg kualifikimit në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Për sa i përket kampionatit, ne do të luftojmë deri në fund për titullin", theksoi ai. Në fund të konferencës, futbollisti u ka bërë apel mediave katalanase që të lënë të qetë sulmuesin e ri, Bojan Krkiç, duke shpresuar që atij të mos i rezervohet i njëjti trajtim si Ronaldinjos apo trajnerit Rajkard, të cilët kanë qenë vazhdimisht në qendër të kritikave. "Është shumë e rëndësishme që ta lëmë të qetë, në mënyrë që të vazhdojë të ndihmojë skuadrën duke mos pasur shumë trysni. Lëreni të luajë ashtu siç di ai dhe rezultatet do të jenë shumë më të mira", përfundoi futbollisti argjentinas.