E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtari Vink: Nuk favorizova Kuijt

Momenti i 11-metërshit, që iu mohua Arsenalit në ndeshjen e Ligës së Kampioneve me Liverpulin, ka hapur shumë debate në Angli. Faulli i Dirk Kuijt ndaj Aleksandër Hleb në zonë ishte i dukshëm, por jo për gjyqtarin holandez, Pieter Vink, që drejtonte takimin, i cili pak hapa larg aksionit ka bërë shenjë që loja të vazhdonte. Por vetë gjyqtari i ka cilësuar aludimet për "ndihmë" ndaj bashkëkombësit të tij si absurde dhe qesharake. Kuijt e njeh mirë gjyqtarin Vink, që prej periudhës kur futbollisti aktivizohej me Fejenordin, por "xhaketa e zezë" sqaroi se vendimi i tij kishte qenë 100% objektiv.

"Është qesharake të aludosh se unë e kam marrë atë vendim vetëm sepse jam holandez. Në ditët tona, në çdo skuadër luajnë futbollistë të kombësive të ndryshme, spanjollë, italianë, francezë apo brazilianë. Të aludosh për një gjë të tillë është qesharake, pasi kjo çështje nuk ekziston", u shpreh ai në gazetën britanike "The Sun", rreth incidentit në fjalë, por pa pranuar që kishte gabuar me vendimin që kishte marrë në atë moment të takimit, kur rezultati ishte 1-1. Edhe vetë Dirk Kuijt e ka hedhur poshtë teorinë e favorizimit, ndërsa ka sqaruar se nuk ishte i vetmi futbollist në fushë që e njihte gjyqtarin e ndeshjes. "Unë e njoh gjyqtarin. Kur unë aktivizohesha te Fejenordi, ai më ka gjykuar në shumë ndeshje. Por ju mund të thoni të njëjtën gjë edhe për Robin Van Persin e Arsenalit. Edhe ai aktivizohej me Fejenordin dhe duhet ta njohë shumë mirë gjyqtarin Pieter Vink. Prandaj është shumë e gabuar të thuash se gjyqtari më bëri një favor në ndeshjen e të mërkurës, vetëm sepse më njeh", u shpreh sulmuesi holandez i Liverpulit.

Por duket se të gjithë janë dakord me faktin se gjyqtari Vink ka gabuar kur nuk ka akorduar një 11-metërsh në atë moment. Këtë qëndrim e ka mbrojtur edhe këshilltari i gjykimit në FIFA, Mario Van Der Ende, i cili është i bindur se vendimi ishte i gabuar. "Kur je gjyqtar në këto nivele, e di se duhet të veprosh në mënyrën e duhur, por ai nuk e bëri një gjë të tillë", deklaroi Van Der Ende, duke lënë të kuptohet se gjyqtari holandez do ta kishte të vështirë të gjykonte përsëri në arenën ndërkombëtare për këtë edicion.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›