E Shtunë, 31 Tetor 2026

Federata Shqiptare denon dhunen ndaj gjyqtarit te ndeshjes Laci- Kastrioti

Është dashur të kalonte mesi i natës, por gjithsesi dhuna në Laç është dënuar. Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) kërkoi nga Komisionet e saj që të zbatojnë rregulloret dhe të marrin masat përkatëse për të dënuar dhunimin e gjyqtarit Lorenc Jemini në përfundim të ndeshjes Laçi-Kastrioti.

Jemini u sulmua masivisht në mesin e fushës dhe ndër të parët që e bëri këtë gjë ishte edhe presidenti laçian, Laska. Në një deklaratë të shpërndarë gjysmë ore pas mesnate, Federata distancoi veten institucionalisht nga ngjarja e rëndë në stadiumin kurbinas.
Teksi ishte i shkurtër dhe në deklaratë shkruhej: Federata Shqiptare e Futbollit deklaron se distancohet nga veprimet e dhunshme në stadiumin e Laçit pas takimit Laçi-Kastrioti.

Duke e konsideruar futbollin një lojë që me bukurinë, emocionet, motivin, dhe misionin e vet i bashkon njerëzit, FSHF pozicionohet prerazi kundër çdo lloj dhune.

Të gjitha sjelljet që janë në kundërshtim me rregullat, fair-play-in, kodin sportiv dhe kulturën sportive duhet të ndëshkohen ashpër nga Komisionet dhe rregulloret përkatese.

Ndërkaq, ende nuk dihet nëse Komisioni i Disiplinës në FSHF do të mblidhet sot apo nesër dhe pritet një njoftim zyrtar për këtë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›