E Shtunë, 31 Tetor 2026

Federata mbron gjyqtarët

Situata e fundit e krijuar në futbollin kosovar i ka shtyrë drejtuesit e futbollit që ta mbajnë një takim me gjyqtarët, të cilët ishin cak i sulmeve fizike në javët e fundit. FFK-ja u ka dalë krah ndarësve të drejtësisë, ndërsa kërkon nga Policia që të jetë më rigoroze ndaj huliganëve.

Pas eskalimit të situatës në futbollin kosovar, ku është shtuar dhuna nëpër stadiume, drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) kanë mbajtur një takim me gjyqtarët kosovarë, të cilët ishin cak i sulmeve të huliganëve në Superligë dhe në Ligën e Parë.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu ka dënuar ashpër sulmin ndaj ndarësve të drejtësisë në futboll, ndërsa ka kërkuar nga gjyqtarët që të jenë edhe më syçelë në vendimet e tyre.

“Patëm një takim me gjyqtarë, pasi që ka filluar të dalë situata nga kontrolli. Unë i shikoj rregullisht ndeshjet e huaja në televizor në fundjavë dhe nuk ka ndeshje ku gjyqtarët nuk gabojnë. Drejtuesit e klubeve janë bërë të padurueshëm dhe po mendojnë se gjyqtarët s’duhet ta bëjnë asnjë gabim. Nuk do të bëjmë më tolerime”, ka thënë fillimisht ai. - “Ne e dimë se gjyqtarët tanë kanë cilësi dhe se mund të referojnë edhe më mirë”, vazhdoi Salihu.

Ndërkohë, ai pret që edhe Policia e Kosovës të ndërhyjë më shpejtë në situatat kur sulmohen gjyqtarët dhe të dënohen keqbërësit. “Mendoj se Policisë së Kosovës i ka dalë situata prej kontrollit. Është për çudi që askush nuk futet në burg, përkundër dhunës nëpër stadiume. Gjyqtarët sulmohen në zhveshtore, faktikisht në zyrat e tyre. Kërkojmë që policia të jetë më rigoroze”, përfundoi Salihu.

Sulmet fizike ndaj gjyqtarëve të ndeshjeve në Ligën e Parë të Kosovës në futboll s’kanë të ndalur. Të shtunën që shkoi, për të tretën xhiro rresht (dy herë ishte protagonist KF Rahoveci), është ndërprerë para kohe ndeshja mes Sharrit e Hajvalisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›