Lideri që nuk njeh humbjen

Drita ka bërë rikthim sensacional në elitën e futbollit kosovar. Ekipi gjilanas është i vetmi që nuk ka pësuar humbje në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll, duke regjistruar 6 fitore e 4 barazime, nga 10 ndeshje të zhvilluara deri më sot.
Trajneri Bekim Isufi ka ndërtuar një skuadër mjaft kompakte, e cila u ka shkaktuar kokëçarje kundërshtarëve, me të cilët pati punë deri tash. Ish futbollisti i njohur kosovar treguar se cili është çelësi i sukseseve të ekipit të tij.
“Përkushtimi 100 për qind në punë, disiplina dhe përkrahja e pashoqe që kishim nga kryesia, e cila i ka kryer të gjitha obligimet ndaj lojtarëve, ishin disa nga pikat, që na mundësuan të jemi këtu të jemi”, thotë Isufi për Express.
Ai e pranon se nuk e kishte pritur një nismë të tillë të sezonit, por e dinte se ekipi i tij do t’u shkaktonte probleme ekipeve kundërshtare. “I kemi pasur synimet e qarta që nga fillimi i sezonit. Edhe në fillim pata thënë se Drita do të jetë arrë e fortë për secilin ekip. Ndoshta nuk kam pritur një fillim të tillë të sezonit, por këto rezultate nuk janë të rastësishme. Kemi ekip cilësor dhe qasja është në mënyrën e duhur”, vazhdoi ai.
Drita e mori primatin në Superligë fundjavën që shkoi. Isufi thekson se ekipi gjilanas duhet ta vazhdojë këtë ritëm, pasi që tash e tutje e ka për obligim ta ruajë kryesimin. “Nga fillimi i sezonit kemi pasur gjithnjë kontinuitet të rezultateve dhe tash e kemi për obligim ta mbajmë formën e mirë dhe ta vazhdojmë serinë e rezultateve pozitive”, përfundoi ai.