Optimistë për miqësore
Ka një kohë të gjatë që përfaqësuesja e Kosovës në futboll nuk ka zbritur në fushë për të zhvilluar ndeshje miqësore. Jo që kosovarët nuk kanë arritur të gjejnë ndonjë kundërshtar por FIFA ishte ajo që pengoi zhvillimin e takimeve.
Por më në fund shtëpia e futbollit botëror (FIFA), gjatë kësaj jave pritet që në mbledhje e Komitetit Ekzekutiv, të shqyrtoj kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore.
Udhëheqësit e futbollit kosovar besojnë se do ta marrin dritën jeshile nga FIFA për t’i luajtur ndeshje miqësore reprezentacionit kosovar, ashtu siç kanë kërkuar qysh më moti.
“Ne i kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë që kishim, për ta bindur FIFA-n që të na lejojë zhvillimin e ndeshjeve miqësore. Kemi dërguar argumente të forta. Kemi pasur biseda telefonike me zyrtarë të lartë të futbollit ndërkombëtar, kemi shkëmbyer email-e, nuk kemi lënë asgjë pa bërë”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
- “Komiteti i Asociacioneve të FIFA-s do të mblidhet të martën, ndërsa më pas do ta marrë mendimin e tij Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s, i cili do ta marrë vendimin përfundimtar, më 20 ose 21 tetor. Ne jemi optimistë se gjithçka do të mbyllet në favor tonin”, vazhdoi ai.
Për ta përcjellë më nga afër mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, sot kanë udhëtuar edhe kryetari i FFK-së, Fadil Ademi dhe nënkryetari, Agim Ademi. Mirëpo, edhe pse ende nuk kanë marrë përgjigjej krerët e futbollit kosovar tashmë janë hedhur në aksion për t’ia organizuar një miqësore përfaqësueses së Kosovës, në muajin nëntor kur edhe do të jenë data të lira nga FIFA e UEFA.
Burime të gazetës Express brenda FFK’së kanë bërë të ditur se janë në bisedime me skuadra angleze nga Championship dhe me disa tjera nga vendet skandinave, posaçërisht nga elita e futbollit suedez, për ta bindur ndonjërën që të zbarkojë në Kosovë qysh në muajin e ardhshëm.
Madje, gjatë ditëve të ardhshme, ata do ta shqyrtojnë mundësinë e gjetjes së ndonjë kundërshtari akoma më të fortë, sesa klubet me të cilat aktualisht po negociojnë.
Andaj, gjithnjë sipas këtyre burimeve, thuajse është e sigurt organizimi i një miqësoreje ndërkombëtare për Përfaqësuesen e Kosovës në muajin nëntor.
Ndërkohë, kryetari i FFK’së, Fadil Vokrri, gjatë vizitës së tij të para pak ditëve në Portugali, ka marr shenja pozitive nga udhëheqësit e Benficas dhe Sportingut se ndonjëra prej tyre mund të zbarkoj në Prishtinë për t’u takuar me reprezentacionin kosovar qysh në muajin shkurt, në kremtimin e katër vjetorit të pavarësimit të Kosovës.
Duhet theksuar se Përfaqësuesja e Kosovës vazhdon të mbetet mjaftë pasive, pasi ndeshjen e fundit miqësore – ndër të rralla që i luan – e ka zhvilluar në muajin mars në Prishtinë ndaj skuadrës shqiptare nga Maqedonia, Renovës.