E Shtunë, 31 Tetor 2026

Federer, fitues i Australian Open

Mjeshtri zviceran e bëri përsëri. Roger Federer tani ka 16 Grand Slam tituj, pasi fitoi të katërtin të tij në Australian Open duke mposhtur në finale Andy Murrayn 6-3, 6-4, 7-6.

Pritja e gjatë e Britanisë për fitues të një Grand Slam turneu vazhdon. Barra e pritjes 74-vjeçare ishte e rëndë për Murrayn, i cili dështoi të shfaqë lojën e tij më të mirë atëherë kur ishe më së rëndësishmi.

Skocezi ishte i guximshëm, por Federer thjesht ishte shumë i mirë. Federer ka thënë se janë tenistët si Murray, të cilët e nxjerrin më të mirën prej tij.

“Jam duke pasur rivalë të mëdhenj nga gjenerata e re që po vjen. Më kanë bërë tenist më të mirë, sepse mendoj se kjo ka qenë njëra prej paraqitjeve më të mira të miat për një kohë të gjatë, ndoshta përgjithmonë”, tha Federer.

Gjatë ceremonisë, Murray filloi të qajë njësoj siç kishte bërë Federer kur fitoi në finalen e vitit 2006 dhe përsëri vitin tjetër kur u mposht nga Rafa Nadal.

“Unë mund të qaj si Roger, por është mëkat që nuk mund të luaj si ai”, tha Murray. Koha e tij do të vijë. Ai është ende 22 vjeç dhe tashmë është paraqitur në dy finale të Grand Slam turneve në US Open, dy vjet më parë dhe tani në Australi.

Në moshë të njëjtë, Federer ishte paraqitur në vetëm një finale në Grand Slam. Murray është mposhtur në të dyja paraqitjet e tij në finale nga Federeri. Por, nuk është diçka për t’u çuditur.

Vitet më të mira janë para tij dhe Britania do të presë rast të ri që ai të bëhet pasardhës i kampionit të tyre të fundit, Fred Perry që fitoi US Open më 1936. Tenisti numër një në botë, Federer dominoi në dy setet e para, por ishte në telashe në të tretin.

Murray ishte në epërsi 5-2 dhe dukej se mund të vijë deri te rikthimi në lojë. Por, Federer arriti të barazojë në 5-5, e pastaj e dërgoi setin në taj-brek, të cilin e përmbylli 13-11.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›