Inter s’e ka fituar ende Scudetton

Pavarësisht humbjes nga Inter, në derbin e qytetit, javën e kaluar dhe eliminimit nga Kupa e Italisë në mesjavë, trajneri i Milanit, Leonardo është paraqitur në disponim të mirë gjatë konferencës për shtyp, para ndeshjes kundër Livornos, të dielën.
Rossonerët gjenden nëntë pikë prapa Nerazzurrëve në Serie A, duke ngritur dyshime rreth garës për titull dhe se titulli i kampionit do të vazhdojë t’i takojë për një vit tjetër ekipit të Jose Mourinhos.
Por, Leonardo nuk dorëzohet. “Kampionati është ende i hapur. Ka edhe shumë ndeshje deri në fund dhe me gjithë se jemi nëntë pikë prapa Interit, ne kemi një ndeshje më pak të zhvilluar (kundër Fiorentinës). Humbja nga Inter ishte e vështirë, por ishte vetëm një ndeshje”, deklaroi Leonardo.
Milan u eliminua në çerekfinale të Kupës së Italisë nga Udinese, të mërkurën, por strategu brazilian beson se ekipi do të rikthehet fuqishëm. “Nuk besoj se këto dy humbje kanë ndryshuar besimin e ekipit”, u shpreh ai.