Liverpool mund t’ia dalë pa përforcime

Menaxheri i Liverpoolit, Rafael Benitez, ka pranuar se klubi mund të mos jetë në gjendje të bëjë përforcime të tjera pas Maxi Rodriguezit, gjatë afatit kalimtar të janarit. Por, ai beson se ekipi prapë mund t’i realizojë synimet e tij.
Afati kalimtar dimëror mbyllet të hënën, ndërsa Liverpool spekulohej se ka interesim për një numër të madh të futbollistëve evropianë, përfshirë Klaas-Jan Huntelaar, David Silva dhe Milan Jovanovic. Por është sjellë vetëm një përforcim, mesfushori Maxi Rodriguez nga Atletico Madrid.
“Kemi punuar dhe ende jemi duke u munduar të gjejmë futbollistë për pozita të ndryshme, por nuk është lehtë të gjeni një futbollist të mirë, ose dikë që është në shkallë të ekipit tuaj”, shpjegoi Benitez, për uebfaqen zyrtare të klubit.
“Duhet të shkojmë deri në fund dhe nëse nuk mund të transferojmë askënd tjetër, do të duhet të vazhdojmë me ekipin aktual”, shtoi ai.
Stafi mjekësor i klubit është duke punuar rreth rikuperimit të disa prej futbollistëve kryesorë si Fernando Torres, Yossi Benayoun, Glen Johnson dhe Daniel Agger, të gjithë të lënduar. “Jemi të kënaqur me ekipin që kemi dhe presim rikthimin e futbollistëve të lënduar. Gjetja e përforcimeve nuk është detyrë e lehtë”, përfundoi Benitez.