E Shtunë, 31 Tetor 2026

Togo suspendohet për dy kupat e ardhshme të Afrikës

Togo, e cila u tërhoq nga Kupa e Afrikës, pas sulmit terrorist në autobusin e ekipit të tyre, është dënuar për dy edicionet e ardhshme të garës, ka njoftuar Konfederata e Futbollit Afrikan (CAF), të shtunën.

Presidenti i CAF-it, Issa Hayatou, i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP, se vendimi ishte bazuar në “ndërhyrje qeveritare”, që solli vendimin e Togos për tërheqje nga edicioni i sivjetmë i garës.

Togo vendosi të tërhiqet nga Kupa e Afrikës 2010, pasi dy anëtarë të delegacionit të tyre ishin qëlluar dhe humbën jetën, pas një sulmi ndaj ekipit, pasi kishin ardhur në krahinën e Cabindas.

Krahu i armatosur i Frontit për Lirinë e Enklavës së Cabindas (FLEC), kishte marrë përgjegjësinë për sulmin. Togo, me kapitenin Emmanuel Adebayor, fillimisht deshën të garojnë në Grupin B, me Bregun e Fildishtë, Ganën dhe Burkina Fason, por u larguan pas urdhrave të Qeverisë së tyre.

Ata u larguan nga Cabinda dhe u kthyen në shtëpi, në mbrëmjen e fillimit të garës, më 10 janar. Organizatorët refuzuan thirrjet për anulimin e garës, pavarësisht frikës për sulme të reja. Kupa e Afrikës 2010 mbyllet të dielën, me finalen ndërmjet Egjiptit dhe Ganës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›