E Shtunë, 31 Tetor 2026

Federkeil: Renditja është më e sofistikuar sesa akreditimi

Eksperti i kompanisë gjermane CHE, Gero Federkeil, tregon disa nga detajet e procesit të rankimit të universiteteve në Shqipëri

Ekspert i kompanisë gjermane CHE, e njohur për asistencën dhe ekspertizën e saj jo vetëm në Gjermani, por edhe në botë, në një intervistë të shkurtër për “Deutche Velle” flet për disa nga detajet e procesit të rankimit të universiteteve në vendin tonë.

Zoti Federkeil, si ka nisur bashkëpunimi juaj me autoritetet arsimore në Shqipëri?

Në fillim të vitit 2010, ne jemi kontaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë, për të mbështetur procesin e renditjes së institucioneve të arsimit të lartë shqiptar. Me përvojën shumëvjeçare që kemi brenda dhe jashtë Gjermanisë në këtë drejtim, ne ishim kompania përzgjedhëse në programin “Cilësi dhe barazim në arsim”, që është mbështetur nga shumë aktorë, si Banka Botërore, Banka Europiane për Investime, Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës dhe qeveria shqiptare. Ne nisëm pranverën e vitit të kaluar një projekt pilot, për të cilin shprehem me kënaqësi se i arriti objektivat.

Ky është angazhimi juaj i parë në rajonin e Ballkanit?

Me procesin e renditjes së universiteteve po, është hera e parë që angazhohemi në rajon. Por sa i takon çështjeve të arsimit të lartë, kemi pasur projekte më parë dhe në Mal të Zi e Maqedoni.

Cili ka qenë objektivi juaj, për më shumë se një vit këtu në Shqipëri?

Ne si CHE kemi zhvilluar fillimisht në një periudhë rreth 4-5 muaj konceptin e sistemit të ri të renditjes së universiteteve. Këtë e kemi bërë, në bashkëpunim me partnerin tonë shqiptar, që është Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë (APAAL). Kemi përcaktuar treguesit, mbi të cilët bëhet vlerësimi, kemi zhvilluar workshop-e me grupet e punës, me përfaqësuesit e universiteteve dhe më pas këto kanë qenë një bazë e mirë të dhënash për krijimin e pyetësorëve, për të mbledhur informacion dhe dokumentacion për secilin institucion pjesëmarrës. Së bashku me ekspertët e APAAL-it, kemi bërë vlerësimin, verifikimin dhe gjykimin mbi bazën e të dhënave, që kemi pasur në dispozicion. Natyrshëm kalkulimi na nxori te renditja e universiteteve shqiptare, sipas performancës, burimeve, treguesve të aktivitetit kërkimor shkencor etj. APAAL e njeh mjaft mirë realitetin e arsimit të lartë në Shqipëri dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për çdo fazë të procesit të renditjes. Kini parasysh objektivin thelbësor të renditjes universitare të një shteti. Nga i gjithë procesi i vlerësimeve dhe kalkulimeve, në një tërësi aspektesh nga jeta dhe aktiviteti i universiteteve pjesëmarrëse, përfitimi i parë shkon për vetë universitetet. Pasi ato përballen me realitetin e konkurrencës në treg, në raport me të tjerët. Por nga ana tjetër krijohet një informacion dhe perceptim shumë i dobishëm për publikun e interesuar. Me koshiencë të rinjtë dhe prindërit e tyre zgjedhin se ku do t’i ndjekin studimet në këtë apo atë degë, në këtë apo atë universitet.

Sa universitete ishin në fokusin e këtij procesi pilot renditjeje?

Ishin 34, prej të cilave 7 ishin nga sektori publik dhe pjesa tjetër nga sektori privat, me të cilat kemi pasur një bashkëpunim shumë të frytshëm, me synimin për të bërë një vlerësim sa më të mbështetur te tregues realë të secilit prej universiteteve pjesëmarrëse.

Duhet thënë se ka pasur dhe ka ende mendime të ndryshme në qarqet universitare shqiptare, mbi radhën e punës të dy proceseve, të renditjes së universiteteve dhe të akreditimit të tyre. Disa mendojnë se duhet bërë fillimisht akreditimi dhe pastaj renditja, ndërkohë që të tjerë e mendojnë ndryshe radhën e punës. Ju, zoti Federkeil, si mendoni?

Të dy instrumentet janë të rëndësishëm, por ama janë të ndryshëm. Akreditimi përcakton minimumin e standardeve cilësore, që duhet të ketë një universitet. Kurse renditja ka për qëllim që të listojë nga më të mirët, deri në ata që kanë parametra të ndryshëm me të tjerët. Në një mënyrë, renditja është më tepër e sofistikuar sesa akreditimi. Sa i takon radhës së punës, shikoni, kjo mund të nisë dhe paralel, mendoj. Po të kemi parasysh eksperiencën gjermane, apo dhe vendeve të tjera të botës, mund të aplikosh formula të ndryshme. Këtu te ju procesi i akreditimit, me sa di, ka nisur së fundmi dhe e rëndësishme është që në përcaktimin e renditjes universitetet kanë qenë të akredituara.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›