Rankimi informon studentët mbi ofertën e universiteteve
Projekti pilot i renditjes së universiteteve u shpall në fund të tetorit 2010 dhe është shprehje e qartë e vullnetit politik të kësaj qeverie, për zhvillimin e sistemit të sigurimit të cilësisë në Arsimin e Lartë. Cilësia është prioriteti madhor në arsimin e lartë. Liberalizimi i Arsimit të lartë është tashmë një objektiv i arritur. Në vitin e ardhshëm akademik 2011/12, numri i kuotave do të jetë rreth 10% më i lartë. Rreth 34 mijë kuota, marrë së bashku me kohë të plotë dhe part time, do të ofrohen në universitetet publike. Kjo do të thotë që mbi 80% e maturantëve, që sapo përfunduan shkollën e mesme, kanë mundësi të fitojnë një vend studimi në universitetet publike. Edhe pse numri i studentëve në Shqipëri ka arritur standardet e vendeve europiane për nga numri i studentëve për 1000 banorë. Sistemi ynë i Arsimit të Lartë mbetet një sistem relativisht i vogël krahasuar me vendet e tjera. Megjithatë oferta akademike, për nga numri i institucioneve dhe ai i programeve të studimit, është e konsiderueshme. Për realizimin e këtij projekti pilot u përzgjodhën 4 fusha studimi. Përkatësisht, ekonomi-biznes, drejtësi, shkenca sociale dhe infermieri. Kriteri bazë i përzgjedhjes është numri më i madh i programeve dhe studentëve në sistemin e Arsimit të lartë. Numri i studentëve në këto 4 fusha, zë rreth 40% të numrit total të studentëve.
Qëllimi kryesor i këtij projekti pilot është informimi më i mirë i studentëve për ofertën akademike të shkollave tona të larta. Më tej, ai i shërben politikëbërjes, vetë shkollave të larta dhe tregut të punës. Përfitimet nga ky projekt pilot:
-Rezultatet e këtij rankimi pilot do të ndihmojnë studentët që të informohen shumë më mirë për anët e forta dhe anët e dobëta që kanë institucionet që ofrojnë programet e studimit në fushat përkatëse.
-Politikëbërja ka mundësi që të nxjerrë konkluzione për politikat dhe investimet për përmirësimin e treguesve të cilësisë, që nuk rezultojnë të kënaqshëm.
-Vetë shkollat e larta, mund të nxjerrin konkluzione se në cilat drejtime duhet të punojnë dhe investojnë për të rritur cilësinë.
-Njësitë e sigurimit të cilësisë në shkollat e larta kanë fituar përmes këtij projekti një përvojë të rëndësishme për të përmirësuar veprimtarinë e tyre.
-Sistemi ynë i arsimit të lartë ka përfituar një model rankimi multidimensional të programeve të studimit, të përshtatur për kushtet e sistemit tonë.
-Institucionet e jashtme të sigurimit të cilësisë, në mënyrë të veçantë, APAAL ka përfituar know-how, ekspertizë dhe kapacitete për të realizuar vetë një proces rankimi.
-Profesorati dhe studentët që kanë marrë pjesë në projekt, kanë përfituar një përvojë të rëndësishme që mund ta përdorin në të ardhmen.
-Të gjithë aktorët: shkollat e larta, APAAL, studentët dhe profesorët, janë tashmë të aftësuar për të marrë pjesë në projekte internacionale rankimi. Dhe iniciativat për rankime rajonale të universiteteve dhe programeve janë shtruar për diskutim në shumë takime ministeriale rajonale.
Rankimi nuk ka të bëjë me akreditimin. Por data base dhe gjithë logjistika e fituar do të përdoret me eficiencë edhe për procesin e vlerësimit dhe akreditimit. Meqenëse paralelisht po punohet me një grup ekspertësh ndërkombëtarë, për përgatitjen e paketës së reformës financiare, dëshiroj të nënvizoj se projekti pilot i rankimit nuk ka asnjë lidhje direkte dhe të dhënat e tij nuk mund të përdoren për reformën financiare të AL. Në kuadër të planit të veprimit të reformës financiare të AL do të realizohet akreditimi sipas standardeve të cilësisë, që janë të krahasueshme me ato internacionale. Në kuadër të rritjes së cilësisë dhe zhvillimit të sistemit të sigurimit të cilësisë në AL, dëshiroj të përmend edhe disa masa të tjera të rëndësishme:
-Miratimi në mars 2011, i standardeve të reja të cilësisë dhe akreditimit institucional dhe të programeve të studimit të të tri niveleve, bachelor, master dhe doktoratë;
-Përfshirja e ekspertëve të huaj në procesin e vlerësimit të jashtëm institucional;
-Zgjerimi i Këshillit të Akreditimit me dy anëtarë të huaj dhe një anëtar nga biznesi privat. APAAL është në kontakt me agjencitë e huaja, për të hartuar një listë ekspertësh të huaj, si dhe për të marrë rekomandimin për përzgjedhjen e dy anëtarëve të huaj të Këshillit të Akredititimit. Ky projekt, mbështetet financiarisht nga projekti CBA me pjesëmarrjen e BB, Bankës Europiane të Investimeve dhe Bankën e Zhvillimit të Këshillit të Europës.