Universitetet, degët që ofrojnë më shumë shanse studimi
Detajohen fushat ku janë shtuar kuotat e pranimit në të gjitha universitetet publike të vendit, për vitin e ri akademik. Këto do të jenë edhe degët që do të ofrojnë edhe më shumë mundësi studimi për maturantët, që në Formularin A2 do të përzgjedhin edhe të tilla programe. Krahasuar me një vit më parë, struktura e pranimeve për vitin akademik 2011-2012, në disa fusha studimi, është si më poshtë: Kimi, Matematikë dhe Fizikë 12%; Shkencat teknike dhe ICT 15%; Ekonomi, Administrim-Biznes 10%; Bujqësia, Ushqimi dhe Bioteknologjia 22%; Mësuesia 15%; Psikologji, Sociologji, Punë sociale 8%; Filologjia, Drejtësia dhe Sociologjia 9%; Gjuha shqipe dhe të huaja 8%; Artet dhe sportet 5%. Siç shihet, rritja e pranimeve në ciklin e parë të studimeve është më e lartë në fushën e Teknologjisë së Informacionit ( ITC), Matematikë dhe Fizikë, Shkencat Teknike, Bujqësia, Ushqimi dhe Bioteknologjia, pa llogaritur këtu edhe disa programe të reja të studimit jouniversitar, profesional, në Menaxhim Veterinar, Teknologji Laboratori, Informatikë Praktike etj. Autoritetet e arsimit shpjegojnë se kjo rritje vjen edhe si rezultat i progresit të programeve të reja të IT, të hapura pothuajse në të gjitha universitetet e vendit, si dhe në filialet e tyre (Teknologji Informacioni, Fizikë dhe Teknologji Informacioni, Shkenca Kompjuterike dhe Kompjutacionale, Aktuaristikë, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, Inxhinieri Ekonomike pranë UPT, Matematikë- Financë, Matematikë-Informatikë, Inxhinieri Elektrike) etj. Ndërsa rritja e pranimeve në Shkencat Teknike ka ardhur si rezultat i hapjes së programeve të reja në këtë fushë. Duke qenë se programet e studimit të ciklit të parë të studimeve me një profil, kushtëzojnë shumë studentët në tregun e punës dhe nuk sigurojnë një formim të plotë të tyre në përshtatje me kërkesat e kohës, si një nga objektivat politikë më të rëndësishëm në arsimin e lartë, për vitin akademik 2011-2012 ka qenë dhe do të mbetet hapja e programeve të reja të studimit me dy ose tre profile njëkohësisht, ofrimi i një shumëllojshmërie programesh studimi, kryesisht profesionale apo ndërdisiplinore sa më afër tregut të punës. Këto do të mundësojnë një formim më të plotë në përputhje me kërkesat e zhvillimit kombëtar dhe ndërkombëtar të vendit, me kërkesat e procesit të Bolonjës dhe të tregut të punës. Hapja dhe miratimi i programeve të studimit në dy ose tre profile të ndryshme, jo vetëm do të krijojë mundësi të mëdha punësimi të studentëve në tregun rajonal të punës, por do të përmirësojë dhe balancën midis profesioneve të rregulluara dhe atyre të reja. Në kuadër të politikave të qeverisë është parë me prioritet dhe rritja e kuotave të pranimeve nga zonat rurale, duke mbajtur parasysh problematikën e zhvillimit rajonal si dhe ndikimin në zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Dy programe të reja studimi 2-vjeçare të profilit profesional, jouniversitar janë hapur përkatësisht në Elbasan dhe Universitetin Bujqësor në filialin e Lushnjës. Në vitin akademik 2011-2012 numri i pranimeve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë është 25 183 kuota, të cilat krahasuar me numrin e pranimeve gjatë vitit të kaluar shënojnë një rritje prej 9% të pranimeve, ose 1599 studentë më shumë.
Degët me më shumë kuota
1. Kimi, Matematikë dhe Fizikë 12%
2. Shkencat teknike dhe ICT 15%
3. Ekonomi, Administrim-Biznes 10%
4. Bujqësia, Ushqimi dhe Bioteknologjia 22%
5. Mësuesia 15%
6. Psikologji, Sociologji, Punë sociale 8%
7. Filologjia, Drejtësia dhe Sociologjia 9%
8. Gjuha shqipe dhe të huaja 8%
9. Artet dhe sportet 5%
Formulari A2, të dhënat që duhet të dini para se ta plotësoni
Duke vendosur notat dhe koeficientët, secili maturant mund të llogarisë pikët për secilën prej 10 preferencave dhe më pas të bëjë përzgjedhjen e tyre
Para plotësimit të Formularit A2, që do të jetë hapi i fundit dhe vendimtar për të fituar të drejtën e studimit në universitetet publike të vendit, çdo maturant duhet të dijë disa të dhëna, në mënyrë që jo vetëm ta plotësojë saktë, por të mos “djegë” as shanset e tij për shkollën e lartë. Ministria e Arsimit bën të ditur se cilat janë të dhënat që maturantët duhet të kenë në duar para se të përzgjedhin preferencat e studimit, përveç notave të katër provimeve. Këto të dhëna gjenden edhe në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit me adresë www.mash.gov.al, dhe duke klikuar në butonin Matura Shtetërore, do të gjeni: A - listën e programeve të studimit për çdo fakultet të 11 universiteteve publike të vendit; B - kuotat e miratuara për çdo program studimi të të gjitha universiteteve; C - koeficientët e shkollës (KSH) për çdo program studimi; D - koeficientët e lëndëve me zgjedhje (KZ1, KZ2); E - formulën e llogaritjes së pikëve, të shprehur në një tabelë të thjeshtë në Excel. Duke vendosur notat dhe koeficientët, secili maturant mund të llogarisë pikët për secilën prej preferencave. Pikët shfaqen automatikisht në qelizën pikët; F - Pikët e fituesit të fundit për çdo program studimi në katër vitet e fundit (2007-2010). Në këtë mënyrë, pasi njihet me listën e programeve të studimit, secili maturant mund të bëjë një listë edhe me më shumë se 10 programe studimi, ku dëshiron të studiojë, në cilindo universitet të Shqipërisë. Më pas mund të llogarisë pikët për secilin prej programeve të studimit të listës që ka hartuar. Pas kësaj, maturanti duhet të krahasojë pikët e fituara prej tij me pikët e fituesit të fundit në secilin prej programeve të studimit të listës së hartuar prej tij. Kështu, secili mund të gjykojë se në cilin prej programeve të studimit ka shanse të fitojë. Kuptohet që në renditje, vendet e para do t’i zënë programet e studimit më të preferuara prej maturantit edhe nëse janë më të vështira për t’u fituar. Më konkretisht, nëse vendosni si preferencë të parë një program studimi në të cilin jeni të sigurt që fitoni, por nuk ju pëlqen shumë, mund të ndodhë që prej sistemit informatik të shpalleni fitues në këtë preferencë edhe pse në preferencat e vendosura më poshtë keni grumbulluar pikët e mjaftueshme për t’u shpallur fitues. Pra, konsultimi me tabelën e pikëve të fituesve të fundit është element shumë i rëndësishëm ndihmës para plotësimit të Formularit A2. Vetëm pasi të keni kryer veprimet e mësipërme, mund të rendisni 10 preferencat përfundimtare dhe të plotësoni me kujdes Formularin A2.