E Shtunë, 31 Tetor 2026

5.200 kandidatë për 330 vende pune

Shkup (Lajm/Start)-Mbi pesë mijë kandidatë kanë konkurruar në konkursin e shpallur më 27 tetor për punësimin e 330 nëpunësve shtetëror, të cilët do të punojnë si këshilltarë, bashkëpunëtorë dhe referentë për koordinim dhe bashkëpunim në Sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Për një vend pune në administratë kanë konkurruar 16 kandidatë. Konkursi është në kuadër të aktiviteteve për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, kurse pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë. Interesimi i madh për këtë konkurs njëkohësisht është edhe një tregues për papunësinë e madhe që edhe më tej mbretëron tek rinia shqiptare në Maqedoni. Nga kabineti i zëvendës kryeministrit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit sqarojnë se intervistat me kandidatë që kanë konkurruar kanë nisur të dielën dhe do të vazhdojnë gjatë gjithë javës. Pas intervistimit do të nisë procedura e selektimit të kandidatëve dhe pastaj pranimi i tyre në punë.

Ndërkaq selektimi i 240 administratorëve që kanë konkurruar në konkursin e parë është bërë dhe ata pritet të nisin me punë para vitit të ri. “240 administratorët e pranuar në konkursin e parë pritet të nisin me punë brenda muajit dhjetor, ndërkaq që po bëhen përpjekje për përshpejtimin e procedurave me qëllim që edhe grupi i dytë i administratorëve (330 prej të cilëve 150 administrator me shkollë të mesme dhe 180 me fakultet) të nisin me punë para vitit të ri”, thonë nga kabineti i zëvendës kryeministrit Abdylaqim Ademi. Sipas kushteve të konkursit të shpallur nga Agjencia për Nëpunës shtetëror në fund të muajit tetor, Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ka nevojë për 30 këshilltarë për koordinim dhe bashkëpunim, 10 bashkëpunëtorë për koordinim dhe bashkëpunim, 140 bashkëpunëtorë të rinj për koordinim dhe bashkëpunim si dhe 150 referent të rinj për koordinim dhe bashkëpunim. Për vendet e punës këshilltar dhe bashkëpunëtorë për koordinim dhe bashkëpunim nevojiten nga tre dhe një vit përvojë pune, ndërsa për bashkëpunëtorët dhe referentët e rinj për koordinim dhe bashkëpunim nuk nevojitet përvojë pune.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›