E Diel, 1 Nëntor 2026

Feith: Krimi i organizuar, i rrënjosur në veri

PRISHTINË- Shefi i zyrës civile ndërkombëtare në Kosovë Piter Feith, thekson se vendet anëtare të Bashkimit Evropian, si kusht për marrjen e statusit të kandidati, do t’i kërkojnë Serbisë edhe shuarjen e strukturave paralele në Kosovë.

“Bashkimi Evropian do të insistojë që prania paralele e policisë dhe strukturave administrative të sigurisë duhet të hiqet para vendimit për dhënien e statusit kandidat”,- ka deklaruar Feith.

Feith vlerëson se kjo kërkesë i shtohet atyre të mëparshme që janë krijimi i mundësisë për përfaqësim të Kosovës në konferencat rajonale, lëvizjes së lirë për KFOR-in, EULEX-in dhe qytetarëve pa dallim, si dhe implementimi i marrëveshjeve të arritura me dialog, raporton RTK.

Sipas Feith , zgjidhja për veriun duhet kërkuar në vendosjen e kontakteve midisi qeverisë në Prishtinë dhe bashkësisë serbe në veri dhe në këtë drejtim Qeveria e Kosovës do të emërojë së shpejti një koordinator që do të jetë përgjegjës për përparimin e këtij procesi.

Feith ka thënë se çështja e zgjidhjes së problemit në veri është komplekse edhe për shkak të krimit të organizuar dhe korrupsionit të rrënjosur në këtë pjesë të Kosovës.

Përfaqësuesi ndërkombëtar nënvizon se zgjidhja duhet të bazohet në tri parime: duhet të bëhet pa dhunë, pa ndarje të Kosovës dhe parimi i tretë është tejkalimi i status quos, në mënyrë që problemi të mos shndërrohet në një konflikt të ngrirë. Ky proces, ka thënë ai, mund të zhvillohet paralelisht me dialogun që po bëhet me Beogradin, në atë mënyrë që të dyja procese ta plotësojnë njëra-tjetrën.
(el.me/BalanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›