E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shënon sukses në Paris, Aleksandër Peçi

PARIS- Me 24 flaute, orkestra unikale franceze luan veprën më të fundit të kompozitorit shqiptar Aleksandër Peçi. Premiera është shfaqur për publikun parisien. E veçanta e saj është se vepra është kompozuar mbi fragmente të konferencës për klimën në Kopenhagën, ku ishte i pranishëm presidenti i SHBA-së, Barack Obama dhe mbi një poezi të demokratit Al Gore.

Artistë, flautistë të orkestrës si dhe dirigjenti i veprës vlerësuan kompozitorin Aleksandër Peçi, profesionalizimin e lartë dhe kualitetin e "Planetares". "Kreacioni francez i veprës "Planetares" të Aleksandër Peçit në Paris pati shumë sukses në publik e gjithashtu tek muzikantët profesioniste. Është një vepër shumë e fortë e plot pasion. Ajo që çmoj është që muzika të mos jetë një akt kalkulimesh shkencore por të jetë art dhe "Planetares" është art.

Mbi të gjitha tek muzika e Peçit unë gjej pasion dhe kjo thellësisht me ka prekur, si për problemin e temës së planetit, por më e rëndësishmja është që muzika flet dhe shpërthen emocionalisht,"- është shprehur flautisti francez, Pierre Yves Artaud. "Ne jemi plot emocion nga premiera e "Planetares" e Aleksandër Peçit. Një univers tingullor do të thosha, kompleks për nga teknikat kontemporane, poetika e tyre dhe ekspresioni muzikal. E falënderoj Z. Peçi që erdhi në Paris për këtë eveniment të rëndësishëm,- tha dirigjenti i veprës, Julien Guenebaut. "Planetares" është një tjetër sukses i Aleksandër Peçit, pas atij të arritur në Moskë.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›