E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankohen LDK dhe Vetëvendosja

Nga Express më 09 janar 2011 në ora 18:23

Anëtari i shtabit zgjedhor të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar PDK-në se është duke i penguar vëzhguesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës që të vëzhgojnë procesin zgjedhor.

Ai në një konferencë për media të dielën ka kërkuar nga Partia Demokratike e Kosovës të ndalë siç u shpreh ai, keqpërdorimin dhe abuzimin në vullnetin e qytetarëve të Skenderajt dhe Drenasit.

“Sot vazhdon të shkelet vullneti i qytetarëve të Kosovës, vazhdon të denigrohet dhe të poshtërohet një pjesë e territorit e caktuar e territorit të Kosovës duke manipuluar interesin dhe vullnetin e lirë të qytetarëve. Sot sidomos në zonën e Skenderajt dhe Drenasit vazhdon abuzimi dhe presioni mbi qytetarët e ndershëm të këtij vendi që jetojnë në këto dy qytete. Në emër të tyre po abuzohet, vidhet dhe po shkelet e drejta elementare, e drejta e votës që është një element shumë i rëndësishëm në një vend demokratik”, ka thënë Gashi.

Ai theksoi se në mëngjesin e sotëm janë vërejtur tendenca që vëzhguesit e LDK-së në Skenderaj dhe Drenas të mos lejohen të vëzhgojnë zgjedhjet në fshatin Terstenik, Orllat dhe në fshatra tjera të Drenasit dhe Skenderajt.

“Do të kërkoja nga kjo konferencë që sidomos PDK-ja të ndalë diskriminimin, keqpërdorimin, abuzimin në vullnetin e qytetarëve të Skenderajt dhe të Drenasit. Këta janë qytetarë të Kosovës dhe duhet të kenë të drejtën e votës siç e ka çdo qytetar në çdo vend demokratik”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq, pas përfundimit të konferencës LDK-ja përmes një komunikate ka bërë të ditur se janë vërejtur parregullsi të reja në Drenas dhe Skenderaj.

“Qe nga ora 16 e 30 qendrat e votimit në fshatrat Negroc, Orllat, Llapushnik, Gllanasellë dhe Koroticë të Drenasit, është ndalur rryma elektrike. Këto janë qendrat me pjesëmarrje të vogël në procesin e votimit deri më tani. Po ashtu, në qendrën e votimit në Prekaz të Epërm të Skenderajt që nga ora 16 e 30 drita ka vetëm në një klasë”, thuhet në komunikatë.

Lidhja Demokratike e Kosovës edhe një herë bën thirrje që të mos dëmtohet procesi dhe që qytetarët të kenë mundësi të shprehin lirisht vullnetin e tyre dhe të votojnë për partinë politike dhe kandidatët që dëshirojnë./V.Dana

Vetëvendosje: Në Izbicë ka votime të shumëfishta

Lëvizja Vetëvendosje, ka raportuar se në fshatin Izbicë të Skënderajt situata është tensionuar, pasi janë kërcënuar rëndë vëzhguesit Naim Bunjaku dhe Ibrahim Ademi, ndërsa si pasojë e kërcënimeve vëzhguesit e kësaj lëvizjeje kanë lëshuar edhe një qendër votimi në Drenas.

Kjo lëvizje nëpërmjet një komunikate bën të ditur se për shkak të tensionimit të situatës edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka shkuar në fshatin Izbicë.

“Në këtë vendvotim po bëhet votim i shumëfisht, ndërkaq libri i vërejtjeve është uzurpuar nga drejtori i shkollës, i cili është njëherësh edhe komisioner i AKR-së”.

Ndërkaq Kosovapress mëson se vëzhguesit e Vetëvendosjes janë tërhequr edhe nga një qendër votimit në Drenas.

“Qendra më e tensionuara nga ora 16.00 vazhdon të jetë shkolla e mesme “Gjergja Kastrioti Skënderbeu, ku deri më tani kanë votuar persona të shumtë edhe nga 10 herë. Ndërsa në orën 17.00 kanë filluar kërcënimet ndaj vëzhguesve tanë dhe jemi detyruar ti tërheqim ata nga vendvotimet”, ka thënë për Kosovapress Arlindë Bytyçi.

Gjatë ditës Lëvizja Vetëvendosje ka raportuar për disa probleme që ka hasur qysh në mëngjes në qendrën e votimit 2124b në shkollën fillore "Abedin Rexha" në Kopiliq të Ulët në komunën e Skënderajt. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›