Feith kërkon respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese
(E plotësuar) Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë ICO, Piter Feith, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për imunitetin e deputetëve, duke kërkuar edhe respektimin e këtij vendimi, ndërkohë që nuk ka dashur të komentojë rreth arrestimeve që mund të ndodhin ndaj deputetëve, duke thënë se kjo nuk është kompetencë e tij, por e prokurorëve të Kosovës dhe EULEX-it.
Ai këto komente i bëri të enjten në prezantimin dhe dorëzimin e Raportit të Progresit mbi Zonat e Veçanta të Mbrojtura. I pyetur nga mediat lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth imunitetit të deputetëve, Feith ka thënë se vendimi është i qartë dhe duhet të respektohet.
“Unë mendoj se qytetaret duhet të mirëpresin vendimin e qartë, në kohë dhe të kuptueshëm të Gjykatës Kushtetuese. E përgëzoj Gjykatën Kushtetuese për punën që ka bërë dhe kjo gjykatë është autoriteti më i lartë për të interpretuar Kushtetutën. Mendoj se gjykata ka nxjerrë një numër të vendimeve të rëndësishme dhe hapi i fundit është shembull i zhvillimit pozitiv”, ka thënë Feith.
Ndërsa i pyetur rreth arrestimit të mundshëm të deputetëve, ai nuk ka dashur të komentojë, duke thënë se kjo është kompetencë e prokurorëve të Kosovës dhe EULEX-it.
“Nuk është kompetencë imja. Është në duart e prokurorëve të Kosovës dhe EULEX-it për të menduar hapat e ardhshëm”, ka theksuar Feith.
Ndërkohë duke folur për veriu, Feith ka thënë se ICO-ja mirëpret hapat nga Qeveria e Kosovës në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in për të forcuar sundimin e rendit dhe ligjit në veri.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka dhënë përgjigje në kërkesën e Qeverisë së Kosovës, për të shpjeguar imunitetin e deputetëve. Gjykata ka thënë se deputetët nuk kanë imunitet jashtë fushëveprimit të tyre dhe se mund edhe të arrestohen.
Kërkesa e Qeverisë në adresë të Gjykatës Kushtetuese ishte dërguar, pasi një gjë të tullë nuk e beri Kuvendi i Kosovës, pas një kërkese të EULEX-it të dërguar në Kuvendin e Kosovës, ku i kërkohej nga Kuvendi t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar imunitetin e deputetëve.
Ndryshe, me publikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në gazetën zyrtare, hyn në fuqi edhe vendimi për imunitetin e deputetëve.
I shqetëson Gjykata
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese rreth çështjes së imunitetit ka nxitur reagime të ndryshme të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili kishte refuzuar që të autorizojë Qeverinë e Kosovës për të kërkuar sqarime nga Gjykata për çështjen e imunitetit, të mërkurën është shprehur i shqetësuar me pavarësinë e këtij institucioni.
“Tani e kemi një vendim, të cilin edhe me Kushtetutë, do të thotë, Gjykata Kushtetuese është ajo që bën një interpretim. Unë nuk duhet ta komentoj këtë vendim. Natyrisht, shqetësim imi mbetet pavarësia e institucioneve të pavarura të Kosovës tani e tutje. Jam i shqetësuar për funksionimin e pavarur të institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi për Radion Europa e Lirë.
Në vendimin e saj të publikuar të martën, Gjykata Kushtetuese duke e sqaruar çështjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë ka bërë të ditur se deputetët edhe mund të arrestohen nëse kanë kryer vepra penale ose kanë kryer veprime jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre.
Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për të kërkuar sqarim rreth imunitetit pasi misioni europian për sundim të ligjit, EULEX, kishte ngritur padi për krime lufte ndaj deputetit Fatmir Limaj.
Por ky mision kishte dështuar ta arrestonte deputetin Limaj për shkak të imunitetit që parashihet me Kushtetutë.
Krasniqi kishte kërkuar që urdhërarresti ndaj Limajt të tërhiqet për shkak të imunitetit.
Në interpretimin e saj, Gjykata bën të ditur se “deputeti mund të arrestohet apo të ndalohet gjatë kohës që nuk është duke i kryer detyrat e tij/e saj, pra kur nuk ka mbledhje plenare të Kuvendit, ose mbledhje të komisioneve të tij, edhe pa vendim të Kuvendit”.
Deputetët, sipas Gjykatës, mund të arrestohen edhe në një rast tjetër.
“Deputeti mund të arrestohet apo ndalohet gjatë kohës që është duke kryer detyrat e tij/e saj, pra në mbledhje plenare të Kuvendit dhe/ose në mbledhje të komisioneve të tij, pas vendimit të Kuvendit”.
Këto pika të vendimit të Gjykatës kanë nxitur reagimin e Vetëvendosjes.
Zyrtari i këtij subjekti dhe nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka deklaruar se ky vendim kufizon rolin e deputetit.
“Gjykata me vendimin e saj ka krijuar një precedent shumë të rrezikshëm dhe i ka hapur rrugë Qeverisë që ta prishë drejtpeshimin demokratik në mes të kompetencave të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë, apo mes misioneve ndërkombëtare që kanë kompetenca ekzekutive dhe të zgjedhurve të popullit. Nëse interpretohet si pikë e veçantë, kjo pika e dytë se deputeti arrestohet pavarësisht vendimit të Kuvendit, atëherë kjo mund t’ia hapë rrugën Qeverisë që të shndërrohet në një pushtet policor, i cili i arreston deputetët duke u thirrur në këtë pikë”, ka thënë Konjufca për REL.
Ndërkaq, në një njoftim për media të Lëvizjes Vetëvendosje ndër të tjera thuhet se vendimet e Gjykatës mund ti’ shërbejnë “Hashim Thaçit për spastrimin e konkurrentëve të tij të brendshëm politikë”.
E për deputetin e PDK’së, Nait Hasanin, Gjykata Kushtetuese po i zhvlerëson të gjitha institucionet e vendit.
“Gjykata Kushtetuese punon me duar të huaja. Gjykata Kushtetuese është nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, për zhveshjen e institucioneve të Kosovës. Ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese edhe pse ka bërë shkelje”, ka thënë ai.
“Gjykata Kushtetuese bën interpretimin e Kushtetutës dhe ajo ka bërë interpretim të gabuar... Kjo do të thotë se deputetët e Kosovës të zgjedhur nga qytetarët, i ka dhjetë mijë apo më shumë vota, ai nuk gëzon kurrfarë të drejte të imunitetit. Për mua është e paarsyeshme dhe e paqartë dhe kjo ka treguar se Gjykata Kushtetuese nuk e njeh Kushtetutën e Kosovës”, ka shtuar Hasani.
Deputeti i AAK’së, Burim Ramadani ndërkaq ka një opinion tjetër për këtë vendim.
“Gjykata Kushtetuese ka vepruar profesionalisht bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe është edhe një shembull se si askush nuk guxon dhe nuk do të duhej që të fshihet prapa imunitetit apo çështjeve të tjera, sepse Kosova me sistemin që e ka duhet të garantojë barazi për të gjithë qytetarët e saj dhe pavarësisht pozitave nëse janë të zgjedhur apo zgjedhës dhe vlerësoj se ky është një hap i mirë drejt realizimi të nivelit më të lartë të demokracisë në Kosovë”, ka thënë Ramadani.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërkaq, nuk ka pasur një qëndrim të prerë rreth kësaj çështjeje.
Deputeti Arben Gashi ka thënë se vendimet e Gjykatës nuk komentohen.
“Ky është një vendim që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese dhe nuk ka një shkallë tjetër ankimore. Nuk kemi se çka komentojmë mbi këto vendime. Ideja e imuniteteve në origjinën e tyre është për të krijuar një komoditet mbi veprimet e deputetëve dhe të mos bien pre e shantazhimeve të pushtetit”, ka thënë Gashi.
Deputeti tjetër i LDK’së, Haki Demolli ka thënë së partia e tij do të marrë një qëndrim rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Unë vetëm kam dëgjuar për këtë vendim dhe nuk kam bërë ndonjë analizë konkrete dhe besoj që ne me kohë nesër do të mblidhemi në Grupin parlamentar dhe do të marrim një qëndrim si grup parlamentar politik, e jo individualisht”.